PARADOKSI I RICIKLIMIT TË GËNJESHTRAVE, MASHTRIMEVE DHE PREMTIMEVE TË RREJSHME TË LIDERËVE PARTIAKË – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

PARADOKSI I RICIKLIMIT TË GËNJESHTRAVE, MASHTRIMEVE DHE PREMTIMEVE TË RREJSHME TË LIDERËVE PARTIAKË

Shkruar nga: Shemsi Reçica

15:36 | 04 Dhjetor 2016

Partitë politike dhe liderët e tyre, në nivelin lokal dhe qëndrorin, me përjashtime të rralla, tashmë, po iu përngjajnë fabrikave të riciklimit të mbeturinave.

Tash disa vjet dhe në vazhdimësi, veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale dhe të atyre qëndrore, partitë politike dhe liderët partiakë, në nivelin lokal dhe në atë qëndror, po i riciklojnë me sukses të madh gënjeshtrat, mashtrimet dhe premtimet e tyre të rrejshme.

Sundimi i rendit dhe ligjit, luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit, krijimi i kushteve për investimet e huaja në vend, investime prej qindra-miliona eurosh, madje vetëm në një komunë, hapja e qindra-mijëra vendeve të reja të punës, zbutja e varfërisë ose, siç kishte thënë një kandidat për kryetar komune, “shqelmimi i fukarallëkut”, arsimi më cilësor, shëndetësia më e shëndoshë, e të tjera të ngjashme, – janë premtime të ricikluara ndër vite, tashmë bajate e të neveritshme, të partive politike dhe të liderëve të tyre.

Ndërmjet riciklimit të mbeturinave në fabrika dhe riciklimit të gënjeshtrave, të premtimeve e të mashtrimeve të rrejshme të partive politike e të liderëve të tyre, si në çdo krahasim, natyrisht që ka edhe dallime: me riciklimin e mbeturinave, fabrikat prodhojnë një produkt të ri, që mund të përdoret e të shfrytëzohet nga konsumatorët.

Ndërsa, me riciklimin e gënjeshtrave, të mashtrimeve dhe të premtimeve të tyre, partitë dhe liderët politikë, nuk prodhojnë asnjë produkt të ri, që do të mund të përdorej e të shfrytëzohej nga konsumatorët. Përkundrazi.

Megjithëkëtë, për çudi, riciklimi i gënjeshtrave, i mashtrimeve dhe i premtimeve të rrejshme, në vend të falimentimit, partive politike e liderëve partiakë, po iu sjellin përfitime të mëdha, madje të pakrahasueshme me fitimet e fabrikave dhe të pronarëve të tyre.

Ky është një paradoks i madh i një lloji të veçantë, që, edhe në të ardhmen, iu jep të drejtë partive politike dhe liderëve të tyre, t’i riciklojnë gënjeshtrat, mashtrimet dhe premtimet e rrejshme, për të qëndruar në pushtet.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!