Ndjekja penale ndaj Oliver Ivanoviqit, ky është lajmi i fundit – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Ndjekja penale ndaj Oliver Ivanoviqit, ky është lajmi i fundit

12:52 | 14 Shkurt 2018

Gjykata Themelore në Mitrovicë me aktvendim ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Oliver Ivanoviqit, pas vrasjes së tij më 16 janar.

Gjykata aktvendimin, e ka bazuar në nenet 450-457 dhe nenin 358 të Kodit të Procedurës Penale.

Neni 358 merret me rrethanat në të cilat pushon ndjekja penale ndaj një të akuzuari, ndërsa nenet 450-457 lidhen me pagesën e shpenzimeve të procedurës gjyqësore kur hedhet aktakuza.

Në aktvendimin e hedhjes poshtë të aktakuzës jepet historia e gjykimit për krime lufte të Oliver Ivanoviqit, ndërsa tregohet se më 21 janar 2016 ai ishte dënuar me nëntë vjet burg.

Gjykata në aktvendim tregon se hedhja poshtë e aktakuzës, sipas nenit 358 ndodh nëse ka skaduar afati kohor i aktakuzës, nëse ndodh ndonjë amnisti, apo ekzistojnë rrethana tjera që e ndalojnë ndjekjen penale.

Politikani i serbëve të Kosovës dhe kryetari i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, u vra në Mitrovicën Veriore më 16 janar.

Ai u varros një ditë më pas në Beograd.

Vrasja e tij është dënuar gjerësisht nga zyrtarët e BE-së, ata serbë dhe kosovarë.

Ai shihej një politikan i moderuar në Kosovë që përkrahte bashkëjetesën midis pakicës serbe dhe shumicës shqiptare.

Megjithatë, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës për pavarësi. Ai e deklaroi veten të pafajshëm. /kallxo.com/

Serbia ka kërkuar përfshirje në hetimin për vrasjen e Ivanoviqit, ndërsa dy shtetet në mënyrë të tërthortë janë duke shkëmbyer informata për këtë vrasje.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!