LVV-ja, LDK-ja dhe PDK-ja, NJË KRAHASIM I SHKURTËR (II) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

LVV-ja, LDK-ja dhe PDK-ja, NJË KRAHASIM I SHKURTËR (II)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

20:33 | 05 Shkurt 2018

Ndarja THAÇI-LIMAJ, në rastin PDK, sikurse edhe ndarja SEJDIU-DACI, në rastin LDK, nuk është pasojë e përplasjes së ideve, bindjeve politike, koncepteve dhe vizioneve të ndryshme, të papajtueshme ndërmjet tyre; as pasojë e kërkesave të ndryshme, ose të kundërta brenda partive të tyre, – për ndërrimin e kursit politik, apo për riorganizimin, për profilizimin, për modernizimin, – pra, për reforma në PDK, përkatësisht në LDK. Ato janë, thjesht, pasojë e lakmive të mëdha të tyre për marrjen, përkatësisht ruajtjen, me çdo kusht, të pushtetit.
*****
Rasti PDK
Në Kosovën e pasluftës, kur doli në skenë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në Kosovë kishte ndodhur kthesa më e madhe, epokale, në historinë e popullit tonë. Serbia ishte dëbuar nga Kosova dhe shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyre të lashtë, – ishin të lirë në tokat e tyre.
Njerëzit që do ta formonin PDK-në, krahas forcave të NATO-s, u identifikuan si bartës kryesorë të luftës kundër Serbisë. Ata u identifikuan, njëkohësisht, edhe me lirinë e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo ishte një situatë (Teoria e situatave) e favarshme për krijimin e PDK-së, por skena politike e pasluftës në Kosovë, nuk ishte e zbrazët, si në kohën e paraluftës, kur ishte krijuar LDK-ja.

Kur po formohej PDK-ja, rivalja kryesore, e “përbetuar“ e saj, LDK-ja, kishte dhjetë vjet që e kishte “pushtuar“ hapësirën politike në Kosovë dhe strukturat e saj, të organizuara mirë dhe të qëndrueshme, – shtriheshin masivisht, pothuaj në çdo lagje, në fshatrat dhe në qytetet e Kosovës.

Pra, qysh në fillim, gjatë formimit dhe, sidomos, gjatë shtrirjes së saj në terren, PDK-ja është dashur të përballet me konkurrencën e fortë të LDK-së, – një parti e rryeme, me përvojë dhjetë vjeçare, e familjarizuar me qytetarët e Kosovës.
Kur t’i shtohen kësaj propaganda e egër armiqësore, kundër UÇK-së, prej të cilës vinin njerëzit kryesorë të PDK-së, dhe mbikëqyrja e fortë e ndërkombëtarëve, jo aq miqësore, sa në raport me LDK-në, gjatë formimit dhe shtrirjes së saj në terren, – bëhet e qartë se rritja, përkatësisht forcimi i PDK-së, për dallim nga LDK-ja, nuk ka shkuar si në vaj.

Edhe PDK-ja, përkah përbërja e anëtarësisë së saj, ishte parti heterogjene, si LDK-ja. Në PDK, si edhe në LDK, por me një dallim të vogël në motivet e tyre, – kishin aderuar njerëz të shkollave dhe të ideologjive; të fronteve dhe të interesave; të bindjeve politike dhe të idealeve kombëtare, krejtësisht të ndryshme, madje edhe të kundërta:

– Ish-liderë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së; ish-përfaqësues,
ish-zëdhënës e ish-ushtarë të saj; dhe përkrahës e
simpatizues të tyre;
– Ish-të burgosur politikë, disa prej të cilëve, deri në prag të
luftës, kishin qenë anëtarë të LDK-së;
– Ish-anëtarë të grupeve klandestine, sidomos të LPK-së, që
kishin vepruar në Kosovë, por dhe në diasporë, me orientime
kryesisht majtiste;
– Ish-anëtarë hileqarë dhe simpatizues të pavendosur të LDK-
së, që kishin menduar se PDK-ja do t’i fitonte zgjedhjet dhe do
ta merrte pushtetin;
– Ish-të privilegjuar të regjimit komunist: hyzmeqarë e spiunë të
atij regjimi, etj.;
– Të moderuar dhe radikalë;
– Komunistë dhe nacionalistë;
– Separatistë dhe integralistë;
– Majtistë dhe djathtistë;
– Njerëz të pasuruar në regjimin komunist e gjatë luftës dhe
njerëz të varfëruar nga ai regjim;
– Njerëz që kishin dhënë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e
Kosovës dhe njerëz që, për privilegjet dhe për interesat e tyre,
ishin pajtuar edhe me robërinë e Kosovës;
– Njerëz të tjerë, më shumë të frikësuar nga e kaluara e tyre
dhe nga të papriturat e të panjohurat e pasluftës, sesa si
përkrahës dhe simpatizues të vërtetë të PDK-së; dhe
– Përfitues të tjerë, të të gjitha regjimeve, që kishin zënë pusi në
PDK, në pritje për të përfituar edhe prej saj.
“Bashkëjetesën“, të paktën formale, të grupeve kaq heterogjene (të reduktuara në dy grupe kryesore: Grupi i “brumit“, ose Grupi i “bërthamës“ së PDK-së dhe Grupi i “mishit të huaj“ ose Grupi i “trupit të huaj“ të saj), e ka mbajtur baraspesha e interesave të mëdha të krerëve të të dy grupeve.
Interesi i krerëve të “brumit“, ose të “bërthamës“ së PDK-së, në nivelin qendror dhe në nivelin komunal, ishin votat e grupit të “mishit të huaj“, ose të “trupit të huaj“, brenda PDK-së; ndërsa interesi i krerëve të “mishit të huaj“ në trupin e saj, ishte “rehabilitimi“ i tyre dhe përfitimet e reja, nga PDK-ja.
Pra, edhe PDK-ja, ishte pothuaj po aq heterogjene, sa edhe LDK-ja, por “bashkëjetesa“ e grupeve heterogjene brenda PDK-së, dhe ajo e grupeve heterogjene brenda LDK-së, kishin dallime të mëdha.

Grupet heterogjene brenda LDK-së ishin të homogjenizuara, jo vetëm formalisht, por edhe përmbajtësisht. Ato i përkrahnin publikisht dr. Rugovën dhe LDK-në dhe ua jepnin edhe votat. Dr. Rugova dhe LDK-ja, prandaj, deri në vitin 2007, i fitonin zgjedhjet në Kosovë.

Grupet heterogjene brenda PDK-së ishin të homogjenizuara formalisht, por jo edhe përmbajtësisht. Ato i përkrahnin publikisht Thaçin dhe PDK-në, por nuk ua jepnin votat.
Kjo mund të ketë qenë arsyeja që, deri në këtë kohë, PDK-ja kishte më shumë anëtarë, të regjistruar në listat e saj, sesa vota. Thaçi dhe PDK-ja, prandaj, deri në vitin 2007, i humbnin zgjedhjet në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në opozitë, Thaçi arriti t‘i kuptojë, jo vetëm “hiletë“ e vogla të grupeve heterogjene brenda PDK-së, por edhe dobësitë e “vogla“ të kundërshtarëve të tij dhe të një pjese të qytetarëve të Kosovës. Dhe atyre “hileve“ e dobësive të vogla, Thaçi vendosi t’iu përgjigjet me “hiletë“ e tij të mëdha.

