Përballjet brendashqiptare gjatë luftës (I) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
18 °C

Përballjet brendashqiptare gjatë luftës (I)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

13:44 | 29 Maj 2018

Kryeministri në mërgim, Bujar Bukoshi, ka pasur mundësi dhe ka mundur ta merrte gjithë situatën në dorë, por nuk ka dashur. Krerët e LPK-së kanë dashur ta merrin gjithë situatën në dorë, por nuk kanë mundur dhe nuk kanë pasur mundësi.
***
Dr. Bujar Bukoshi, si kryeministër i Republikës së Kosovës, ishte i vetmi njeri ndër shqiptarët e Mërgatës sonë, që ka pasur mundësi dhe ka mundur ta ketë në disponim gjithë potencialin e mërgimtarëve shqiptarë: kuadrot, studentët, intelektualët, punëtorët, ushtarakët, mjetet financiare të mërgimtarëve tanë, që i jepnin për UÇK-në, etj., si dhe të gjitha grupimet politike e jopolitike të mërgimtarëve shqiptarë.

Nuk mund të gjendet ndonjë shoqatë apo klub, forum apo grupim tjetër, politik dhe lopolitik, i Bashkësisë shqiptare në mërgim, që, pas masakrës serbe në Familjen Jashari, në Drenicë, të mos jetë drejtuar përmes telefonit, ose në ndonjë mënyrë tjetër, në zyrën e Qeverisë Bukoshi, në Bon të Gjermanisë, për të ofruar përkrahje dhe ndihmë për UÇK-në, për Drenicën dhe për Kosovën.

Është një dosje , e hapur në mars 1998, me shënime për gjithçka që i është ofruar, në atë kohë, Bujar Bukoshit, si kryeministër i Kosovës. Në të janë shënuar të dhëna të të gjithë atyre, që kanë telefonuar në zyrën e Bukoshit, që kanë dërguar telegrame përkrahjeje, ose që kanë ardhë vetë, në Bon, për të dorëzuar aty mjete financiare për Kosovën, e për të pyetur se çka mund të bënin tjetër për të.

Kishte të rinj e të reja, intelektualë, studentë, njohës të gjuhëve të huaja, punëtorë në moshë, ushtarakë profesionistë, ish-policë, biznesmenë, luftëtarë me përvojë dhe të dekoruar në luftën kroato-serbe dhe bashnjako-serbe, përfaqësues të grupimeve të ndryshme të mërgimtarëve tanë, gazetarë, etj., të ardhur nga anembanë Gjermania dhe nga shtete të tjera të Perëndimit, për të vënë kontakt me Qeverinë Bukoshi dhe për t’i vënë në disponim të saj, jo vetëm mjetet e tyre financiare, të kursyera me vite, për ta ndihmuar UÇK-në, por për t’i ofruar edhe trupat e tyre, për mbrojtjen e Kosovës.

BUKOSHIT NUK I BËHEJ VONË PËR ASGJË

Të gjithë ata, që në një mënyrë a në një tjetër, kontaktonin me Bujar Bukoshin, pas asaj që ofronin, shfaqnin edhe shqetësimet e tyre për gjendjen në Kosovë dhe, gati pa asnjë përjashtim, i përsëritnin tri kërkesa për Bukoshin:

1. Bukoshi të takohet me mërgimtarët dhe t’i informonte ata për gjendjen në Kosovë dhe për planin e tij për ndihmën e UÇK-së;
2. Qeveria Bukoshi ta ndalonte, me një dekret, aktivitetin e degëve të partive politike në Perëndim, që konsiderohej shumë i dëmshëm; dhe
3. Bukoshi ta merrte situatën në dorë dhe t’i drejtonte vetë punët e luftës në Kosovë.

Këto kërkesa të mërgimtarëve shqiptarë, ranë në vesh të shurdhër, sepse gjatë gjithë kohës, sa zgjati lufta në Kosovë, Bukoshi, si kryeministër, iu ka ikur takimeve me mërgimtarët tanë. Janë quajtur me fat mërgimtarët që, qoftë vetëm një herë, e kanë takuar Bukoshin, por edhe ata, pas takimit me të, janë ndarë prej tij të pakënaqur. Pothuaj të gjithë, pas takimit me të, kanë pasur mendim të njëjtë për Bukoshin. Sipas tyre, “Bukoshi është arrogant dhe grindavec“ dhe ai mund të pranojë e të ketë vetëm shërbëtorë të bindur e të nënshtruar, por jo edhe bashkëpunëtorë.

