Ndërrohen kompanitë që do të ndërtojnë autostradën e Gjilanit – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Ndërrohen kompanitë që do të ndërtojnë autostradën e Gjilanit

17:08 | 29 Nëntor 2017

Pas rivlerësimit për kontratë janë rekomanduar ofertat që janë për 22 milionë euro më shtrenjtë se ofertat më të lira, dhe vetëm 11 më lirë se ofertat e anuluara nga Gjykata e Tenderëve.

Ministria e Infrastrukturës e ka bërë vlerësimin e ofertave për ndërtimin e “Autostradës së Gjilanit”.

Ministrisë i janë dashur 20 ditë që t`i rivlerësojë 181 ofertat e pranuara nga 27 biznese e konsorciume për tetë pjesët e këtij tenderi multi-milionësh.

Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte gjetur shkelje ligjore në vlerësimin e parë dhe kishte marrë vendim që lënda të kthehet në rivlerësim.

Pas rivlerësimit, për kontratë nuk është rekomanduar asnjë nga kompanitë që ishte shpallur fituese në vlerësimin e parë. Tani janë tetë biznese dhe konzorciume të reja që janë shpallur fituese.

Njoftimi për Dhënie të Kontratës ende nuk është publikuar në web-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit apo në e-prokurim, mirëpo “Gazeta Jeta në Kosovë” ka arritur të sigurojë një dokument të Ministrisë së Infrastrukturës për njoftimin e operatorëve të pasuksesshëm.

Në të njëjtin dokument janë listuar fituesit e të gjitha loteve në këtë tender gjigant.

Pas përfundimit të rivlerësimit dhe njoftimit të operatorëve të suksesshëm apo të pasuksesshëm fillon faza e ankesave.

Operatorët në shkallën e parë kanë të drejtë të kërkojnë nga Ministria e Infrastrukturës rishqyrtimin e vendimit. Në rast të refuzimit të kërkesës së tyre, operatorët kanë të drejtë të ankohen në Organin Shqyrtues të Prokurimit, që njihet si shkalla e dytë e ankesave.

Pas rivlerësimit, del se “Autostrada e Gjilanit” do të kushtojë për 11,033,046.88 euro më lirë se sa ishte planifikuar me njoftimin për dhënie të kontratës para se lënda të kthehej në rivlerësim.

Sipas dosjes së rivlerësimit që ka siguruar KALLXO.com del se “Autostrada e Gjilanit” tani do të kushtojë 88,618,511.95 euro.

Derisa në njoftimin për dhënie të kontratës, i cili ishte anuluar nga OShP-ja pas ankesave të 12 operatorëve ekonomikë, ky projekt kushtonte hiç me pak se 99,651,558.83 euro, apo mbi 11 milionë euro më shumë.

Sipas vlerësimit të ofertave më të ulëta, në total kjo autostradë do t`i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 66 milionë euro. Por siç shihet nga dosja e siguruar nga KALLXO.com, edhe pas rivlerësimit kjo autostradë pritet të kushtojë rreth 22 milionë euro më shtrenjtë se sa ofertat më të ulëta që kanë qenë në garë për këtë projekt.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!