Lluka mbështet zhvillimin e Qendrës Trajnuese të KEK-ut, premton bursa për studentët – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
5 °C

Lluka mbështet zhvillimin e Qendrës Trajnuese të KEK-ut, premton bursa për studentët

13:19 | 05 Shtator 2018

Ministri i Zhvillimit Ekonomik tha se do të angazhohet që të sigurohen sa më shumë bursa për studentët që duan të përvetësojnë shkathtësi për certifikim ndërkombëtar, sepse është i domosdoshëm për të gjitha kompanitë metal përpunuese, të cilat dëshirojnë të eksportojnë.

Këto komente, kreu i MZHE-së i bëri sot gjatë vizitës në Qendrën e Trajnimeve në KEK, ku u takua me drejtuesit dhe stafin e kësaj qendre, nga të cilët u informua për së afërmi me kushtet dhe trajnimet që ofrohen aty.

“Besoj se këto shkathtësi të cilat po zhvillohen në Qendrën e Trajnimeve në KEK janë e ardhmja e vendit, ikja e të rinjve nga vendi po na shkakton dëm të madh sepse ato kapacitete nuk mundemi t’i zëvendësojmë, andaj ky është edhe qëllimi i kësaj vizite, të kërkojmë fonde se si të certifikojmë më shumë persona, dhe mos të kemi hapësirë ku na duhet të importojmë fuqi punëtore nga vendet e ndryshme të rajonit”, tha ministri Lluka.

Lluka është shprehur gjithashtu se është i fascinuar me pajisjet që i ka kjo qendër duke iu falënderuar BE-së, USAID-it dhe donatorëve të tjerë të cilët kanë ndihmuar që nga viti 2005.

Duke e parë mungesën e interesimit, Ministri tha se, duhet të punojnë bashkë që të rritet më tepër dëshira tek të rinjtë të cilët mund të certifikohen, ngase këto shkathtësi do t’ju sigurojnë më lehtë një vend pune krahasuar me shkollimet tjera.

Sipas tij, këto shkathtësi do të jenë të obligueshme edhe për TC “Kosova e Re” dhe në përgjithësi për sektorin minerar, ngase kemi mungesë të këtij profili, prandaj duhet të fokusohemi më shumë në zhvillimin e kësaj qendre trajnuese në mënyrë që të krijojmë profile të profesionalizuara në tërë vendin.

Ndërsa, U.d i drejtorit menaxhues në KEK, Njazi Thaci, tha se Qendra e Trajnimeve është një nga asetet më të rëndësishme që ka KEK-u, duke përfshirë kuadro profesionale dhe të certifikuar ndërkombëtarisht.

Ai tha se kjo qendër ka një sipërfaqe prej 1000-1500 m2 e ndërtuar me ndihmën e donatorëve siç është BE-ja dhe fondet e KEK-ut.

Sipas tij, kjo qendër ka trajnuar punëtorët e KEK-ut dhe falë këtyre punëtorëve KEK-ut është një nga ndërmarrjet publike me performancën më të mirë në Kosovë me një fitim mbi 20 milionë euro.

Kjo qendër kryen trajnime për të rinjtë të cilët janë të interesuar në fushat; teknologji elektrike, teknologji mekanike si dhe teknologji të asfaltimit.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!