Pas të gjitha kërkesave të mërgimtarëve shqiptarë, Bukoshi vetëm ka premtuar. Ai ka premtuar në vazhdimësi pritje dhe takime me mërgimtarët, por ka ikur në vazhdimësi prej tyre. Ka premtuar në vazhdimësi “institucionalizimin“ dhe “profesionalizimin“ e UÇK-së, por, krahas këtij premtimi, ai ka thënë dhe ka përsëritur në vazhdimësit se “ËSHTË NË PRITJE TË VENDIMEVE POLITIKE NGA PRISHTINA“. Premtimet e Bukoshit, kështu, mbeteshin zvarrë dhe nuk u përmbushën kurrë.

Nga ofertat e bashkatdhetarëve shqiptarë, Bukoshi i ka pranuar vetëm paratë e tyre dhe ato ishin aq shumë, sa, veprimtarët që vinin nga rrethe të ndryshme të landeve të Gjermanisë dhe të shteteve të tjera, është dashur të pritnin gjatë në radhë, para zyrës së tij, në Bon, derisa t’u vinte radha për t’i dorëzuar paratë e gatshme, që mërgimtarët tanë i jepnin për UÇK-në.

Për kuadro poofesionistë, për bashëpunëtorë, për ekspertë, për të rinj e të reja që ishin të gatshëm t’i bashkoheshin UÇK-së, kryeministri i Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi, nuk kishte nevojë.

Bukoshi e vazhdoi, edhe gjatë luftës, avazin e tij të vjetër, me ekipin e vet gjysmak të paraluftës, që bënte sikur po merrej me të gjitha punët, por, në fakt, nuk e kryente si duhet asnjërën prej tyre.

“SUKSESI“ I BUJAR BUKOSHIT, SI KRYEMINISTËR

Do të mund të bëhej një regjistër i gjatë i punëve, që Bukoshi ka mundur t’i bëjë, por që nuk i ka bërë, gjatë “qeverisjes“ së tij, afër dhjetëvjeçare, ndërsa gjithë suksesi i tij, si kryeministër, nuk mund të shtrihet jashtë mbledhjes së fondeve, por jo edhe përdorimi i drejtë i tyre. Dhe, mbledhja e fondeve, si sukses, më tepër i dedikohet Mërgatës shqiptare, sesa Bukoshit vetë.

Mërgimtarët tanë, më tepër se çdo pjesë e popullit tanë, jo vetëm e kanë kuptuar, por edhe e kanë ndjerë mungesën e shtetit të tyre. Duke punuar e jetuar në rrugët e botës, ku e kanë ndjerë veten gjithnjë të huaj, të vetmuar e të braktisur, ata janë përballur me vështirësi të mëdha të jetës dhe këto vështirësi atyre u janë bërë edhe më të mëdha, sepse, në vendet e huaja, atyre nuk iu ka ardhë në ndihmë askush. Ata, prandaj, e kanë kuptur më së mirë, çka do të thotë të kesh dhe çka do të thotë të mos kesh shtet.

Deklaratën e 2 Korrikut, Kushtetutën e 7 Shtatorit, Referendumin për Kosovën shtet sovran e i pavarur, Zgjedhjet e para, të organizuara nga vetë shqiptarët, Presidencën dhe Qeverinë, të dala prej tyre, pavarësisht si ishin ato, askush nuk i ka mirëpritur, as i ka respektuar më mirë e më shumë sesa Mërgata shqiptare.

Mërgata shqiptare, e vetëdijshme se po e ndihmonte jetësimin e shtetësisë së Kosovës, e ka mbushur në vazhdimësi dhe pa kursyer fondin e Qeverisë Bukoshi. Pra, në idealin e lartë të saj, për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, qëndron “suksesi“ për fonde i dr. Bukoshit. (VAZHDON)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!