Mbi aktin e tretë të paraljmëruar të bisedimeve kosovaro-serbe, rrethanat dhe prapaskenat e tij – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
16 °C

Mbi aktin e tretë të paraljmëruar të bisedimeve kosovaro-serbe, rrethanat dhe prapaskenat e tij

Shkruar nga: Arsim Kastrati

12:24 | 25 Korrik 2018

Prej asaj dite të fillpasluftës së fundit në Kosovë kur ushtarët e KFOR-it francez vendosën telat me
gjemba mbi urën e Ibrit, qyteti i Mitrovicës dhe pjesa veriore e Kosovës ishin të ndara prej pjesës tjetër
të vendit tonë dhe shumica e banorëve të Kosovës e di mirë se si kanë rrjedhur ngjarjet nga ajo ditë e
këtej në veri, matanë lumit Ibër.

Të vetmet elemente aktuale /përpos vijës kufitare të ditur kahmoti/ që e bëjnë veriun e Kosovës të
duket si pjesë pjesë e saj, kanë derivuar nga bisedimet e Brukselit dhe ato janë: pikat doganore, policia,
pjesët e sistemit gjyqësor dhe prokurorial , të cilat jo që bëjnë kushedi se çfarë pune, por vetëm fakti që
veprojnë nën ombrellën e institucioneve të Republikës së Kosovës , bënë që këtij territori t’i vije pak era
Kosovë.

Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që dialogu i Brukselit ka qenë së tepërmi i dobishëm për ne,
përkundrazi nga ai ka përfituar Serbia më tepër, por në anën tjetër sfida e Kosovës ishte dhe vazhdon të
jetë e rëndë, dhe kjo ka të bëjë me integrimin në tërësinë e saj të kësaj pjese problematike e të dalë
dore.

Kjo për faktin që ky territor nuk u çlirua asnjëherë nga okupacioni i Serbisë dhe në të cilin kjo e fundit
edhe sot e tutje vazhdon të ketë ndikim më shumë se sa Republika e Kosovës pjesë e së cilës është.

Duke e patur këtë parasyshë si dhe ndryshimet dramatike në skenën politike ndërkombëtare, të cilat
kohëve të fundit i kanë shkuar për shtati nacionalizmit serb në Ballkan, nuk është e vështirë që të
paramendohen sfidat dhe problemet me të cilat është ballafaquar dhe do të ballafaqohet Republika e
Kosovës gjatë procesit të bisedimeve me Serbinë.

Këto ndryshime në politikën ndërkombëtare, kanë të bëjnë me krizën më të thellë të BE-së që nga
themelimi i saj e këtej, pastaj me fuqizimin e rolit të Kinës dhe Rusisë si superfuqi botërore si dhe
mosmarrveshjet e tyre me SHBA-të, roli i të cilave deri para pak kohe ishte unikal dhe i pasfiduar në
arenën gjeopolitike botërore.

Për interesat e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi është brengosës fakti i involvimit gjithnjë
e më të madh të Rusisë në qështjet e pazgjidhura politike të Ballkanit perëndimor.

Larg zërave naiv që klithin kundër dialogut, ai do të vazhdojë nëse për të janë fuqitë botërore të
angazhuara rreth tij, por edhe nëse ai dështon për shkak të rolit eventual sabotues të Rusisë dhe
Serbisë, prap se prap kjo e fundit do ta vazhdoj dialogun sa për sy e faqe, duke iu lutur Zotit ndërkohë,
që fajet për dështimin e tij t’i atribuohen Kosovës dhe Shqiptarëve të saj.

Kur të fortët thërrasin në bisedime nuk është mençuri të thuhet – jo dhe as ‘ jo sot po nesër’ për më
tepër që është në interesin tonë të shkojmë edhe atë të përgaditur mirë!

Zhvillimet e rëndësishme politike që kanë të bëjnë me integritetin dhe sovranitetin shtetëror nuk janë
ekskluzivitete qeveritare, partiake apo personale, ato janë qështje madhore nacionale dhe kërkojnë
konsensus politik të atillë sikur që e kishim në bisedimet Rambujesë dhe të Vjenës!

