Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja

Shkruar nga: Arsim Canolli

09:16 | 19 Gusht 2017

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duhet të ketë frikë nga Vetëvendosja, nëse kjo parti udhëheq qeverinë e ardhshme për një mandat. Madje, në rastin më të pafavorshëm LDK duhet ta përkrahë VV-në në formimin e qeverisë, por pa u bërë pjesë e saj. Pse?

Për disa arsye.

Së pari, pesha politike sot nuk matet në ekzekutiv, por në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK duhet të bëjë politikën e vetë kreative, duke qenë parti opozitare, por esenciale (negociuese dhe kushtëzuese) në vendimmarrje për shtetin e Kosovës. Sepse e ardhmja e Kosovës varet nga vendimet që dalin nga Kuvendi i Kosovës dhe nga vendimet e LDK-së si parti inkrementale politike. Si opozitë, LDK duhet të mbajë peng qeverinë e re të Kosovës për të kaluar ligjet e nevojshme që zgjedhin problemet e Kosovës. Në këto rrethana LDK duhet të bëjë politikën e vet në Kuvend të Kosovës.

Së dyti, LDK nuk ka arsye të jetë në qeveri, sepse duke qenë në qeveri do të mbajë peng vetveten si parti vendimmarrëse për Kosovën. Duke pasur parasysh historinë realpolitike të viteve të fundit dhe aktualitetin e sotshëm, LDK është në thumb të gjuetisë së shtrigave. Pjesëmarrja e LDK-së në qeverinë e ardhshme në këtë konstelacion politik nuk është produktive as për LDK-në as për Kosovën. Pasi që LDK është përplot majtistë të kontabilitetit dhe egalitarianë të mirëqenies sociale dhe ka pak resurse për t’i përballuar vrullit të komesariatit të VV-së, VV-ja do të gllabëronte mendimin e djathtë brenda LDK-së. Në koalicion me VV-në, LDK do të pësonte shumë edhe si parti politike edhe si resurs asociativ i politikës esenciale në Kosovë.

Së treti, sa më shpejt që VV-ja të vijë në pushtet si parti e çerek-votës popullore dhe të bëhet pjesë e politikës konkrete, aq më mirë për skenën politike dhe shtetin e Kosovës. Kur të dalë në log të realpolitikës, VV-së do t’i shfryhet balona e mbushur me votën e zemrës së plastë të qytetarëve të Kosovës. Përndryshe, nëse nuk ka rotacion të kombinuar dhe vazhdohet me të njëjtën qeverisje, VV-ja do të forcohet shumë dhe do të bëhet flakadan dhe gardian politik i angazhimit ideologjik në të gjitha sferat e shoqërisë, e më së shumti në jetën akademike e kulturore të Kosovës.

Pra, nëse VV-ja nuk merr pushtet tani, atëherë do të rritet omniprezenca dhe omnipotenca e saj në gjithë avenytë e shoqërisë. Një Vetëvendosje në opozitë edhe katër vjet kundrejt një qeverie të përbërë nga të njëjtat parti pa asnjë përmirësim e rigjallërim do të bëhej pulsi kryesor i mendimit e veprimit në të gjitha hullitë e jetës politike, kulturore, ekonomike, sociale, akademike, etj. Sepse ata kanë mësuar se si duhet së pari të identifikohen problemet, të disenjohen programet ideologjike, të projektohen zgjidhjet për to dhe pastaj të garohet në garë politike për të fituar besimin dhe për t’i realizuar ato. Pak a shumë, kjo duket formalisht në rregull, sepse dhe kahu tjetër i politikës, krahu i djathtë, është bërë tashmë “disenjues i politikave” që zgjidhin problemet e shoqërisë.

Mirëpo, ideologjia e VV-së nuk është te forma e qeverisjes dhe “demokracia” e saj si formë e re e përmirësimit të punëve institucionale në shtet. Sepse, sa për përmirësimin e gjendjes në shtet, një “thupër-revolucion” do të ishte më se i mirëseardhur, sidomos për administratën shtetërore. Përkundrazi, ideologjia e VV-së synon të jetë omnipotente në transformimin e pulsit të zemrës së shoqërisë shqiptare. Kjo ideologji e ka pikënisje pushtetin egalitarist, i cili patjetër se përfundon në pushtet diktatorial. Në thelb, ideologjia e VV-së synon që përmes shtetit të zbusë nefcin garues brenda shoqërisë shqiptare, ta zhbëjë variantin kulturor e politik shqiptar në emër të unitetit shqiptar, të devalorizojë mundësinë e barabartë për individin në emër të valorizimit të rezultateve të barabarta për secilin individ, t’i japë përparësi barazisë para lirisë dhe ta përdorë demokracinë direkte për të krijuar mendje servile në emër të emancipimit të shoqërisë.

Sa më parë që VV-ja merr copë pushteti për të qeverisur me institucionet e Republikës së Kosovës, aq më mirë. Por, pse po e them këtë?! Edhe një herë: sepse, potenca ideologjike e VV-së, e krijuar nga fitorja e një numri të dyfishuar të votave në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, është duke u bërë vatër e ngrohjes ideologjike për shtigjet tjera të jetës në Kosovë. Andaj, kësaj partie i duhet dhënë pushtet sa më parë që të përjetojë katarzën e pushtetit dhe ta provojë se çfarë është politika dhe qeverisja e institucioneve shtetërore.

LDK duhet të sillet si parti e djathtë opozitare dhe me potencë kreative vendimmarrëse brenda Kuvendit të Kosovës. Prej asaj pozite LDK duhet të rigjenerohet dhe ta kthejë kryet kah vlerat dhe identiteti i saj. LDK nuk duhet të frikësohet nga asnjë parti, aq më pak nga Vetëvendosja, e cila përkundër dhunës së shfaqur është enjtur me vota të zemërplastit për qeverisjen e deritanishme.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!