Mbrojtja e kundërshton vendimin e EULEX-it që të dënohet Granit Elshani – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Mbrojtja e kundërshton vendimin e EULEX-it që të dënohet Granit Elshani

18:12 | 25 Maj 2018

Shqyrtimi gjyqësor ndaj Granit Elshanit ka përfunduar gjatë seancës se sotme, pas dhënies se fjalës përfundimtare nga palët në procedurë, kurse trupi gjykues bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit do bëhet me 30 maj.

Anëtari i familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, Graniti, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se më 2 janar të vitit 2010 ishte futur në diskotekën “City Club” në Pejë me qëllim për ta privuar nga jeta për motive të hakmarrjes anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin.

Si pasojë e këtyre të shtënave që ndodhën natën e dytë të vitit 2010 në ketë diskotekë të Pejës u vra një person dhe u plagosen tre të tjerë, ndër ta edhe Valdet Kelmendi.

Fillimisht fjalën përfundimtare e dha prokurori i EULEX-it, Chars Helehd, i cili në këtë seancë zëvendësoi prokurorin e rastit, Andrew Hughes.

Fjala përfundimtare e përpiluar nga prokuroria u lexua në gjuhën shqipe nga përkthyesit, ku ndër të tjera u tha se Granit Elshani duhet shpallur fajtor si autor i vrasjes se Besart Shabit dhe plagosjen e tre personave tjerë.

Tutje, sipas fjalës përfundimtare të prokurorit të EULEX-it, ka prova të mjaftueshme që argumentojnë fajësinë e Elshanit për incidentin e ndodhur natën e 2 janarit të vitit 2010.

Prokurori i EULEX-it kërkoi nga trupi gjykues që Granit Elshanin ta shpallë fajtor dhe ta gjykojë atë me dënimin maksimal.

Në anën tjetër, mbrojta gjatë fjalës përfundimtare tha se aktakuza ishte ngritur në bazë të paragjykimeve e jo të provave.

Avokati i parë i Granit Elshanit, Ndrec Dodaj, tha se i mbrojturi i tij duhet të shfajësohet nga akuzat sepse, sipas tij, as në aktakuzë e as gjatë shqyrtimi gjyqësor nuk është vërtetuar me ndonjë provë fajësia e tij.

Dodaj tha se asnjë nga dëshmitarët okular nuk e kanë identifikuar Granit Elshanin si person që kishte shtënë me armë brenda lokalit në drejtim të Valdet Kelmendit dhe Besart Shabit.

Ai po ashtu kërkoi nga trupi gjykues që mos t’i falet besimi deklaratës se Xhevdet Kelmendit, i cili kishte deklaruar para trupit gjykues se Granit Elshani ishte personi që kishte shtënë me armë natën e 2 janarit të vitit 2010 në diskotekën “City Club”.

Kurse avokati i dytë i Granit Elshanit, Bujar Berdynaj, tha se aktakuza është ngritur në bazë të pohimit e jo të provave, dhe se prokuroria nuk ka mundur ta vërtetojë asnjë pohim.

Trupi gjykues tha se shqyrtimi gjyqësor i këtij rasti ka përfunduar dhe se shpallja e aktgjykimit do bëhet me 30 maj të këtij vitit.

Sipas aktakuzës të ngritur ndaj Granit Elshanit për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte qenë Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti. Raportimet mund t’i lexoni në këtë link.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!