Ministri Beqaj konsulent në biznesin e babait – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
3 °C

Ministri Beqaj konsulent në biznesin e babait

13:36 | 27 Gusht 2018

Gjimnazi “Cambridge” në Pejë është pronë e Jakup Beqajt, babait të ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, në të cilin ministri jep këshilla në fushën e edukimit. Beqaj për këshillat në biznesin e babait realizon të hyra vjetore rrafsh 12 mijë euro.

Shkruan: Agon Sinanaj

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, krahas pozitës së ministrit, del të jetë goxha i angazhuar në bizneset familjare. Kompania private MCD, ku pronare është gruaja e tij Yllka Beqaj, nuk është biznesi i vetëm familjar në të cilin Beqaj jep këshilla.

ORAinfo ka gjetur se edhe gjimnazi “Cambridge” në Pejë është pronë e familjes Beqaj. Aty pronar është Jakup Beqaj, babai i Besim Beqajt.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), si pronar i vetëm figuron emri i Jakup Beqajt. Ky i fundit është babai i ministrit.

Këtë për ORAinfo e ka konfirmuar Florim Beqaj, i cili është përgjigjur në numrin zyrtar të biznesit të lënë në ARBK.

“Po, Jakupi është babai i Besimit”, ka konfirmuar ai.

Angazhimin në “Cambridge”, Beqaj e ka deklaruar edhe në formularët e deklarimit te pasurisë në Agjencinë Anti-Korrupsion, por nuk ka treguar se pronar është babai i tij. Aty ai ka deklaruar se në Cambridge është “konsulent” në fushën e edukimit.

Mijëra euro në vit nga biznesi i babait

Në Agjencinë Anti-Korrupsion, ministri Beqaj ka deklaruar se për shkak të angazhimit si konsulent në “Cambridge”, realizon të hyra vjetore rrafsh 12 mijë euro.

Por nga familja Beqaj janë gjithsej katër persona që marrin rrogë në “Cambridge”.

Përveç ministrit, aty është e angazhuar edhe bashkëshortja e tij, Yllka Beqaj, e cila realizon të hyra vjetore 18 mijë euro, krahas 6 mijë euro tjera që i merr në biznesin tjetër ku është pronare, kompaninë e marketingut MCD.

Pagë në formë të pensionit në “Cambridge” marrin edhe prindërit e ministrit.

Sipas asaj që ka deklaruar në formularët e deklarimit të pasurisë, njëri prind realizon të hyra nga gjimnazi në vlerë 11 mijë e 400 euro në vit, kurse prindi tjetër 9 mijë e 400 euro.

Konsulenca e fshehtë e Beqajt në biznesin e gruas

ORAinfo pati raportuar më parë për një konsulencë tjetër të ministrit Beqaj në biznesin e gruas, kompaninë private MCD. Emri i ministrit Beqaj kishte figuruar si konsulent në uebsajtin e kësaj kompanie deri me 7 maj 2018, por është fshirë një ditë pasi gazeta Orainfo pati dërguar pyetje në ministri.

ORAinfo ka siguruar të gjitha dëshmitë për lidhjet e Beqajt me këtë kompani, si dhe postin që ai ka ushtruar aty përgjatë viteve.

“Këshilltar për hulumtime dhe trajnime”, është përshkrimi i pozitës së Beqajt, në uebsajtin zyrtar të kompanisë, i cili është fshirë pas interesimit të portalit për rastin. Saktësisht ky veprim nga ana e kompanisë ka ndodhur me datën 8 maj 2018, një ditë pasi gazeta i është drejtuar me pyetje.

Por ORAinfo i posedon dokumentet, së bashku me datën dhe vitin, deri kur ministri Beqaj ka ushtruar funksion në MCD.

Saktësisht, emri i Beqajt ka figuruar si konsulent në këtë kompani deri në muajin maj të këtij viti. Ndërkohë pozitën e ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Beqaj e ka marrë në tetor të vitit të kaluar. /ORAinfo/

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!