Nën çadrën e Lulit – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
6 °C

Nën çadrën e Lulit

Shkruar nga: Imer Mushkolaj

11:41 | 23 Shkurt 2017

Lulzim Basha dhe Partia Demokratike e Shqipërisë duket të kenë hyrë në një rrugë pa krye, me mënyrën se si po protestojnë dhe me kërkesën ekstreme: ose qeveri teknike, ose hiç. Të mbledhur nën çadër në bulevard, lideri i PD’së po përpiqet ta paraqesë protestën si reagim gjithëpopullor, ndërkohë që nuk është më shumë se një reagim partiak, me qëllime të qarta partiake.

Të bindur se do të humbin në kutitë e votimit më 18 qershor, PD po kërkon zgjedhje të drejta. Por, në këtë mënyrë, duke bojkotuar Kuvendin, duke bllokuar krijimin e komisioneve për Vettingun, dhe duke zgjedhur rrugën, si mënyrë për të realizuar kauzën e vet, partia e Bashës po bllokon zbatimin e reformës në drejtësi, që do të shtonte garancitë për zjedhje të lira e demokratike. Duke zgjedhur bulevardin, e jo Kuvendin, PD po e përjashton veten nga mundësia për t’i propozuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor në mënyrë që, edhe me garanci ndërkombëtare dhe nën vëzhgim të plotë ndërkombëtar, zgjedhjet të mund të zhvillohen lirshëm dhe ndershëm.

Megjithatë, duket se ky nuk është qëllimi i PD’së udhëheqësit e së cilës, mbase të inkurajuar nga skenari rumun, po provojnë të realizojnë diçka të ngjashme edhe në Tiranë.

Por, ndryshe nga Rumania, në Shqipëri nuk janë ngritur qytetarët kundër sistemit të korruptuar politik, por një pjesë e këtij sistemi kundër pjesë tjetër.

Kur ishte në pushtet, PD nuk është se vepronte më ndryshe nga çfarë vepron Partia Socialiste. Madje, lideri i saj i përjetshëm, Sali Berisha, me vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 1996 e solli vendin në gjendje të luftës civile, buzë katastrofës. Ai po shfaqet sërish nën çadër, madje po gjen kohë të sulmojë edhe gazetarë si Arbana Xharra, duke zgjedhur epitete mjaft të ulëta ndaj saj.

* * *

Të besosh se Sali Berisha mund të bëjë ndryshimin, është si të besosh se ka jetë në Hënë. I konsumuar politikisht e moralisht, ai rri nën çadër se nuk ka çfarë të humbasë. Shqipëria e sotme e krimit, korrupsionit dhe drogës në masë të madhe është produkt i Sali Berishës. Shqipëria e sotme në masë të madhe është rezultat i etjes së tij të madhe për pushtet, pa zgjedhur rrugë e mjete, madje edhe me kufoma nëpër këmbë.

Andaj, kur sheh Berishën nën çadrën e pasardhësit të tij, Lulit, e kupton se sa e kompromentuar është e gjithë përpjekja për t’ua mbushur mendjen qytetarëve që t’iu bashkohen. Edhe ashtu protestat atje janë të kompromentuara nga partitë politike dhe kanë pak, fare pak, karakter civil.

Por, nuk është i vetmi Berisha nën çadër që do të kompromentonte edhe nismën më fisnike që do ta ndërmirrte dikush, për zgjedhje të lira e të ndershme. Të tjerë personazhë të krimit, madje edhe të dënuar për korrupsion, po protestojnë kundër korrupsionit. Bashkë me Berishën i cili, familjarisht, është përfshirë në afera të ndryshme, si ajo e Gërdecit, me pasoja fatale për njerëzit e varfër që punonin për t’ia mbushur llogaritë bankare atij dhe familjarëve të tij. Bashkë me Berishën, i cili është baba i korruptimit të politikës për interesa tërësisht personale. Askush nuk ka harruar se si edhe Kosovën e fuste në lojë vetëm për të përfituar personalisht, duke dhënë premtime koti e duke u çirrur në emër të patriotizmit.

Sot, Berisha e Basha më shumë se hallin e zgjedhjeve demokratike, e kanë hallin e vet, ngase mund të përfundojnë në burg. Bashkë me shumë të tjerë që janë bërë bashkë nën çadër në bulevard. Në bulevardin që u la me gjakun e qytetarëve të pafajshëm pikërisht nën pushtetin e Sali Berishës e Lulzim Bashës.

* * *

Edi Rama i ka mëkatet e veta gjatë mandatit të tij qeverisës. Ai mori të udhëheq një shtet përtokë, trashëgimi të Sali Berishës. Por është e vështirë, tepër e vështirë që Shqipërinë ta bësh një vend normal. Edhe më pak të tillë e bëjnë Lulzim Basha e Sali Berisha.

Protesta e PD’së po shoqërohet me mungesë të mbështetjes ndërkombëtare. Për Bashkimin Europian të rëndësishme janë reforma në drejtësi dhe zgjedhje të mira në qershor – që të dyja kritere të konsideruara si çelës për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Por, protesta nuk po mbështetet as nga të tjera parti opozitare, që do të krijonin një front serioz për të arritur qëllimin. Lulzim Basha nuk po arrin të bind askënd se e ka seriozisht. Do të ishte utopi që dikush ta besojë, teksa sheh nën çadër Sali Berishën – njeriun që bën thirrje për zgjedhje të lira, ndërkohë që është autor i vjedhjes dhe masakrimit të tyre. Njeriun që bën thirrje kundër krimit e korrupsionit, ndërkohë që një jetë të tërë e ka kaluar në krim e korrupsion.

Çadra e Lulzim Bashës është e vogël për t’i zënë të gjithë të korruptuarit që kërkojnë ndryshimin.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!