LVV-ja, LDK-ja dhe PDK-ja. NJË KRAHASIM I SHKURTËR (III) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
8 °C

LVV-ja, LDK-ja dhe PDK-ja. NJË KRAHASIM I SHKURTËR (III)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

18:54 | 11 Shkurt 2018

Fitorja, në përmasa të mëdha, e LVV-së, në Zgjedhjet 2017, i zgjoi dhe i nxori në sipërfaqe ambicjet e papërmbajtura për pushtet, të fjetura ose të heshtura deri në atë kohë, brenda LVV-së, që çuan në ndarjen e liderëve kryesorë të saj, në dysh: në ruajtësit e pushtetit, Kurti e përkrahësit e tij, në njërën anë, dhe në pretenduesit për marrjen e pushtetit në LVV, – të dorëhequrit, ose të pakënaqurit e saj, në anën tjetër.

Në vend që të ishte fat i mirë për Kosovën dhe për qytetarët e saj, siç kishin thënë, në vazhdimësi, aktivistët e LVV-së, por dhe siç kishte pritur edhe pjesa dërrmuese e zgjedhësve në Kosovë, që e kishin votuar LVV-në, në ato zgjedhje, – fitorja e LVV-së u shndërrua në fatalitet për vetë LVV-në.
*****
Në kohën kur doli në skenë Lëvizja Vetëvendosje (LVV), në Kosovë nuk kishte ndodhur asnjë thyerje, as e madhe as e re (si në rastin LDK, kur pluralizmi partiak po e zëvendësonte monizmin komunist, dhe në rastin PDK, kur Kosova ishte e çliruar nga okupimi serb), që do të ishte në favor të krijimit të një partie të re politike (Teoria e situatave).
Kur ishte themeluar LDK-ja, siç është thënë më sipër, – skena politike në Kosovë ishte krejtësisht e zbrazët. Lidhja Komuniste, partia-shtet e asaj kohe, ishte në shpërbërje-tërheqje e sipër. Ndërsa, kur ishte themeluar PDK-ja, – skena politike në Kosovë ishte gjysmë e zbrazët. Gjysma tjetër e saj ishte e mbushur nga LDK-ja.

Kur doli në skenë LVV-ja, hapësira politike në Kosovë, ishte e mbushur me dy parti të mëdha, me identitet të qartë dhe të fortë ideo-pilitik. PDK-ja e kishte mbushur polin e majtë të saj, ndërsa LDK-ja, – të djathtin. Në mes tyre, në qendër, kishte hyrë furishëm AAK-ja, ndërkaq, mbi 30 parti të tjera, përpiqeshin të rreshtoheshin diku, përbri ose nën hijen e partive të mëdha.
Kjo ishte, natyrisht, sfidë e madhe për LVV-në, por jo e vetmja, as më e madhja. Sfidë e madhe për LVV-në ishin edhe liderët e partive të tjera (Teoria e liderit), në Kosovë. Madje edhe ndërkombëtarët.

Lideri i LDK-së, dr. Rugova, qysh para luftës, ishte bërë figurë e njohur ndër shqiptarët, në saje të një paraqitjeje të denjë, në një mbledhje të shkrimtarëve të Jugosllavisë dhe, pas saj, me një intervistë në një të përjavshme gjermene.
Ai, pastaj, si kryetar i zgjedhur i LDK-së dhe me një politikë të moderuar, të butë e paqësore kundrejt Serbisë – ishte bërë lideri kryesor shqiptar, pothuaj, më i njohuri dhe më i pranuari, nga vendorët dhe nga ndërkombëtarët.

Hashim Thaçi, deri në shpërthimin e luftës në Kosovë, mund të ketë qenë i njohur brenda qarqeve të ilegales shqiptare, madje edhe brenda qarqeve të shërbimeve të huaja sekrete, po jo në opinionin e gjerë shqiptar. Si lider shqiptar, ai u fuqizua dhe u imponua gjatë luftës së UÇK-së kundër Serbisë.

Si shef i Delegacionit shqiptar në Konferencën e Rambujesë, duke e lënë nën hije edhe të parin e LDK-së; pastaj, pas luftës, si shef i PDK-së, – Thaçi kishte filluar të dukej si alternativë reale e dr. Rugovës. Brenda një kohe të shkurtër, ai arriti të bëhej një lider tjetër shqiptar, i njohur dhe i pranuar nga një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve dhe nga ndërkombëtarët, pa të cilin, pavarësisht në opozitë apo në pushtet, – nuk mund të vendosej asgjë, në Kosovë dhe për Kosovën.

