Partia Demokratike bëhet anëtare në Aleancën e Konservatorëve dhe Reformistëve të Evropës

11:18 | 22 Shkurt 2019

PDK bëhet anëtare në Aleancën e Konservatorëve dhe Reformistëve të Evropës.

Gjatë takimit të Aleancës së Konservatorëve dhe Reformistëve në Evropë (ACRE) në Romë të Italisë, u konfirmua formalisht anëtarësimi i Partisë Demokratike të Kosovës në këtë organizatë ombrellë që mbledh partitë konservatore të qendrës së djathtë që përbën lëvizjen politike me rritjen më të madhe në Evropë.

“Në fjalën e tij pas formalizimit të anëtarësimit të PDK-së në ACRE, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi se e shikon këtë anëtarësim jo vetëm si arritje por edhe si përgjegjësi duke premtuar se PDK-ja do të jetë një anëtare aktive dhe e dedikuar e kësaj organizate.

Po ashtu, Veseli propozoi që një nga samitet e ardhshme të ACRE të organizohet në Prishtinë ku do të kenë mundësi që të njihen nga afër me arritjet e Kosovës si dhe me punën e PDK-së.

Kjo organizatë (ACRE) bashkon partitë politike evropiane që promovojnë parime si liria individuale, sovraniteti kombëtar, demokracia parlamentare, sundimi i ligjit, prona private, qeveria e kufizuar, vlerat tradicionale të familjes, tregtia e lirë dhe konkurrenca e hapur”, thuhet në njoftimin për media.

Duke qenë se këto janë vlerat kryesore politike të Partisë Demokratike të Kosovës, Veseli e ka konsideruar një hap të natyrshëm futjen në këtë organizatë ndërkombëtare të partive politike evropiane.

Ai e ka konsideruar pjesëmarrjen në këtë organizatë ombrellë të partive të ngjashme të qendrës së djathtë si një hap të madh drejt konsolidimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të PDK-së.

Përpos kësaj, me këtë anëtarësim, PDK-ja çimenton orientimin e saj ideologjik si parti e djathtë që promovon ekonominë e tregut, inovacionin dhe vlerat konservatore të shoqërisë kosovare.

Nëpërmjet kësaj anëtarësie bëhet i mundur shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira mes partive të ndryshme konservatore. Po ashtu ky anëtarësim ia jep mundësinë PDK-së që të mbrojë e promovojë Kosovën në nivel ndërkombëtar duke ndërvepruar me parti anëtare të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Komento: