Misioni dhe destruksioni publik – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Misioni dhe destruksioni publik

Shkruar nga: Ibrahim Berisha

13:53 | 09 Gusht 2017

Demonizimi gjen rrënjët thellë në dhunë dhe në mbrojtjen e paligjshmërisë dhe të padrejtës si proces i krijimit dhe kryerjes së “misionit historik”.

Misioni politik fare lehtë mund të bartet në destruksion praktik të pakontrollueshëm. Pastaj në agresion të hapur, të njohur nga publiku si joformal, po në thelb, me elemente dhe agjensë të qartë formalë.

Misioni prihet nga para politikanët institucionalë, të cilët legjitimojnë dhunën publike duke privilegjuar „me dekorata oratorike“ të gjithë ata që duan të marrin pjesë në hakmarrje “të pakufizueshme historike”. Qëllimet janë “të shenjta” dhe të arsyetueshme se bëhen në emër të viktimës dhe të misionit. Kështu forcohet logjika e ndërtimit të ishujve me xhemba për t’i sanksionuar dhe demonizuar të gjitha alternativat, të gjithë ata që mendojnë izoluar sipërfaqes së moçalit.

Demonizimi gjen rrënjët thellë në dhunë dhe në mbrojtjen e paligjshmërisë dhe të padrejtës si proces i krijimit dhe kryerjes së “misionit historik”. Është kjo kulturë dhe arsimim publik? Po, vërtetë a duhet ende shumë kulturë dhe arsimim, këndellje për të kuptuar se të dy këto, kultura dhe arsimi, përveç si nënsisteme strukturore, janë edhe etikë e humanizëm.

Etikë, pse largojnë mendimin dhe praktikat për dhunë dhe dhimbje njerëzore duke përjashtuar përdorimin e pozitës së të fortit, në emër të më të fortit “pushtetit të popullit”, dalur “vullnetarisht” jashtë kontrollit “demokratik”. Etikë qytetare dhe jo etikë misionare.

Liria është e plotë, e pjesshme nuk mund të jetë. Liria intelektuale nuk është vetëm çështje e konkurrencës së tregut politik, pra kush sa duhet të ketë liri intelektuale, varësisht prej bindjeve të tij politike. Pjesa e vogël e saj nuk ekziston. Pjesa krijohet si një fiksion apo mashtrim. Si manipulim dhe mashtrim. Po mashtrimi dhe manipulimi janë të vështira për t’u vërejtur, veçmas në shoqëritë e tranzicionit, aq më tepër, në shoqëritë e krizës reale. Andaj, është koha e artë e “intelektualëve- ekstremistëve të vetëdeklaruar” (jo në kuptimin e ideve dhe emancipimeve), që në sociologjinë politike emërohen si “falsifikatorë të lindur”. Kështu i quan edhe Gjovani Sartori.

Ata kanë energji të madhe dhe, pak të thuhet, duan të jenë prijës të martirizuar që duhet të shtyjnë “popullin” në luftë kundër “anës tjetër”, kundër anës tjetër të popullit të keq, kuptohet, i cili nuk e ka pranuar detyrën “politike” të tyre. Gjithmonë për ata ekziston populli i mirë dhe populli i keq. Gjithmonë ekziston ana tjetër, ajo që është vërtetë tjetër dhe nuk mund të jetë anë “e jona”.

Sartori shkruan se intelektuali ekstremist lulëzon duke vjedhur idetë dhe praktikat e të tjerëve, duke i shitur ato pastaj të shtrembëruara si risi “heroike”, “patriotike”. Dhe fare në këtë kontekst, origjinaliteti i martirit dhe heroit të vetdeklaruar së paku dhe përkohësisht kështu, “qëndron te zhurma, te decibelët, te inflacioni i fjalëve, duke kthyer të vërtetat në të pavërteta”.