Albin Kurti, para se të bëhej lider i LVV-së, njihej si njëri nga liderët e studentëve, që kishin organizuar një demonstratë masive kundër Serbisë (1996), pastaj, bashkë me Adem Demaçin, njihej si zëdhënës i UÇK-së, dhe në fund, u bë i njohur edhe me një intervistë dinjitoze, nga një burg i Serbisë, ku po mbahej peng, si rob lufte.
Pra, në kohën kur doli në skenë LVV-ja, Kurti ishte larg famës së dy liderëve kryesorë, dr. Rugovës e Thaçit, që kishin vendosur dhe nënshkruar fatet historike të Kosovës.
*****
Lëvizja Vetëvendosje, që nga formimi i kishte sfiduar, ose, më drejtë, ajo ishte formuar për t’i sfiduar, ashpër e pakompromis, një mal kundërshtarësh të fortë të saj, (që ishin në pushtet e po e vendosnin, fatin e Kosovës së pasluftës): PDK-në, LDK-në, AAK-në Qeverinë Thaçi, Qeverinë Mustafa, pastaj UNMIK-un, EULEX-in, zyrat e ambasadave në Prishtinë.
Dhe, sikur të mos mjaftonin gjithë këta kundërshtarë, krahas tyre, kundër vetëvendosjes u rreshtuan edhe pjesa më e madhe dhe më me ndikim e mediave dhe e shoqërisë civile, në Kosovë.
Me këto synime dhe me kaq shumë kundërshtarë, marrja e pushtetit nga LVV-ja, si grupim i vogël, në formim e sipër, dukej e pamundur. Në LVV, prandaj, nuk kishte aderime në masë, të njerëzve të gatshëm për pushtet dhe për përfitime prej tij, si në rastet LDK dhe PDK.

Në LVV aderuan, kryesisht, njerëz të rinj, “luftarakë“, sakrifikues, të gatshëm për përballje, madje edhe për “përleshje“ me “bajlozat“ e keqnjohur të paraluftës e të pasluftës, që ia kishin bërë gjëmën Kosovës dhe që dominonin në skenën politike të saj.
Aderimet në LVV, të disa njerëzve në moshë, si disa ish të burgosur politikë dhe i disa të tjerëve, që, për një arsye a për një tjetër, i kishin braktisur grupimet e tyre dhe ishin kyçur në LVV, megjithëqë minor në rastin LVV, – ishte dukuri e njohur në skenën politike, në Kosovë. Ndërkaq, për dallim prej tyre, aderimi i Shpend Ahmetit me grupin e tij në LVV, duket rast krejtësisht i veçantë.

Shpend Ahmeti, siç dihet, me një grup të njohurish të tij, e kishin formuar një parti të re, Fryma e Re (FeR), në të njëjtën kohë, kur edhe LVV-ja kishte vendosur të merrte pjesë në zgjedhjet e radhës në vend.

Gjatë fushatës zgjedhore, LVV-ja ishte tërësisht LVV, pra ashtu siç është e njohur në opinion. FeR-i, ndërkaq, shpalosi një program zgjedhor dhe një frymë tjetër, qytetare, krejtësisht të ndryshme me atë të LVV-së, në ato zgjedhje. Madje, në debate zgjedhore, vetë Shpend Ahmet deklaronte se FeR-i, në thelb, ishte e kundërta e LVV-së.

Sa larg nga njëra-tjetra ishin LVV-ja dhe Fryma, dëshmon edhe qëndrimi i Ambasadës Amerikane ndaj tyre. Ajo, siç dihet, në atë kohë, kishte dalë haptas në përkrahje të FeR-it, pa ngurruar të merrte pjesë edhe në ndonjë takim zgjedhor të tij, ndërkohë që nuk kishte marrë pjesë në asnjë takim zgjedhor të LVV-së, as dënjonte të takohej me liderët e saj.

