Për 5 kilometra rrugë në Kosovë paguhen 12 milionë euro – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
8 °C

Për 5 kilometra rrugë në Kosovë paguhen 12 milionë euro

10:45 | 15 Maj 2018

12 milionë euro për 5 kilometra rrugë, do të i kushtojnë punimet e autorrugës Prishtinë – Mitrovicë. Aty kanë filluar punimet në “Segmentin M2” (Lumadh – Gojbulë, Vushtrri). Pjesë e autorrugës Prishtinë – Mitrovicë, e gjatë 5 kilometra dhe që financohet prej fondeve arabe, vlera 12 milionë euro.

“Segmenti M2” i rrugës Mitrovicë – Prishtinë (Lumadh – Gojbulë) në Vushtrri ka filluar të ndërtohet dhe më në fund banorët e qytetit të Vushtrrisë do të mundë të qarkullojnë pa vështirësi.

Rreth 5 kilometra të kësaj rruge kanë paraqitur problem të madh për qytetarët e qytetit të Vushtrrisë për një kohë të gjatë, por të hënën krerët e shtetit: presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli në ceremoninë e fillimit të punimeve kanë siguruar se së shpejti rruga do të ndërtohet.
Presidenti Hashim Thaçi tha se me këtë rrugë dhe rrugët e tjera që po ndërtohen Kosova po merr pamje evropiane, ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli tha se kjo rrugë qytetarët e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës do t’i lidhë me Prishtinën, por që shpreson se ajo do të vazhdojë shpejt edhe deri në Leposaviq dhe të lidhet me korridoret rajonale e evropiane.

Rruga, e cila është emërtuar “Rruga e tre heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, sipas kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj është me rëndësi vitale për zhvillimin ekonomik të kësaj ane.

“Ky është lajm i mirë për ekonominë e vendit dhe po vjen në të njëjtën kohë me lajmin e mirë të aktivizimit të ‘Trepçës’. Zotimi ynë për gjenerim të vendeve të punës, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë po merr kahjen e duhur dhe po ndihet nga qytetarët në çdo segment të jetës”, tha Haradinaj.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!