Lidhjet e biznesit të Durim Limajt me kompanitë më të fuqishme të naftës – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
12 °C

Lidhjet e biznesit të Durim Limajt me kompanitë më të fuqishme të naftës

11:53 | 18 Shtator 2018

Në vitin 2016, kompania e marketingut “Orange LD”, në pronësi të Durim Limajt, kishte fituar disa kontrata me kompanitë e naftës për zhvillimin e produkteve të marketingut. ORAinfo ka siguruar dëshmi për së paku dy kompani – HIB Petrol dhe Petrol Slovenija. Limaj aktualisht mban pozitë të lartë në MTI, e cila e kontrollon sektorin e naftës në Kosovë.

Shkruan: Agon Sinanaj

Durim Limaj, si këshilltar i lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, mund të këshilloj në hartimin e politikave dhe mbikëqyrve në sektorin e naftës në Kosovë.

Por, në vitin 2016, djali i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, me biznesin e tij privat këshillonte disa prej kompanive më të fuqishme të naftës.

ORAinfo ka siguruar dëshmi për dy kompani të naftës të cilave kompania e marketingut “Orange LD”, që është në pronësi të Durim Limajt, u kishte kryer punë të caktuara në fushën e marketingut.
Fjala është për kompaninë HIB Petrol dhe Petrol Slovenija.

“Brendimi i Cisternes se Derivateve të Petrol Slovenija”, shkruan në njërën prej fotografive që “Orange LD” ka publikuar në faqen e saj.

ORAinfo ka pritur gati një muaj për përgjigje nga vet Limaj, për të dhënë versionin e tij, por nuk ka marrë përgjigje. Gazeta është interesuar të dijë nëse edhe sot e kësaj dite “Orange LD” është në marrëdhënie kontraktuale me këto kompani, tash kur Durim Limaj mban pozitë të lartë në MTI.
Aksionet e Limajt në “Orange LD”

“Orange LD” është e njohur kryesisht për dizajnim dhe montim të reklamave të ndryshme nëpër hapësira të ndryshme reklamuese nëpër Kosovë. Në bazë të aktivitetit të publikuar në faqen e saj, kjo kompani del se që nga themelimi në vitin 2014 ka fituar një numër të madh të kontratave.

Përveç kompanive të naftës, “Orange LD” ka marrë disa punë edhe në Komunën e Malishevës, e cila udhëhiqet që dy mandate nga Nisma Socialdemokrate.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve si pronar i “Orange LD” figuron emri i Durim Limajt në bashkëpronësi me kompaninë “Door to Door”. Edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Durim Limaj ka deklaruar se ka në “Orange LD” 50 për qind të aksioneve, derisa si kapital themeltar ka deklaruar se ka 50 mijë euro. Të hyra nga ky biznes ka deklaruar se merr çdo muaj nga 1 mijë euro.

ORAinfo ka pritur për dy javë përgjigje nga Durim Limaj për ta dhënë versionin e tij.

Lidhjet tjera të Limajt në sektorin e naftës

ORAinfo pati shkruar se para se të emërohej shef kabineti në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë (MTI), Durim Limaj ishte i përfshirë direkt në tregun e naftës në Kosovë përmes dy bizneseve tjera. Bëhet fjalë për “Petrol–Oil Balkan” dhe “Mercury” ku Limaj sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo figuronte si person i autorizuar.

Sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo, Limaj kishte ‘hise’ në biznesin e quajtur “Petrol-Oil Balkan” dhe “Mercury”, të dyja biznese që merren me tregti të naftës. Në të dyja ka figuruar emri i Durim Limajt si “person i autorizuar”, deri në momentin kur Limaj ka marrë pozitë në MTI.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) thuhet se “Petrol-Oil Balkan” aktivitet kryesor ka tregtinë me naftë, sikurse edhe kompania tjetër “Mercury”.

Të dyja këto biznese, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve por edhe në Administratën Tatimore të Kosovës, figurojnë si biznese aktive.
Vetë Limaj nuk pat pranuar t’i sqarojë për ORAinfo lidhjet me këto kompani. /ORAinfo/

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!