(Mos) Marrëveshja Trump-Putin për Sirinë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
13 °C

(Mos) Marrëveshja Trump-Putin për Sirinë

Shkruar nga: Shemsi Reçica

16:35 | 16 Prill 2018

Siria është një episod, si shumë episode të tjera para tij, i marrëdhënieve SHBA-Rusi dhe dëshmon qartë shkallën e lartë të “pjekurisë dhe të kujdesit“ të të dy supërfuqive, në raportet e tyre të ndërsjella, me njëra-tjetrën.
*****
Në prag të sulmit të fundit me raketa në Siri, nga SHBA-ja dhe partneret e saj, Franca dhe MB-ja, Kryetari amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin, – patën shkëmbyer deklarata të ndërsjella kërcënuese, të ashpra deri në kulm:

Putin-i (i ashpërsuar): “Secila raketë amerikane që do të godasë Sirinë do të rrëzohet nga Rusia“.

Trump-i (i ashpërsuar): “Bëhu gati Rusi! Ato (raketat) do të vijnë lehtësisht, të reja dhe të mençura“.
*****
Pas goditjeve me një breshëri raketash, në tri zona ushtarake, në Siri, Kryetari amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin, shkëmbyen prapë deklaratat të ndërsjella, por tani, të zbutura, si me marrëveshje:

Trump-i (i lehtësuar) deklaroi: “Goditjet ishin të suksesshme dhe e arritën objektivin e tyre“. “Misioni u përmbush“. Dhe shtoi: “SHBA është e gatshme të godasë përsëri në rast se (Qeveria e Sirisë) kryen sulme të reja me armë kimike, kundër popullit të vet“.

Putin-i (i lehtësuar) deklaroi: “Nga 103 raketat e lëshuara, 71 u rrëzuan nga sistemi sovjetik i mbrojtjes ajrore, i përdorur nga Siria“. Dhe shtoi: “Sulmet e reja eventuale në Siri, në mënyrë të paevitueshme, do të sjellin kaos në marrëdhëniet ndërkombëtare“.
*****
Angazhimi i SHBA-së dhe i Rusisë në Siri, siç është dëshmuar tashmë, edhe në vendet e tjera para saj, ka për qëllim ruajtjen, përkatësisht kthimin e kursit politik-ideologjik të atyre vendeve kah “modeli i vlerave perëndimore“, përkatësisht kah “modeli i vlerave lindore“; ose, në rastin më të keq, ka për qëllim demonstrimin e forcave shkatërruese ushtarake të SHBA-së dhe të Rusisë, si dhe efikasitetin e precizitetin të atyre forcave.

Siria, pra, s‘është tjetër veçse një episod, si shumë episode të tjera para tij, i marrëdhënieve SHBA-Rusi, dhe dëshmon qartë shkallën e lartë të “pjekurisë dhe të kujdesit“ të të dy supërfuqive, në raportet e tyre të ndërsjella, me njëra-tjetrën.

Rrjedhimisht, në Siri, ashtu si dhe në rastet e tjera si ajo, prandaj, nuk mund të pritej as mund të pritet konfrontim ushtarak ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë, siç mund të kenë menduar ose siç mund të kenë pritur, të frikësuar, shumë analistë ndërkombëtarë dhe jo vetëm ata.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!