Oda Ekonomike Amerikane kundër ngritjes së vazhdueshme të pagave në sektorin publik – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Oda Ekonomike Amerikane kundër ngritjes së vazhdueshme të pagave në sektorin publik

10:45 | 05 Shkurt 2019

Oda Amerikane është shprehur se ngritja e vazhdueshme e pagave në sektorin publik kërcënon stabilitetin buxhetor.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimet e saj lidhur me kalimin e Projektligjit për Paga dhe rritjen e shpenzimeve buxhetore për paga.

Oda Amerikane, përmes një njoftimi për media, përsërit qëndrimin e saj se rritja e mëtejme e pagave për sektorin publik rrit dallimet në nivelet e pagesave ndërmjet sektorëve publikë dhe privatë, në disfavor të sektorit privat, i cili në të njëjtën kohë është shtylla e mbushjes së buxhetit, si dhe zhvillimit ekonomik.

Oda Amerikane beson se veprimet si këto të institucioneve shtetërore, pa konsideratë për ngarkesat mbi sektorin privat, janë në kundërshtim me diskursin e zyrtarëve më të lartë të shtetit për fuqizim të sektorit privat dhe nxitje të investimeve. Ngritja e pagave për sektorin publik është goditje direkte për ndërmarrjet private, e posaçërisht për sektorin edhe ashtu të brishtë të prodhimit, por edhe për rritjen e investimeve të huaja direkte, për shkak se fuqia punëtore, nuk do të mund të promovohet më tej si përparësi konkurruese e Kosovës, thuhet në njoftim.

“Kalimi i projektligjit për paga kërcënon stabilitetin financiar të vendit, për shkak të rritjes enorme të shpenzimeve për paga dhe skema sociale, në dëm të investimeve kapitale, por edhe për shkak se rrezikon të thellojë deficitin buxhetor.

Në të njëjtën kohë, marrja e vendimeve me efekte afatgjata, në kushte të presionit, pa dialog gjithëpërfshirës, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e sektorit privat, cenon prospektet e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

“Institucionet e vendit, Qeveria dhe Kuvendi, duhet të përmbahen nga vendimet si këto, por edhe paralajmërimet për vendime të tjera, të cilat Oda Amerikane i konsideron si ndërhyrje në sektorin privat, në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, si dhe orientimin e Kosovës për fuqizimin e ekonomisë funksionale të tregut”.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!