Njoftim i rëndësishëm për pensionistët

13:45 | 20 Janar 2019

Pensionistët kosovarë edhe këtë muaj do t’i marrin pensionet e tyre, si ato të vitit të kaluar.

Pra, pensionet do t’i marrin pa rritje.

Pensionistëve kosovarë nuk do t’u dalin pensionet me rritje në llogaritë e tyre bankare për muajin janar, ashtu siç ishte paraparë një rritje prej 15 deri 20 për qind nga pensioni bazë.

Kjo për arsye se nuk është miratuar ende në lexim të dytë Projektbuxheti për vitin 2019.

Lulëzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, Bedri Hamza ka thënë se pensionistët do t’i marrin pensionet me rritje në mënyrë retroaktive pas aprovimit të Buxhetit 2019.

“Pensionet kontribut dhënëse, por edhe këto bazike janë të parapara me ligjin e buxhetit për vitin 2019, janë pensione të cilat janë të inkorporuar brenda ligjit të buxhetit dhe ne do të fillojmë me i dhënë në momentin që të aprovohet ligji për buxhetin e vitit 2019. Pavarësisht nëse aprovohet në këtë muaj, ose në muajin tjetër në çfarë do kohe që do të aprovohet ligji për buxhetin për vitin 2019, ata (pensionistët) do t’i marrin në mënyrën retroaktive për arsye se pensionet janë paraparë brenda ligjit të buxhetit 2019”, theksoi Rafuna.

Ndërsa, edhe zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë se nuk do të ketë pensione me rritje pa miratimin e buxhetit 2019.

Komento: