Patriot dhe tradhtar – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Patriot dhe tradhtar

Shkruar nga: Burim Etemaj

19:03 | 11 Shtator 2017

Historikisht nga shqiptarët është folur shumë. Është shkruar po ashtu shumë për patriotët dhe për tradhtarët.

Madje çështja e patriotizmit dhe tradhtisë është konsideruar tejet thelbësore për qenien dhe mbijetesën tonë kombëtare, saqë nënat qysh në djep u kanë kënduar fëmijëve ninulla. E njëjta qasje konsideroj se është e pranishme edhe në ditët e sotme. Kuptohet, manifestimi i saj bëhet edhe në forma të tjera dhe, rrjedhimisht, shkaku i rrethanave aktuale, ka përmasa të tjera, krahasuar me të kaluarën.

Emërtimi i parë, pra, është shumë i dëshiruar. Dhe, rrjedhimisht, edhe kujdesi i familjes për të rritur, edukuar dhe nxjerrë patriotë të rinj, që e duan atdheun, kombin dhe lirinë e vendit, punojnë, veprojnë dhe në rast nevoje edhe sakrifikojnë për të, ashtu si dhe te popujt tjerë, nuk ka munguar kurrë.

I dyti, natyrisht, ka qenë dhe vazhdon të mbetet edhe më tutje fort i urryer. Si pasojë e një relacioni të tillë të shoqërisë sonë me këto kategori të saj sociale, kemi rastet kur disa individëve, në këtë rast nga skena politike, meqë nuk e kanë treguar veten gjatë kohës së luftës çlirimtare të Kosovës, tashmë, në kohë lirie, kur Kosova është bërë shtet i pavarur, i pranuar edhe ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme të globit, u është bërë kompleks patriotizmi.

Prandaj kjo kategori e njerëzve, çdo ditë, pa u ndalë asnjëherë, improvizojnë situata, nga më të ndryshmet, në tentim të prodhimit të lajmit dhe shitjes së tyre para opinionit të gjerë si patriotë. Për ta bërë më të plotë tablon e synimit të tyre, ndërsa shfaqjen sa më të besueshme, fillojnë t’u vërsulen të tjerëve, të gjithë të tjerëve që nuk mendojnë e veprojnë njëlloj si ata. Shkojnë aq larg, sa që i quajnë dhe shpallin hiq më pak sesa tradhtarë të gjithë të tjerët, përfshirë edhe ata që botërisht njihen si të dëshmuar me punën, përkushtimin dhe sakrificat, personale apo edhe familjare, në shërbim të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Devijime të tilla, fatkeqësisht, janë të pranishme edhe te një numër i pjesëtarëve të kategorisë tjetër, te disa nga ata që e kanë dëshmuar veten si patriotë disa herë deri më tash. Për rrjedhojë, edhe për ta çdokush që ka pikëpamje tjera dhe vepron ndryshe prej tyre, është tradhtar. Sjelljet e tilla, të të dyja palëve, përmes polarizimeve që prodhojnë, mund ta rrezikojnë paqen sociale. Për të qenë absurdi edhe më i madh, të njëjtës lojë shpeshherë i bashkohen symbyllurazi edhe medie të caktuara dhe një numër intelektualësh, duke e huqur kështu komplet misionin e tyre themelor.

Kësisoj, rolet se kush është patriot e kush tradhtar ndërrohen çdo ditë. Po ashtu edhe ripërtëritja e listave të të dyja këtyre kategorive. Një nga shkaqet e shumta, ndoshta edhe më kryesoret, të një anomalie të tillë, të cilën kombe dhe shoqëri të civilizuara e kanë tejkaluar moti, është mungesa e ligjit të lustracionit, dhe, si e tillë, paraqet një nga sfidat e shumta me të cilën duhet të përballen Kuvendi dhe Qeveria e re e Kosovës, në mënyrë që si shoqëri ta përmbyllim edhe këtë proces. Deri atëherë, mos u befasoni me vetëshpalljet e përditshme të “patriotëve” dhe shpalljen tuaj nga ana e tyre si tradhëtar.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!