Pacolli fton liderët e shtetit në një takim urgjent

13:19 | 19 Shkurt 2019

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka ftuar në një takim urgjent udhëheqësit politik të vendit me miqtë nga SHBA-ja dhe të BE-së në mënyrë që të koordinohet veprimet, qofshin ato në interesin e miqësisë me aleatët apo në interesin kombëtar.

Pacolli me anë të një postimi, ka shkruar se me letrat e Presidentit Trump drejtuar presidentit Thaçi apo dhe me letrat e tre institucioneve kryesore të SHBA-ve është vërtetuar çart se ShBA e donë përkryerjen e shtetndërtimit të Kosovës, përcjell ORAInfo.

Ai gjithashtu ka deklaruar se duhet gjetur zgjedhjen e duhur, që të respektohet çdo kërkesë e miqve të Kosovës, që janë në interes të vendit.

Duhet përkujtuar që Amerika dhe BE-ja kërkuan largimin e taksës 100%, për të cilën kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se do të bëhet vetëm kur Serbia të njoh shtetin e Kosovës.

Postimi i plotë:

Miqësitë, mes njerëzve, por dhe ato mes shteteve, kanë nevojë për veprime të përditshme, që të mbijetojnë dhe të jenë afatgjata,ashtu si një pemë qe ka nevojë për ujitje çdo ditë, përndryshe thahet.

Ne, popull i Kosovës, duhet të jemi mirënjohës që SHBA-të, gjithëmonë e kanë potencuar e sidomos ditët e fundit, miqësinë me ne.

Me letrat e Presidentit Trump drejtuar presidentit Thaçi apo dhe me letrat e tre institucioneve kryesore të SHBA-ve është vërtetuar qart se ShBA e don përkryerjen e shtetndërtimit të Kosovës.

Kjo përfshirje e SHBA-ve që dëshiron forcimin tonë, integrimin tonë, njohjen tonë prej Serbisë, është një bekim për ne! Kjo duhët të kuptohet posaçërisht dhe të mbahet parasysh!!!

Nga ana tjetër, ne nuk jemi qendër e botës dhe as kemi për të qenë ndonjëherë, ndaj duhet ta vlerësojmë lart këtë pozicionim të radhës nga SHBA-të në favorin tonë.

Ne duhet të gjejmë zgjidhjen e duhur, që të respektojmë çdo kërkesë të miqve tanë e që janë në interesin tonë.

Ne, gjithë institucionet tona duhet të flasim me një zë si na kërkoi Presidenti Trump. Këto letra brenda një kohe kaq të shkurtër, mesazhet e tyre në përputhshmëri me njeri tjetrin, janë rast që ne të forcohemi mes vete dhe jo të ndahemi!

Ndaj unë ftoj për një takim të përbashkët, urgjente të gjithë udhëheqësve politikë të Kosovës me miqtë tanë të SHBA-ve dhe të perëndimit për të kordinuar veprimet tona, cilat do qofshin ato por që shkojnë në interesin e miqësisë më aleatet tonë përendimor dhe në interesin kombëtar. Koha nuk pret, është momenti i vendimeve të mëdha !

Komento: