LVV-ja, LDK-ja dhe PDK-ja, një krahasim i shkurtër (I) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

LVV-ja, LDK-ja dhe PDK-ja, një krahasim i shkurtër (I)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

16:21 | 03 Shkurt 2018

Për ta kuptuar shkakun e përplasjeve dramatike, brenda Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të dala në sipërfaqe, kohët e fundit, – s‘është e domosdoshme të kesh extra- ose super-informata të fshehta, të natyrës së shërbimeve sekrete; – as t’i dëgjosh “arsyet“ dhe “akuzat“ publike të krerëve kryesorë të saj, kundër njëri-tjetrit.

Mjafton të bëhet një krahasim i shkurtër i LVV-së me LDK-në dhe me PDK-në, ose mjafton të kihet parasysh vetëm fakti që LVV-ja është parti shqiptare dhe këtij fakti t’i shtohen edhe specifikat e LVV-së dhe të njerëzve të saj, – për t‘i kuptuar motivet dhe arsyet e vërteta të ikjes masive, si në ndonjë panik, të bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Albin Kurtit, nga partia, deri tani e tyre, LVV-ja.
***

Rasti LDK
Dalja spektakulare e Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) në skenën politike, ndodhi në kushte dhe në rrethana jashtëzakonisht të favorshme, në krahasim me ato të parakrijimit të saj.
Në njërën anë, kishte ndodhur përmbysja e dy perandorive të kuqe sllave: perandorisë së madhe ruse dhe, fill pas saj, edhe perandorisë së vogël serbe. Partia-shtet (Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, LKJ) – parti sunduese në vend, – ishte në shpërbërje-shpërndarje e sipër.
Skena politike e Kosovës, pra, ishte krejtësisht e zbrazët dhe në të mund të delte lirshëm, pa pengesa të jashtme, pa rreziqe e sakrifica, madje edhe pa konkurrencë, – çdokush që do të dëshironte të bëhej elitë politike dhe kombëtare e shqiptarëve në Kosovë.
Në anën tjetër, qysh në vitet ’80-a (1981-1990), shqiptarët, pa elitën e atëhershme të tyre, kishin arritur kulmin homogjenizimit dhe të mobilizimit, kundër Serbisë, dhe ishin në pritje të daljes në skenë, të një eliteje të re politike.

Në këto kushte dhe rrethana (Teoria e situatave), përkrahjen pa rezervë të shqiptarëve do ta siguronte çdokush që do të dëshironte të bëhej elitë politike dhe kombëtare e tyre. Mjaftonte që ajo elitë të kërkonte ndryshimin dhe përmirësimin e gjendjes së rëndë të shqiptarëve, nën Serbinë, dhe që t’iu printe atyre në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

LDK-ja e gëzoi fatin e të qenit parti e parë politike, në këto rrethana. Jo vetëm individët, por anëtarë madhorë të familjeve, në lagje të qytetit dhe në fshatra, pastaj, grupe të mëdha njerëzish, pavarësisht nga bindjet politike dhe interesat e tyre, – pritnin në radhë të gjata për t’u regjistruar në listat e anëtarësimit, në LDK.

Kështu, LDK-ja, përkah përbërja e anëtarësisë së saj, ishte partia më heterogjene në gjithë historinë e Kosovë. Në LDK kishin aderuar njerëz të shkollave, të fronteve, të ideologjive, të interesave, të bindjeve politike dhe të idealeve kombëtare, krejtësisht të ndryshme, madje edhe të kundërta:

– Njerëz të privilegjuar të regjimit komunist, që i kishin shfrytëzuar të gjitha të mirat e tij dhe të përndjekur e të diskredituar të atij regjimi, që i kishin pësuar të gjitha të këqijat e tij;
– Mbrojtës dhe afirmues të rgjimit komunist: ideologë, prokurorë, gjykatës, policë, spiunë, etj. dhe kundërshtarë të atij regjimi: ish-të dënuar politikë, të ikur nga vendi, etj;
– Të moderuar dhe radikalë;
– Komunistë dhe nacionalistë;
– Integralistë dhe separatistë;
– Majtistë dhe djathtistë;
– Njerëz të pasuruar në regjimin komunist dhe njerëz të varfëruar nga ai regjim;
– Njerëz që kishin dhënë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe njerëz që, për privilegjet dhe për interesat e tyre, ishin pajtuar edhe me robërinë e Kosovës; Etj.

Në fillim ishte krijuar përshtypja (e rreme) se, ndërmjet palëve të ndryshme, madje edhe të kundërta, brenda LDK-së, ishte arritur “paqja“ dhe “pajtimi“ për bashkëpunim kundër robërisë serbe, por ky iluzion nuk zgjati shumë kohë.

Kur u shtruan kërkesat për të lëvizur kundër robërisë serbe, pra në prag të fillimit të luftës së armatosur në Kosovë, ashtu edhe siç pritej, palët e kundërta, që e përbënin heterogjenitetin e LDK-së, u ndanë përfundimisht.