Pastaj, Ahmeti me një pjesë të FeR-it të tij, pasi nuk e kishin kaluar pragun zgjedhor, kishin aderuar në LVV, pra në partinë, me të cilën e ndanin, jo dallime të papërfillshme, por dallime aq të mëdha sa, siç kishin thënë vetë Ahmeti, ajo ishte e “kundërta“ e FeR-it të tyre.
Rrjedhimisht, aderimi i FeR-istëve, – i një parti me orientim programor qytetar dhe me përkrahje amerikane, në LVV, – në një parti me orientim programor nacional dhe pa përkrahjen amerikane, përveç që ishte jo “fair“, është edhe enigmatik.
*****
Vetëvendosja, në fillim si lëvizje qytetare dhe, pastaj, edhe si parti, krahas me aktivitetet verbale politike, – është rritur me organizimin e aksioneve konkrete në terren, në fillim fare të vogla dhe simbolike.
Vëzhguesve të zhvillimeve në Kosovë, por as kalimtarëve të rastit, nuk kanë mundur t’u ikin, atëherë nga vëmendja, as tash nga kujtesa, pamjet (deri në atë kohë të panjohura në Kosovë), herë në një qytet, herë në tjetrin, – të një gomari, të ngarkuar me një pako të madhe, me mbishkrimin „PAKOJA E AHTISARIT“.
Dy-tre aktivistë të LVV-së, përbri gomarit, herë njëri-herë tjetri, i folnin një grupi të vogël qytetarësh, kryesisht fëmijë, – për dëmet e Pakos së Ahtisarit për Kosovën dhe për qëndrimin kundërshtues të LVV-së, kundrejt asaj pakoje, në përgjithësi, dhe kundër decentralizimit, që ofronte ajo, në veçanti.

Me aksione të tjera, si kjo, pastaj, me përmbysjen e veturave të UNMIK-u dhe të EULEX-it; me sulmet me domate dhe me vezë të prishura ndaj negociatorëve shqiptarë; me hedhjen e ngjyrës së kuqe dhe mjeteve të forta, në ndërtesën e qeverisë; me hedhjen e gazit lotësjellës në sallën e kuvendit; me protesta, gjithnjë në rritje, në Prishtinë dhe jashtë saj, deri në kufirin me Serbinë, në kulmin e acarit, kundër Pakos së Ahtisarit, kundër decentralizimit, kundër negociatave me Serbinë, kundër hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, etj. – LVV-ja, duke i lënë prapa dy partitë më të mëdha, PDK-në dhe LDK-në, – në Zgjedhjet 2017, arriti të bëhej partia më e madhe në vend.
*****
Rritja dhe suksesi, në përmasa aq të mëdha, i LVV-së, në Zgjedhjet 2017 dhe, rrjedhimisht, forcimi i pozitave dhe faktorizimi i saj, sidomos në raport me PDK-në dhe me LDK-në, i zgjuan dhe i nxorën në sipërfaqe ambicjet e papërmbajtura për pushtet, të fjetura ose të heshtura deri në atë kohë, që çuan në ndarjen në dysh, të liderëve kryesorë të LVV-së: Kurti e përkrahësit e tij – ruajtës të pushtetit, në njërën anë, dhe të dorëhequrit, ose të pakënaqurit – pretendues për marrjen pushtetit në LVV, në anën tjetër.
Arsyet për dorëheqje nga LVV-ja , të pakënaqurit e saj po i lidhin, të paktën deri tash, jo me qasje të ndryshme a të kundërta për çështje të mëdha, brenda LVV-së, por vetëm me Kurtin. Sipas tyre, me pak fjalë, Kurti është autokrat dhe autoritar; është kërcënues fizik për grupin e të dorëhequrve; është rrezik për Kosovën(!).

Megjithëqë grup reletivisht i madh, por edhe me ambicje të mëdha e të papërmbajtura për pushtet, të dorëhequrit e LVV-së, si duket, jo të pasigurt, por të bindur që, në zgjedhje të partisë, nuk mund të fitonë kundër Kurtit, publikisht e kanë kushtëzuar kthimin e tyre në LVV, me – moskandidimin e Kurtit për kryetar të partisë(!).

Albin Kurti, nga ana tjetër, ka pranuar se në LVV ka luftë për pushtet, por, si duket komod dhe i sigurt në fitoren e tij, iu ka bërë thirrje publike të dorëhequrve, të kthehen në Kryesi dhe, me platformat e tyre të garojnë “fare“, për kryetar të ri të LVV-së.
Fitorja në ato përmasa e LVV-së në Zgjedhjet 2017, në vend që të ishte fat i mirë për Kosovën dhe për qytetarët e saj, siç kishin thënë, në vazhdimësi, vetë aktivistët e LVV-së, por dhe siç kishte pritur edhe pjesa dërrmuese e zgjedhësve, që e kishin votuar LVV-në, në ato zgjedhje, – ajo u shndërrua në fatalitet për vetë LVV-në.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!