Normat e interesit për kredi ulen nga viti i ardhshëm – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
6 °C

Normat e interesit për kredi ulen nga viti i ardhshëm

08:59 | 04 Nëntor 2018

Qytetarët dhe bizneset janë përballur me normë të lartë të interesit për marrje të kredive në bankat e Kosovës.

Kjo normë e interesit u ka mundësuar shpesh bizneseve të mos zhvillohen.

Por, tani norma e interesit për kredi do të ulet gjatë vitit të ardhshëm.

Kështu ka thënë për Ekonomia Online Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Mehmeti ka shtuar se 70% e kredive u dedikohet bizneseve dhe kjo, sipas tij, tregon rolin e sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë së vendit.

Sipas tij, përmes kësaj uljeje do të lehtësohet qasja në financa në sektorin bankar dhe në anën tjetër do të rritet edhe shkalla e ndërmjetësimit financiar.

“Sa u përket normave të interesit në kredi kemi zhvillime pozitive në këtë kontekst, për faktin se me të dhënat e fundit që kemi në dispozicion norma efektive e interesit në kredi për biznese dhe ekonomi familjare shënon 6.34%. Nëse e shohim normën efektive të interesit të kredive vetëm për biznese shënon 5.85%, derisa nëse shohim normën efektive të interesit për kredi hipotekare shënon prej 4 deri në 5%”.

“Kjo ka bërë që të rritet dhe të lehtësohet qasja në financa në sektorin bankar dhe në anën tjetër të rritet edhe shkalla e ndërmjetësimit financiar. Duhet ta potencoj faktin se diku rreth 70% e kredive u dedikohet bizneseve dhe kjo e tregon rolin e sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë së vendit”.

Kurse sa u përket depozitave, ato arrijnë në mbi 3 miliardë euro, ku 70% e tyre i përkasin ekonomike familjare.

“Depozitat arrin 3.13 miliardë euro me një rritje vjetore prej 5.8%, 70% të depozitave i përkasin ekonomive familjare, ndërkaq pjesa tjetër i përket bizneseve. Duke i pasë parasysh dy tregues, uljen e normave të interesit në vazhdimësi prej vitit në vit dhe konkurrencën në rritje në sektorin bankar, janë faktorët kryesorë që na bëjnë neve me besuar që do të ulet edhe më tutje norma e interesit. Nëse kthehemi 5 vite më herët normën e interesit në kredi e kemi pasë dyshifrore”.

Sa u përket institucioneve mikrofinanciare të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, ai tha se janë të rëndësishme për ekonominë e vendit, derisa theksoi se po shikojnë mundësitë për zgjidhje të pranueshme.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!