Për popull e për atdhe jo për pushtet, për fonde e të porositur – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
15 °C

Për popull e për atdhe jo për pushtet, për fonde e të porositur

Shkruar nga: Shemsi Reçica

11:54 | 17 Shtator 2018

(Shuma e presjeve të vendosura PËRPARA dhe atyre PRAPA pjesëzave JO, në këtë tekst, është tregues i qartë i angazhimit të liderëve institucionalë dhe atyre partiakë të Kosovës, për interesa të POPULLIT e të ATDHEUT apo për të siguruar PUSHTET e FONDE për vetveten dhe të POROSITUR nga jashtë e për interesa të huaja).
***
Kur gjatë luftës, Hashim Thaçi, si i pari i UÇK-së, e kishte shpallur publikisht dënimin kapital për dr. Rugovën, – këtë ai e kishte bërë për interesa të popullit e të atdheut JO për ta siguruar pushtetin për vetveten, përkatësisht për ta siguruar pozitën e të parit në Kosovë;

Kur pas luftës, Thaçi, si ish-kryeministër dhe si kryetar i Kosovës, po përkulet para varrit të dr. Rugovës, – këtë ai po e bën për ta nderuar dhe respektuar veprën e dr. Rugovës, në të mirë të popullit e të atdheut JO për ta siguruar pushtetin për vetveten, përkatësisht për ta siguruar pozitën e të parit në qeveri dhe pozitën e të parit në Kosovë;

Kur gjatë luftës, Qeveria Bukoshi dhe drejtuesit e UÇK-së përballeshin ndërmjet tyre, – këtë ata e bënin për të mirën e popullit e të atdheut JO për të siguruar fonde e, përmes tyre, për kontrollimin e UÇK-së;

Kur pas luftës, Thaçi, si ish-kryeministr, e bëri dr. Bukoshin zëvendës të vetin, përkatësisht, kur ky i fundit pranoi të bëhet zëvendës i të parit, – këtë ata e bënë për popull e për atdhe JO për të siguruar qëndrimin e të parit në pushtet, përkatësisht për t’u ngritur i dyti në pushtet;

Kur Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, në emër të partive të tyre, e nënshkruan koalicionin PDK-LDK, – këtë ata e bënë për interesa të popullit e të atdheut JO për të ardhur ata vetë në pushtet, i pari në pozitën e kryetarit të Kosovës, ndërsa i dyti në pozitën e kryeministrit;

Kur Isa Mustafa, pas kundërshtimeve të mëdha brenda LDK-së, i “bindi“ deputetët e partisë së tij për ta votuar Thaçin, në pozitën e kryetarit të Kosovës, – këtë ai e bëri për interesa të popullit e të atdheut JO për të siguruar qëndrimin e tij në pushtet, si kryeministër;

Kur Fatmir Limaj, i pakënaqur me eprorin e tij, Thaçin, u largua nga PDK-ja dhe e formoi partinë e tij, Nisma për Kosovën, – këtë ai e bëri për interesa të popullit e të atdheut JO sepse nuk iu ofrua një post ministror në Qeverinë Thaçi II, përkatësisht sepse nuk kishte siguruar pushtet për vetveten;

Kur tash, pas emërimit të tij në krye të delegacionit qeveritar për bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, Fatmir Limaj po e pranon Thaçin në krye të delegacionit të Kosovës në ato bisedime, – këtë ai po e bën për interesa të popullit e të atdheut JO sepse ai e siguroi pozitën e të parit në delegacionin qeveritar, për bisedimet në Bruksel;

Kur Ramush Haradinaj bëri koalicion me PDK-në e Thaçit-Veselit, – këtë ai e bëri për interesa të popullit e të atdheut JO për pozitën e kreministrit, përkatësisht për të siguruar pushtet për vetveten;

Kur Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci e përgjakën Kuvendin zgjedhor të LDK-së (2006), – këtë e patën bërë për interesa të LDK-së, të popullit e të atdheut JO për të siguruar pozitën e të parit në LDK-, përkatësisht për pushtet partiak;

Kur Shpend Ahmeti dhe Ilir Deda, pas dështimit të partisë së tyre, Fryma e Re, kishin aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje, – këtë e kishin bërë për interesa të LVV-së, të popullit e të atdheut JO për t’i marrë në dorë frenat e LVV-së, përkatësisht për ta marrë pushtetin në parti;

Kur Shpend Ahmeti & CO u vetëlarguan, si të kurdisur, nga LVV-ja, – këtë ata e bënë për interesa të popullit e atdheut JO sepse ishin të porositur dhe për interesa të huaja, jashtë LVV-së;

Kur Blerim Shala, në fillim përmes AAK-së dhe pastaj përmes PDK-së, u infiltrua në grupin e Thaçit për bisedimet Kosovë-Serbi të Brukselit, – këtë ai e bëri për intersa të popullit e të atdheut JO sepse ishte i porositur nga jashtë e për interesa të huaja dhe për përfitime personale;

PS. Shuma e presjeve të vendosura PËRPARA dhe atyre PRAPA pjesëzave JO, në këtë tekst, është tregues i qartë i angazhimit të liderëve institucionalë dhe atyre partiakë të Kosovës, për interesa të POPULLIT e të ATDHEUT apo për të siguruar PUSHTET e FONDE për vetveten dhe të POROSITUR nga jashtë e për interesa të huaja.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!