Ministri Rikallo e kthen në punë kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
3 °C

Ministri Rikallo e kthen në punë kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë

19:36 | 07 Nëntor 2018

Nenad Rikallo e ka rikthyer në punë drejtorin që nuk i dha grant gruas së tij.

Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo, është sprapsur nga vendimi i mëhershëm për suspendim nga puna pa pagesë të kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (ABZH), Elhami Hajdari.

Në vendimin e ri, thuhet se ministri Rikallo merr vendim për “shfuqizimin e vendimit për pezullim të parandaluar nga puna me pagesë e datës 8.5.2018”.

“Me këtë vendim shfuqizohet Vendimi për pezullim parandaluar nga puna me pagesë të datës 08.05.2018 për Elhami Hajdarin, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë…”, thuhet në vendim.

Ky shfuqizim i vendimit bëhet sipas vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 17.09.2018 dhe aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil.

“Elhami Hajdari kthehet në vendin e punës Kryeshef Ekzekutiv për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë… nga data 05 nëntor 2018 me të gjitha të drejtat dhe detyrat e përcaktuara sipas Vendimit numër 06.81 të datës 23.03.2016 duke bërë kompensimin e shumës së ndaluar të pagës në lartësi prej 50% nga data 08.05.2018 deri më 05.11.2018 sipas Ligjit për Shërbim Civil të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në vendimin e marrë nga Ministria e Bujqësisë, transmeton koha.net

Tutje thuhet se Ministria e Bujqësisë, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë dhe Divizioni për Buxhet dhe Financa, obligohen të zbatojnë këtë vendim.

Më 23 tetor 2018, ishte raportuar se Elhami Hajdari nuk ka mundur të kthehet në pozitën e kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (ABZH), pavarësisht se këtë e ka kërkuar një vendim i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, si dhe dy vendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ministri Nenad Rikallo asokohe ishte i vendosur të mos i zbatojë këto dokumente.

Vendimi i dytë i Themelores është përgjigje në një ankesë të Rikallos. Me të është refuzuar kërkesa e ministrit, për anulimin e një vendimi të së njëjtës gjykatë, lidhur me përmbarimin e vendimit të mëhershëm të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

E vendimi i Këshillit e shfuqizonte vendimin e Rikallos për pezullim nga puna të Hajdarit dhe kërkonte që ai të kthehej në pozitën e kryeshefit.

Më herët ishte raportuar se Hajdari ishte ndëshkuar pasi kishte refuzuar t’ia përcillte jashtëligjshëm mbi 80 mijë euro një biznesi me bazë në Prizren, me të cilin kishte raport afarist Biljana Rikallo, bashkëshorte e këtij ministri serb.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!