Lipjani – Komuna më interesante në Kosovë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
17 °C

Lipjani – Komuna më interesante në Kosovë

Shkruar nga: Shemsi Reçica

15:04 | 21 Maj 2018

Territori i komunës së Lipjanit është i njohur për pasuri të mëdha tokësore e nëntokësore. Magneziti, hekuri, nikeli, thëngjilli, uji nëntokësor, lënda e parë për material ndërtimot, janë vetëm disa nga pasuritë nëntokësore të Lipjanit. Të gjitha llojet e drithërave, të pemëve dhe të perimeve, të bimëve industriale e mjekësore rriten në tokën e plleshme të kësaj komune. Kodrinat e komunës së Lipjanit ofrojnë mundësi të mëdha për kullosa, sidomos për bagëti të imët, dhe për zhvillimin e vreshtarisë.

Territori i komunës së Lipjanit është i njohur edhe për bukuri natyrore. Shpella e Gadimës; Blinaja, si rezervoar i aq llojeve të shtazëve të egra; brigjet e lumit Sitnica; Mbijanjeva e Kleçka; grykat kodrinore-malore Gadime-Gjilan dhe Sllovi-Gjilan, janë pika të rëndësishme të turizmit, të pushimit dhe të rekreacionit në komunën e Lipjanit.
***
Komuna e Lipjanit, në krahasim me komunat e tjera të Kosovës, ka shumë përparësi dhe favore. Në qoftë se secila komunë e Kosovës është interesante vetëm për “diçka“ dhe me atë “diçka“ e tërheq vëmendjen dhe interesimin e qytetarëve të Kosovës, të bizneseve dhe të të huajve, komuna e Lipjanit është interesante për “shumëçka“ dhe për “shumëçka“ e tërheq vëmendjen dhe interesimin e tyre.

Përkah sipërfaqja, komuna e Lipjanit është njëra ndërkomunat më të mëdha të Kosovës. Territori i saj shtrihet në pjesën qëndrore të vendit dhe kufizohet me territorin e nëntë komunave të tjera të Kosovës.

Në territorin e komunës së Lipjanit shtrihen rrugët kryesore nacionale të Kosovës, pastaj hekurudha dhe Aeroporti i Prishtinës, që kanë rëndësi të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare, sepse, përmes tyre lidhen, jo vetëm qytetet e Kosovës, por edhe shtetet e rajonit.

Këto janë favore dhe përparësi të mëdha të komunës së Lipjanit, në krahasim me komunat e tjera të Kosovës dhe, në qoftë se shfrytëzohen si duhet, ato do të ishin burime të përhershme të të ardhurave të kësaj komune dhe, njëkohësisht, do të ishin edhe mundësi të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e përgjithshëm të komunës së Lipjanit.

Komuna e Lipjanit kufizohet me komunën e Prishtinën, kryeqyteti i Kosovës, dhe është aq afër saj, sa mund të konsiderohet paralagje, bile paralagjja më e bukur e kryeqytetit të Kosovës. Rruga Lipjan-Prishtinë kalohet më shoejt se sa rrugët Fushë Kosovë-Prishtinë dhe Kastriot-Prishtinë, madje edhe më shpejt se shumë rrugë brenda vetë Prishtinës.

Kjo pozitë i mundëson Lipjanit shfrytëzimin e të gjitha përparësive të kryeqytetit, sikur të ishte pjesë e tij, dhe, nga ana tjetër, qytetarëve të komunës së Lipjanit iu ofron një funksionalitet dhe qetësi të mirë, larg zhurmës e rrëmujes dhe ngarkesave të tjera të Prishtinës, si kryeqytet.

Lipjani, si qytezë, ka rrugë të gjera dhe hapësirë të mjaftueshme për një jetë normale dhe të natyrshme të qytetarëve të vet. Në të, pothuaj, nuk ka ndërtime të egra e mbindërtime, që do t’ia zinin frymën qytezës. Me disa ndërhyrje të vogla, që varen kryesisht nga mjetet financiare, Lipjani do të bëhej një qytet modern dhe, në një të ardhme jo shumë të largët, ai do t’ia siguronte frymëmarrjen edhe Prishtinës, si kryeqytet i mbingarkuar i Kosovës.

Territori i komunës së Lipjanit është i njohur për pasuri të mëdha tokësore e nëntokësore. Magneziti, hekuri, nikeli, thëngjilli, uji nëntokësor, lënda e parë për material ndërtimot, janë vetëm disa nga pasuritë nëntokësore të Lipjanit. Të gjitha llojet e drithërave, të pemëve dhe të perimeve, të bimëve industriale e mjekësore rriten në tokën e plleshme të kësaj komune. Kodrinat e komunës së Lipjanit ofrojnë mundësi të mëdha për kullosa, sidomos për bagëti të imët, dhe për zhvillimin e vreshtarisë.

