Mësohet se çfarë tha zyrtari i SHBA-së për Kosovën në Beograd – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Mësohet se çfarë tha zyrtari i SHBA-së për Kosovën në Beograd

19:35 | 14 Mars 2018

Ndihmës-sekretari i shtetit amerikan, Wess Mitchell, në Beograd, ka deklaruar se Kosova ka të drejtë të formojë forcën profesionale, e cila do të merret me sigurinë dhe se një gjë e tillë nuk do të ishte kurrfarë kërcënimi për Serbinë dhe serbët. Ai tha se SHBA-ja është e përkushtuar ndaj stabilitetit në rajon dhe integritetit evropian të Ballkanit, raporton KTV .

Ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Wess Mitchel, u ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë që të përmbushin obligimet nga Marrëveshja e Brukselit.

Përveç kësaj, gjatë qëndrimit në Serbi, Mitchell tha se Kosova ka të drejtë që ta formojë ushtrinë që do të merrej me siguri dhe se ky nuk do të ishte kurrfarë kërcënimi për Serbinë dhe serbët.

“Në të gjitha bisedimet e mia në Prishtinë, theksova qëndrimin e SHBA-së lidhur me ushtrinë e Kosovës dhe ne e përkrahim të drejtën e Kosovës për të themeluar ushtrinë, në të cilën do të përfshiheshin edhe serbët e Kosovës. Natyrisht, Kosova nuk mund ta marrë këtë vendim në mënyrë arbitrare por duhen ndryshimet kushtetuese për këtë. FKS-ja është forcë multietnike dhe deri tash ka bërë punë të mirë, andaj për Serbinë nuk ka rrezik.

Mitchell shtoi se ai dhe presidenti Vuçiq patën bisedë të hapur, ku u diskutua edhe për sigurinë e rajonit dhe bashkëpunimit ekonomik.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pas takimit, deklaroi se biseda me amerikanin ishte e rëndësishme për raportet mes Serbisë dhe SHBA-së.

“Me rëndësi është që Mitchell, për dallim nga të tjerët, nuk deshi vetëm të dëgjonte por edhe të kuptonte. Ia shpalosa qëndrimet tona sa i përket pavarësisë së Kosovës,” tha mes tjerash Vuçiq.

Sipas tij, Serbia dhe SHBA-ja nuk pajtohen rreth Forcave të Sigurisë në Kosovë por pajtohen për paqe dhe dialog në Bruksel. Vuçiq shtoi se duhet gjetur aktin ndërkombëtar, sipas të cilit, lejohet formimi i ushtrisë së Kosovës.

“E dimë që Kosova është pengesa më e madhe, andaj Serbia është e gatshme të diskutojë për kompromiset e mundshme. Megjithatë, sado e vogël që është, Serbia edhe për fuqitë botërore është e rëndësishme dhe mund të pranojmë vetëm zgjidhjen e kompromisit”.

Ai shtoi se Serbia ka pranuar çdo aspekt të Marrëveshjes së Brukselit, për dallim nga kosovarët, që e kishin vetëm Asociacionin e Komunave Serbe dhe këtë nuk e realizuan.

Ai e falënderoi amerikanin që gjatë qëndrimit në Prishtinë e përmendi këtë por shtoi se është i bindur që nga kjo punë nuk ka asgjë, sepse po të donin kosovarët, do ta kryenin këtë që 5 vjet”.

Kjo ishte vizita e parë e Mitchellit në Ballkan që nga marrja e postit në muajin dhjetor të vitit të shkuar.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!