Nuk ka nevojë të shpiket “uji I vakët”, por ashtu si kemi shkuar në bisedimet e Vjenës ashtu duhet të
shkojmë edhe në Bruksel, dhe në këtë proces as nuk është mirë që spektri politik qeveritar dhe
presidenti të shkojnë pa opozitën dhe as nuk bënë që opozita të vendos kushte karshi presidentit apo
partive qeveritare!

Nuk duhet ushqyer shpresa se në fundin e procesit dialogues të gjitha dëshirat e Kosovës do të
plotësohen kurse ato të Serbisë të gjitha do të rrefuzohen – “ asnjëra palë nuk do të lumturohet!”
deklaroi paradokohe ambasadori i SHBA-ve në Beograd, ashtu sikur që janë shprehur edhe diplomatë të
tjerë ndërkombëtar, ashtu sikur që janë shprehur disa herë edhe Aleksandar Vuqiqi dhe Hashim Thaqi,
kryenegociatorët aktual të këtij procesi maratonik dialoguues të lehtësuar nga BE-ja.

Askush nuk është mirë të shmanget vet e as të përpiqet t’i mënjanoj të tjerët nga ky proces tejet i
rëndësishëm, rezultati final i të cilit në pjesën më të madhe varet më shumë nga faktorët ndërkombëtar
të angazhuar rreth tij e më pak nga palët e ballafaquara në të. Ajo që varet nga ne mund të ndreçet apo të prishet varësisht nga cilësia e ekipës negociatore dhe nga gjendja e shtetit në ndërkohë.

E cilësia e ekipës negociatore ndërkaq varet nga konsensusi paraprak politik, përvoja dialoguese e
anëtarëve politik si dhe nga kontributi i ekspertëve të fushave relevante për procese të tilla negociatore.
Është e vërtetë se po të kishim institucione shtetërore me më shumë legjitimitet politik se sa që i kemi
tani do të ishte më mirë edhe për procesin negociator, por pjesmarja në negociata nuk do të duhej të
kushtëzohej me ate se kush është në opozitë e kush në qeveri, pastaj edhe po të pranonte faktori
ndërkombëtar që dialogu të ndërpritet për shkak të zgjedhjeve parlamentare eventuale të cilat po i
kërkon një pjesë e opozitës kosovare, gjë që është e vështirë të besohet, pasi që kjo jo vetëm që do të
mund të shkaktonte vonesa të pa parashikueshme në formimin e institucioneve pas zgjedhore, por edhe
legjitimiteti i tyre përsëri do të mund të kontestohej nga opozita cilado qoftë ajo, për më tepër që
institucioneve aktuale të BE-së po u ngutet me dialogun serbo-kosovar për shkak të zgjedhjeve të tyre
që po afrojnë.

Edhe pse është e dëshirueshme që të shmanget diskursi dramatik mbi këto zhvillime politike, një gjë
besoj duhet thënë, se në proceset dialoguese të deritanishme me Serbinë, ne nuk kemi pasur dhe besoj
nuk do të kemi në radhët tona negociatore, politikan apo ekspert të cilët kanë punuar apo do të punojnë
kundër interesave të shtetit tonë.

Nëse Serbia ka përfituar më tepër prej dialogut në Bruksel, kjo ka ndodhur, jo pse negociatorët e tyre
ishin më të përgaditur dhe as pse elita e tyre aktuale politike është më e mirë se sa ajo kosovare, por pse
rrethanat e politikës botërore tash e një kohë janë të tilla që e favorizojnë pozicionin politik të Sebisë në
raport me Kosovën e në këtë drejtim nuk kanë munguar as vonesat dhe gabimet e politikës tonë.

Kosova është çliruar në saj të bashkrënditjes politike me SHBA-të dhe Europën dhe në atë drejtim edhe
ka vazhduar me proceset e shtetformimit dhe të integrimit të saj në NATO dhe BE, anëtare e të cilave
synon të bëhet, dhe po në këtë rrugë edhe pritet që të vazhdoj duke i marr për bazë këshillat e SHBA-ve
dhe vendeve mike europiane, duke marr pjesë në procese e jo duke u zmbrapsur nga to pavarësisht se
sa sfiduese dhe të vështira duken, me mirkuptim brendanacional dhe pa vonesa të panevojshme të cilat
mund të shkaktojnë dëme afatgjata dhe vështirë të riparueshme.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!