Një OJQ serbe paralajmëron padi ndaj Daut Haradinajn – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Një OJQ serbe paralajmëron padi ndaj Daut Haradinajn

13:08 | 21 Prill 2017

Një OJQ serbe në Kosovë ka thënë se do të ngrejë një padi kundër deputetit Daut Haradinaj për kërcënimin e tij të bërë kohë më parë, se serbët mund të dëboheshin nga Kosova, nëse vëllai i tij, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ekstradohet në Beograd.

OJQ-ja, Qendra për Paqe dhe Tolerancë, tha për BIRN se planifikon të paraqesë një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë në Mitrovicën e veriut në Kosovë të hënën, duke akuzuar Daut Haradinajn për nxitje urrejtjeje etnike për komentet e tij lidhur me dëbimin e serbëve nga Kosova.

“Ne presim që prokurori publik të veprojë në përputhje me rrethanat dhe të hapë një hetim për z. Haradinaj”, tha për BIRN Nenad Maksimoviç, drejtori i OJQ-së.

Daut Haradinaj, deputet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha në fillim të këtij muaji se do të kishte luftë nëse vëllai i tij Ramush Haradinaj, ish-kryeministër i Kosovës, do të ekstradohej nga Franca në Serbi për t’u përballur me akuzat për krime lufte.

“Nëse e duan Kosovën të spastruar etnikisht nga serbët, atëherë le të vazhdojnë me këtë farsë”, tha Daut Haradinaj më 7 prill.

OJQ-ja thotë në padinë e saj se deputeti kishte kundërshtuar kodin penal duke nxitur urrejtje kundër serbëve në Kosovë.

“Kjo deklaratë shkaktoi jo vetëm shumë ankth dhe frikë në të gjithë komunitetin serb, por kreu gjithashtu veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, etnike, racore, fetare, intolerancës ose siklet”, thuhej në padinë e planifikuar.

Ajo thotë se serbët e Kosovës nuk duhet të bëhen “peng i marrëdhënieve politike midis Serbisë dhe Kosovës”.

Qendra për Paqe dhe Tolerancë tha se deri më tani, më shumë se 15 OJQ pakicash etnike dhe dhjetëra individë e kanë mbështetur nismën e saj dhe mbledhja e firmave në mbështetje të kësaj padie po vazhdon ende.

Por asnjë OJQ shqiptare nuk ka shprehur mbështetje, tha Maksimoviç.

“Edhe organizatat që merren me të drejtat e njeriut dhe të pakicave kanë heshtur në lidhje me një shfaqje publike të një gjuhe urrejtjeje nga një anëtar i parlamentit të Kosovës”, shtoi ai.

Komentet e Daut Haradinajt janë dënuar gjithashtu nga misioni i OKB-së në Kosovë, zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Zahir Tanin, përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe kreut të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, tha më herët këtë muaj se “përdorimi i gjuhës së urrejtjes për të kërcënuar spastrim etnik” ishte i papranueshëm.

“I bëj thirrje të gjithë liderëve përgjegjës ta dënojnë këtë deklaratë dhe autoriteteve gjyqësore të nisin hetimin e duhur për këtë incident dhe të ndërmarrin masat e duhura në përputhje me ligjin e Kosovës”, bëri thirrje Tanin.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dënuar gjithashtu deklaratën e Haradinajt.

“Për institucionet dhe popullin e Kosovës, këto kërcënime kundrejt grupeve të tjera jo-shqiptare inkurajojnë urrejtje, zemërim dhe hakmarrje”, tha Thaçi më herët këtë muaj.

Arrestimi i Ramush Haradinajt në një aeroport francez në janar të këtij viti, bazuar në një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia, i cili e akuzon atë për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, ngriti tensionet midis Beogradit dhe Prishtinës.

Një gjykatë në Colmar të Francës ka shtyrë vazhdimisht vendimin e saj për kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij.

Ajo do të mbajë një tjetër seancë gjyqësore më 27 prill.

Ramush Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat nga Gjykata e Hagës për krime lufte të kryera gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë, më i fundit në vitin 2012.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!