Loja me kufijtë mund t’i sprapsë vendet nga njohja e Kosovës – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
17 °C

Loja me kufijtë mund t’i sprapsë vendet nga njohja e Kosovës

Shkruar nga: Muhamet Hamiti

17:21 | 20 Shtator 2018

Loja me ndryshim të kufijve është shumë e rrezikshme për Kosovën. Është bërë betejë e gjatë diplomatike prej fillimit të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar për të bindur bashkësinë ndërkombëtare se pavarësimi i Kosovës nuk paraqiste ndryshim kufijsh, por konfirmim kufijsh ekzistues të entiteteve të federatës jugosllave, siç edhe ka ndodhur me shtatë njësitë që dolën shtete të pavarura; Kosova e fundit prej tyre.

Kosova ka bërë kompromisin në negociatat e Vjenës, i njohur si Pakoja e Ahtisaarit, të cilin e kanë njohur, duke përfshirë edhe kufijt ekzistues të Kosovës, me njohje të Republikës së Kosovës, 115 shtete, anëtare të OKB-së.

Marrëveshja me Serbinë do të mund t’i bindte pesë vendet e BE-së, mosnjohëse të Kosovës, por ndryshimi eventual i kufijve do të mund t’i sprapste ato edhe më shumë nga njohja e Kosovës. Kosova do të shihej si shtet elitat politike të të cilit janë pa parime. Kosova është shpallur shtet në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëatre (SHBA-të dhe vendet kryesore të BE-së) me zotimin para botës se është rast ‘sui generis’ që nuk krijon precedent.

Çdo aventurë me ndryshim kufijsh mund t’i bëjë vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën gjithandej botës të mendojnë se shteti ynë është vend që s’u përmbahet zotimeve ndërkombëtare – shtet joserioz. Prandaj, është koha e fundit të hiqet dorë prej idesë serbe për ndarje/ndryshim të kufijve të njohur të Kosovës.

Spanja, por edhe Rumania, Greqia, Qiproja, dhe Sllovakia, ndonëse kanë shprehur rezerva për arsyet e veta, e jo pse kanë problem me Kosovën si të tilë, në fund të fundit do ta kenë më lehtë ta njohin një ditë Republikën e Kosovës në kufijtë aktualë sesa me kufij të ndryshuar. Kosovën si vend që bën precedente bota nuk do ta njohë universalisht.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!