“Hileja“ e parë e Thaçit kishte të bënte me raportet e tij me dr. Rugovën dhe me LDK-në. Kursin e njohur politik të tij – “anti-Rugovë“, Thaçi e ndërroi për 180 shkallë dhe e ktheu në kurs – “pro-Rugovë“. Ai, kështu, hoqi dorë prej akuzave të tij, të njohura publikisht kundër dr. Rugovës, dhe filloi të përkulet me “respekt“ e me “nderime të mëdha“, para varrit të tij;

Edhe kursin e tij të njohur – “anti-LDK“, Thaçi e ndërroi për 180 shkallë dhe e ktheu në kurs – “pro-PDK“. Ai, kështu, ish-kryetarin e LDK-së, Fatmir Sejdiu, dhe kryetarin aktual të saj, Isa Mustafa, i ngriti në pozitën e kryetarit të vendit, përkatësisht në pozitën e kryeministrit, për t’i rrëzuar, pastaj, nga ato pozita, pa e përfunduar mandatin e tyre, pasi e kishte kryer punën e vet me ‘ta, – pasi kishte arritur, përmes tyre, kapjen e pozitës së kryeministrit, përkatësisht kapjen e pozitës së kryetarit të vendit.

“Hileja“ e dytë e Thaçit lidhet me raportet e tij me ndërkombëtarët. Kursit politik të fortë të tij e të PDK-së, kundrejt ndërkombëtarëve (është e njohur “JO“-ja e fortë e Thaçit, në pjesën e parë të Konferencës së Rambujesë, pastaj, “JO“-ja e fortë e tij dhe e PDK-së, Kornizës Kushtetuese të Kosovës, etj.), Thaçi ia ndërroi drejtimin, po ashtu për 180 shkallë , dhe e ktheu në kurs – të butë, të dëgjueshëm, nënshtrues kundrejt tyre. Në frymën e kursit të ri, ai u pajtua me marrëveshjet e njohura Kosovë-Mali i Zi, Kosovë-Serbi, etj.

“Hileja“ e tretë e Thaçit kishte të bënte me ndërrimin, për 180 shkallë, edhe të kursit ideologjik të PDK-së. Bindjeve politike majtiste, me të cilat shquheshin pjesa dërrmuese e njerëzit e PDK-së, ai ua ndërroi drejtimin dhe i ktheu kah bindjet politike djathtiste, – kursi aktual zyrtar ideologjik i PDK-së. E “hile“ të tjera.

Këto ndërrime kaq radikale të kursit politik të Thaçit, për çudi dhe si për ironi, nuk shkaktuan ndarje apo përçarje ndërmjet liderëve të klaneve, brenda PDK-së, madje, nuk sollën as kundërshtime të zëshme brenda strukturës heterogjene të saj.
Përçarjet dhe përplasjet ndërmjet liderëve të njohur të klaneve në PDK, që çuan në ndarjen e saj, sikurse edhe në LDK, nuk lidheshin me ndërrimin e kursit, a me çështje të tjera të mëdha të partisë, por me interesimin e madh të liderëve të klaneve, brenda partisë, për t’i siguruar pozitat drejtuese-dominuese në PDK.
Përçarjet në PDK, sikurse edhe në LDK, shpërthyer në prag, ose gjatë kuvendeve zgjedhore të partisë, në nivelin e degëve dhe në nivelin qendror, – atëherë kur liderët e tyre shtyheshin në brryla, për të zënë pozita drejtuese-dominuese në parti, ose për t’u kandiduar për pozita të larta, në institucionet shtetërore të vendit.

Krejtësisht si Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Nexhat Daci, e liderë të tjerë, në nivelin qendror dhe në nivelet komunale, në rastin LDK, – edhe Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi, e liderë të tjerë, në nivelin qendror dhe në nivelet komunale, në rastin PDK, – në pamundësi për t’i siguruar pozitat e lakmueshme, në parti dhe në institucione shtetërore të vendit, – e kanë braktisur PDK-në dhe, ia kanë nisur (Nisma) “për“ Kosovën, me shpresën për t’i përmbushur lakmitë e tyre për pushtet.

(VAZHDON me LVV-në)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!