Ministria e Pal Lekajt nuk e di kur përfundon zgjerimi i rrugës në Veternik – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
2 °C

Ministria e Pal Lekajt nuk e di kur përfundon zgjerimi i rrugës në Veternik

21:41 | 04 Nëntor 2018

Rruga në dalje të Prishtinës në drejtim të Shkupt nuk ka të përfunduar.

Projekti për zgjerimin e rrugës me katër korsi në lagjen Veternik të Prishtinës, i nisur në vitin 2017, duket se nuk do të mund të përfundojë as gjatë këtij viti.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në maj të këtij viti, kishte premtuar se punimet e kësaj rruge do të përfundojnë brenda 55 ditësh.

Megjithatë, MI-ja dhe Komuna e Prishtinës, nuk e kanë ndonjë datë të saktë se kur do të finalizohet zgjerimi i rrugës.

Menaxheri i projektit nga zyra e Ministrisë së Infrastrukturës, Skender Canolli ka thënë se, e kanë të vështirë të japin një datë se kur saktësisht do të përfundojnë punimet.

“Sa i përket zgjerimit të rrugës Nacionale N2 Hyrja në qytetin e Prishtinës – Veternik LOT 1 (ana e majtë drejtimi Prishtinë-Veternik) kanë përfunduar të gjitha punimet dhe aty komunikacioni është duke u zhvilluar normal. Ndërsa LOT 2 (ana e djathtë drejtimi Prishtinë-Veternik) për shkak të gjendjes në terren ka vështirësi të mëdha gjatë ekzekutimit. Dinamika e zhvillimit të punimeve është më e ngadalshme. Si pasojë e kësaj për momentin është e vështirë të japim një datë të saktë për përfundimin e këtij LOT- i”, tha ai për kallxo.com.

Sipas Canollit, Ministria po bën përpjekje që projekti të përfundojë mirë, përderisa shtoi se janë thuajse në përfundimin e sezonit ndërtimor për këtë vit.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një konferencë për media është shprehur optimist se rruga do të përfundojë së shpejti.

“Për shkak se është rrugë magjistrale, është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës dhe e kemi diskutuar. Çështja kryesore është e urës, ku kemi pasur probleme me shembje të rrugës vazhdimisht. Ministria më ka informuar se po i shohin mundësitë e zgjidhjes së problemit edhe me KFOR-in për ta gjetur një, do të thosha, zgjidhje momentale për ta vendosur urën, derisa të bëhen riparimet e nevojshme”, tha Ahmeti.

I pari i Prishtinës e ka fajësuar qeverisjen e kaluar për gjendjen e tanishme të rrugës në Veternik.

“Herën e fundit ajo për shkak të një procesi elektoral në nivel qendror është shpejtuar për me u kry më shpejt, e kur të ngutesh për shkak të proceseve të zgjedhjeve… s’po foli më shumë, por ka shkaktuar shumë probleme të tjera, të cilat tash po mundohemi me i sanu dhe adresu bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës”, përfundoi Ahmeti.

Projekti 3 milionësh për zgjerimin e rrugës në hyrje të Prishtinës me tetë korsi ishte inauguruar me 18 prill të 2017-ës.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!