Manipuluesit nuk mashtrojnë, por janë të detyruar të mashtrojnë dhe mashtruesit nuk manipulojnë, por janë të detyruar të manipulojnë. Në realitetin e Kosovës, po në këtë rrjedhë, do të mund t’i shtohej vlerësimit të Sartorit se edhe e pavërteta është e vërtetë monumentale dhe e vërteta monumentale është e pavërtetë reale.

Shoqëria e krizës, jep një shans të madh për imponim, ngase mungesat e shumta, kompenzohen me mashtrime dhe manipulime të mëdha. Si institucion i mashtrimit dhe manipulimit shërben pikërisht inflacioni i fjalëve, edhe më keq, siç thuhet, inflacioni i fjalëve të vdekura, i fjalive të vdekura, i diskutimeve dhe shkrimeve të vdekura.

Inflacioni prek të gjitha; politikën, erotikën, historiken. Po me këtë rast kurrsesi nuk mund të bëhet fjalë për “mashtrimin funksional’, ngase shpesh, ky mashtrim mbetet brenda vetë individit apo subjektit, i cili edhe e krijon atë. Pakënaqësia shpërthen pikërisht atëherë kur edhe burimi inflator e kupton se asnjëri nga qëllimet që ka synuar, nuk është arritur. E kupton se fjala është vetëm për inflacionin e mosdijes. Opinioni kështu gjykon me një logjikë kritike, kur lihet i lirë të gjykojë, duke mos lejuar përzierjen e vlerave me jovlerat, të mirës me të keqen.

Pikërisht, pra, është fjala për misionarët si “ekstremistë dhe falsifikator të lindur”, të cilët, në shoqëritë e tranzicionit, bëhen ende më agresivë-misionarë. Agresiviteti i rikthyer në kërcënim verbal provon të kompensojë gjithë mungesat, të cilat nga shkaku i pamundësisë së mbulimit, si një brutalitet, mbrohen nga hija e formales.

Është fjala vetëm për “intelektualët”, që më shumë i japin vetës atributin e menduesit dhe mbrojtësit “të kolektivit”. Duke mbrojtur kolektivin nacional nga “rreziku” ata duan të bëhen pjesë e politikës së administrimit shtetëror. Të mos ndryshimit dhe të pararojës, të krijojnë modelin publik të mendimit se nuk ka vazhdimësi pa “ne” dhe do të ketë shkatërrim të plota ” me ta”. Kjo në fakt bëhet për të shtuar mbijetesën komode. Konservimi i proceseve është gjasë e mbijetimit dhe e komoditetit.

Nga shkaku i pamundësisë për të hyrë në një hapësirë të gjerë dhe të hapur të konkurrencës intelektuale dhe kulturore, “rojtarët ideorë” fshihen prapa grupeve të interesit, veçmas duke provuar të paraqiten si pjesë e forcës “më të fuqishme momentalisht”. Natyrisht se identifikimi me “admistratën ekzekutive” i shndërron ata në administratorë dhunues me mesazhin se janë në gjendje të luajnë rolin e mirë të “udhëheqësit shërbëtor”. Problemi bëhet ende më i komplikuar kur në një shoqëri të tranzicionit, sikur është Kosova, nuk ka një bazë të qëndrueshme ligjore, e cila rregullon dhe mbron në mënyrë efikase konkurrencën e ideve.

Përkundër këtyre ligjeve “falsifikatorët e lindur” siç i quan Sartori, provuesit e të qenit forcë, nuk do të mund të mbajnë rolin që ia japin vetes, apo rolin që ua përcaktojnë grupet e interesit, të ngritura mbi privilegje më të llojllojshme. Zhurma shpërthen, ngase ata pretendojnë se janë trashëgimtarë të pakontestueshëm të aktualiteti dhe të të ardhmes publike, sepse historia si a-histori u takon të tjerëve. Të tjerët janë të gjithë të tjerët-destruktivë, se ata nuk janë si ata-misionarë.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!