Megjithëqë në kohën më të rëndë e më të rrezikshme, për popullin dhe për vendin, kjo ndarje e palëve të kundërta, me raporte tejet të acaruara, brenda LDK-së, për fat të mirë, – u bë “paqësisht“, por kjo nuk ishte ndarje e vetme, as më e madhja, brenda LDK-së.

Pas përfundimit të luftës, kur u krijuan mundësitë për të përfituar pozita të rëndësishme në parti dhe në institucionet shtetërore dhe për përfitime të mëdha personale, në ato pozita – u bënë ndarje të tjera, – tash ndarje të klaneve të afërta me njëra-tjetrën, brenda LDK-së, të “spastruar“ më heret nga palët e tjera, të kundërta të saj -.

Nga LDK-ja e pasluftës, fillimisht u ndanë dy klane të vogla të saj: Partia e re e Kosovës (PreK) dhe Alternativa Demokratike (AD). Liderët e këtyre klaneve, Bujar Bukoshi dhe Edita Tahiri, si duket, e kishin llogaritur që nuk mund t’i kapnin frerët e gjithë LDK-së. Ata, prandaj, bashkë me klanet e tyre, ikën në heshtje nga LDK-ja.

Dy liderë të tjerë, të dy klaneve të mbetura brenda LDK-së, – Nexhat Daci e Fatmir Sejdiu – , secili me gjasë reale për t’i kapur frerët e LDK-së, hynë në një garë të ashpër, si në një luftë për jetë a për vdekje, për të parin e partisë.

Kjo garë, siç dihet, përfundoi me rrahjen masive ndërmjet klaneve Sejdiu e Daci, pothuaj në përfundim të kuvendin zgjedhor të LDK-së, të njohur në opinion, me emrin “kuvendi i përgjakshëm i karrikave“. Në këtë kuvend, siç dihet, garën e fitoi Fatmir Sejdiu.

(Ky kuvend mbahet në mend edhe për intervenimin e parë dhe të vetmin, deri tash, të policisë sonë speciale, në një kuvend zgjedhor partiak, për t’i ndarë klanet brenda një partie, që synojnë t’i kapin, me çdo kusht, frerët e partisë së tyre).

Pas dështimit për t’i kapur frerët e partisë, Daci me përkrahësit e tij, u ndanë prej LDK-së dhe e formuan një parti të re, Lidhjen Demokratike të Dardanisë (LDD).

Në gjithë historikun e LDK-së , kjo është ndarja më e thellë dhe më e madhja, pothuaj në dysh, e saj. Kjo ndarje, pastaj, ia krijoi mundësinë PDK-së, për të dalë e para, në zgjedhjet e radhës në vend.
***
Lideri i PreK-ut, B. Bukoshi; pastaj, liderja e AD-së, E. Tahiri; dhe, në fund, lideri i LDD-së, Nexhat Daci, as pas ndarjes, – nuk kishin hequr dorë nga vija politike e LDK-së. Për më tepër, ata përpiqeshin të dëshmoheshin më LDK, se LDK-ja, madje edhe si trashëgimtarë të saj dhe të vijes politike të dr. Rugova.
Sa, në të vërtetë, Bukoshi dhe Tahiri ishin LDK dhe rugovistë, u pa pas humbjes së tyre në zgjedhje, kur ata, për pozita ministrore, iu bashkuan Thaçit dhe PDK-së së tij, – rivalëve kryesorë të tyre, të dr. Rugovës dhe të LDK-së -.

Më në fund, sa, në të vërtetë, ishin LDK edhe trashëgimtarët e postit të dr. Rugovës, Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa, u dëshmuar kur i pari, për pozitën e kryesarit të vendit, dhe i dyti, për pozitën e kryeministrit (u ngritën, por edhe u rrëzuan nga Thaçi), – e shndërruan LDK-në në “degën“ më të madhe të PDK-së, ndërkohë që vetë, realisht, u shndërruan në “ministra“ të dëgjueshëm të Thaçit.
Pra, ndarjet e LDK-së, nuk janë rezultat i përplasjes së ideve, bindjeve, koncepteve dhe vizioneve të ndryshme, ose të kundërta brenda saj; as pasojë e kërkesave të ndryshme, ose të kundërta brenda, – për riorganizimin, modernizimin, profilizimin, me një fjalë, për reforma në LDK, që do të ishte gjëja më normale, për zhvillimet e brendshme të një partie të madhe.

Rrjedhimisht, ndarjet e LDK-së janë, fatkeqësisht, pasojë e përpjekjeve, e përçarjeve dhe e përplasjeve ndërmjet klaneve brenda saj, madje, në radhë të parë, në mes të liderëve të tyre – për t’i marrë në dorë, me çdo kusht, frerët e partisë.

(VAZHDON me PDK-në dhe LVV-në)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!