Territori i komunës së Lipjanit është i njohur edhe për bukuri natyrore. Shpella e Gadimës; Blinaja, si rezervoar i aq llojeve të shtazëve të egra; brigjet e lumit Sitnica; Mbijanjeva e Kleçka; grykat kodrinore-malore Gadime-Gjilan dhe Sllovi-Gjilan, janë pika të rëndësishme të turizmit, të pushimit dhe të rekreacionit në komunën e Lipjanit.

Me investime të domosdoshme në këto hapësira, sidomos në infrastrukturë, dukshëm do të përmirësoheshin kushtet e jetesës së banorëve të këtyre zonave rurale dhe, kështu, do të pushonin edhe arsyet e shpërnguljes së popullatës nga zonat kodrinore-malore të komunës së Lipjanit dhe shkuarjes së tyre kah zonat urbane të vendit. Investime në infrastrukturë, do t’i tërheqnin në këto anë, edhe ndërtimet për banim dhe për biznese. Kështu , do të “kursehej“ edhe toka pjellore e rrafshit të Lipjanit, nga vërshimet e ndërtimeve për banim dhe për biznese. Dhe jo vetëm kaq.

Investimet në infrastrukturë, në këto zona, për një kohë të shkurtër, do të bënin të njohur komunën e Lipjanit edhe për turizëm vendor dhe të huaj, për pushime, për sporte të ndryshme kodrinore-malore, për rekreacion, etj. Kështu, do të hapeshin edhe vende të reja të punës, për banorët e këtyre anëve.

Përkah popullsia, Lipjani është komunë e mesme në Kosovë, me rreth 80.000 banorë. Rreth 90% e banorëve të saj janë shqiptarë. Serbë, ashkalinj, romë, kroatë, etj. janë rreth 10% e popullsisë së komunës së Lipjanit.

Komuna e Lipjani ka dhe ka pasur ekspertë të të gjitha lëmive dhe të të gjitha profesioneve, por shumë prej tyre janë larguar dhe vazhdojnë të largohen nga kjo komunë. Ata, jo vetëm për një pozitë të lartë dhe për të ardhura më të mëdha, por edhe për një vend mesatar të punës dhe për një rrogë mesatare, janë larguar dhe vazhdojnë të largohen nga komuna dhe janë vendosur ose vazhdojnë të vendosen në kryeqytet, ose në qendrat e tjera të Kosovës. Ata janë ndjerë dhe vazhdojnë të ndjehen më mirë dhe më të sigurt atje, se sa në komunën e tyre. Si rrjedhim, sot në administratën e komunës së Lipjanit ka mungesë të madhe të kuadrove profesionistë.

Dukuria e ikjes së kuadrove me emër nga komuna e Lipjanit, në të kaluaren, kur në këtë komunë sundonte politika serbe e Beogradit, arsyetohej me ndjekjen, haptas ose në heshtje, të kuadrove më të njohur shqiptarë, “të papërshtatshëm ideo-politikisht“, nga regjimi i asaj kohe. Sot, kjo dukuri, mund të shpjegohet vetëm me mbetjet e një mentaliteti dhe një mendësie të vjetër, që nuk përkon me kohën tonë.

Përkundër mundësive të mëdha për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të përgjithshëm, këto mundësi, nuk janë shfrytëzuar as po shfrytëzohen, as sa duhet, as si duhet. Në komunën e Lipjanit janë bërë shumë investime në ndërtime të forta e të mëdha, si për prodhime të industrisë së rëndë, por brenda tyre nuk prodhohen as mallëra të industrisë së lehtë;

Janë bërë shumë investime në ndërtime të depove e të qendrve të mëdha tregtare, që hyjnë më tepër në shërbim të ekspozimit dhe të shitjes së mallërave të prodhuara jashtë Kosovës, se sa të prodhimeve vendore-shqiptare dhe në shërbim të këtyre të fundit. Shumë investime të mëdha, të viteve 2000, tashmë, janë dëshmuar, ose do të dëshmohen të gabuara, pa perspektivë dhe të dështuara.

Në komunën e Lipjanit, si dhe në komunat e tjera të Kosovës, ka mjaft hapësirë dhe është e domosdoshme të bëhen ndërrime e ndryshime të mëdha pozitive, për demokratizimin e jetës e gjithë marrëdhënieve shoqërore e njerëzore, në përgjithësi, dhe për dinamizimin dhe profesionalizimin e punëve, në të gjitha fushat e jetës, por, siç po duket, puna më e vështirë është dhe do të mbetet ndryshimi i mendësisë dhe i mentalitetit të vjetër; ndryshimi i mendësisë dhe mentalitetit, sipas të cilit, “mund të fitohet shumë dhe shpejt, me pak punë“, ose “mund të jetohet edhe pa punuar fare“.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!