Një rrëfim i shkurtër për Ministrin e Jashtëm të Vushtrrisë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
3 °C

Një rrëfim i shkurtër për Ministrin e Jashtëm të Vushtrrisë

Shkruar nga: Lorik Maxhuni

16:09 | 25 Tetor 2018

Në natën e 19 Nëntor të vitit 2017, dikujt në një qytet të vogël të Kosovës fati i buzëqeshi. Si një i ri në politikë, nuk është se e njihja në tërësinë e tij, kryetarin e tanishëm të Vushtrrisë, Xhafer Tahirin. Por, në momentin e parë që e kisha dëgjuar e kisha kuptuar se ishte një nga ata gënjeshtarët profesionistë, që sapo kapin votën ikin për të gjetur rrugën më të shpejt drejt arrogancës e pasurisë.

Me aq pak sa e njihja, vlente kaq shumë ta kuptoja fare mirë se arritja e një qëllimi për të, me një bashkim të pasinqertë forcash politike e grupeve të interesit, do të thoshte vuajtje për një shumicë, dhe siç po e shohim, prekim e ndjejmë çdo ditë, qyteti ynë, ku jetoj e veproj edhe vet si i ri, po varfërohet.

Xhaferi mund t’ia thotë mirë valles në ahengje qesharake politike, por kur është në pyetje jeta e përditshme e qytetarit, ai tash e një vit nuk çohet nga karrigia e tij e zyrës dhe veturës. Do të tentoj, për hir të bashkëmoshatarëve të mi, qytetarëve të mi, të hedhë dritë dhe fakte për një degradim që tash e një vjet po i bëhet Vushtrrisë.
Një bashkim interesash, asnjëherë parimore, në radhë të parë me Vetëvendosjen marksiste, sipas tij dikur dhe me AKR-në e “pushtetit të vjetër”, të fyer po ashtu nga ai, nxori një “Qeverisja të re”, që në fakt na tregoi se s’është kurrë e tillë. Koha ka qenë e shenjtë për Xhafer valltarin dhe pafytyrësia e pafundme. Qysh në ditën e tij të parë të punës, emëroi si shofer personal, vëllain e tij.

Të dy vëllezërit, blenë veturën e re për kryetarin dhe 4 të tjera, me një kosto vjetore prej 30 mijë eurove, të cilat do të rendojnë mbi qytetarët të Vushtrrisë. Plot gjëra atraktive e të domosdoshme për qytetin do të mund të bëheshin me këto mjete; një park, ose një bibliotekë të vogël. Automjeti i tij ka bërë goxha kilometra. Dhe kryesisht, adresë kryesore kishte Aeroportin e Prishtinës ngase udhëtimet zyrtare jashtë vendit, dhe mëditjet e tij nuk janë ndalë këtë vit.

Shpenzimet për udhëtimet e tij dhe mëditjet që ka marrë kalojnë shifrën mbi 10 mijë euro. Asnjëherë nuk janë bërë transparente, ashtu siç nuk ka bërë transparente shpenzimet e pijeve dhe ushqimit gjatë ditës në komunë, të cilat ua faturon drejtorëve. Cila është logjika e shpenzimit të 10 mijë eurove në udhëtime zyrtare për një kryetar të Vushtrrisë? A përfaqëson ai edhe politikën e jashtme të Kosovës? Meqë kaq shpesh e braktisë Kosovën, për të ndjekur rrugët dhe sheshet e qyteteve evropiane, ai ka harruar edhe premtimet e para. Krijimi i Qendrës Inovative në 12 mujorin e parë të punës ishte një nga premtimet.

As edhe një gur, as edhe një letër për të nuk është nxjerrë. Por lerë më kaq, edhe buxhetin e paraparë për mbështetje të rinisë e ka zvogëluar për 5 %. Po brenda një viti të punës, ai kishte premtuar ujin e pijshëm për të gjithë qytetin. Unë pas një viti e kam të vështirë të gjejë një familje që diku në qosh të shtëpisë të mos ketë shishe të mbushura me ujë. Shërbimet publike në anën tjetër, janë në një gjendje të mjerë, për të mos folur për shkatërrimin në arsim e shumë fusha të tjera, për të cilat do të flas në ditët në vazhdim, me fakte.

Kjo qeverisje për Vushtrrinë është veçse një rrugëtim grupor pa destinacion, një njeri me thes në kokë, pa vizion. Shpërfaqje e përditshme e mungesës së intelektit, talentit e vizionit, abuzim i skajshëm i pushtetit dhe përdorimi i tij për qëllime personale, familjare dhe klanore. Pushtet që qytetarit dhe biznesit të vogël i merr frymën.

(Autori është Asamblist në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë dhe Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës në Vushtrri)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!