Ministri Lluka mban premtimin, “Trepça” behet me Bord – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
14 °C

Ministri Lluka mban premtimin, “Trepça” behet me Bord

12:49 | 04 Prill 2018

Ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka i kanë dal fjalët e premtuara. Trepca është bërë me anëtarë të Bordit mbikëqyrës, në javën e parë të muajit Prill.

Këtë premtim ministri Lluka e pati dhënë në fillim të muajit Mars. “Unë besoj që nëse ne arrijmë që ta finalizojmë bordin në javën e parë të muajit prill”, pati deklaruar Lluka më 12 Mars gjatë raportimit të tij para anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal lidhur me gjendjen në ndërmarrjen “Trepça”.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt ka miratuar propozimin e Komisionit Rekomandues për emërimin e anëtarëve të bordit mbikëqyrës të Trepçës i përberë prej gjashtë anëtarëve. Anëtarët e përzgjedhur janë: Esat Peci, Feriz Fetahu, Xhafer Nuhi, Shyqeri Sadiku, Ardian Syla dhe Naser Peci.

Situatës së rëndë në gjigantin metalurgjik “Trepça” pritet t’i jepet epilog deri në fund të muajit Prill kur pritet edhe të regjistrohet si shoqëri aksionare.

Lluka ka paralajmëruar se në muajin prill “Trepça” do të regjistrohet si shoqëri aksionare e deri në fund të vitit të ketë edhe investitorin e parë.

“‘Trepçën’ në momentin kur kemi ardhur e kemi gjetur në një status të pazgjidhur dhe në dhjetor kemi filluar procesin e shpalljes së rekrutimit për Bordin e ‘Trepçës’. Për të ndihmuar këtë ndërmarrje ne kemi themeluar një grup të ekspertëve ligjorë që kanë draftuar një draft statut të ‘Trepçës’ për t’i ndihmuar bordit që vjen ta kenë një material të gatshëm dhe pastaj bordi e rishikon, jep vlerësime dhe mund ta kalojë për ta regjistruar atë si shoqëri aksionare”, ka thënë Lluka i cili pret që regjistrimi të ndodh brenda muajit Prill.

Se a do të mund të mbaj edhe premtimin e dytë se Trepca do të regjistrohet si shoqëri aksionare pritet të shihet deri në fund të këtij muaji, ndonëse ky proces tani e tutje varet nga Bordi i ri.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!