Përballjet brendashqiptare gjatë luftës (II) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Përballjet brendashqiptare gjatë luftës (II)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

22:00 | 30 Maj 2018

Bukoshi, mund të ketë qenë i vetëdijshëm që ai vetë, me gjithë qeverinë gjysmake të tij, nuk ishte i aftë dhe, për më tepër, kishte edhe frikë, për ta drejtuar luftën në Kosovë. Ai, mbase, për këtë arsye, e ka lëshuar me qëllim situatën nga dora dhe mezi ka pritur implikimin e drejtuesve të LPK-së, në luftë dhe në gjithë situatën e krijuar rreth saj. Madje, kjo mund të jetë edhe përgjigje në pyetjen, “Pse Bukoshi ua ka dhënë drejtuesve të LPK-së, milionat e Mërgatës shqiptare, të dedikuar për UÇK-në“? Pra, Bukoshi i ka dhënë edhe milionat “e tij“, për të qëndruar sa më larg luftës dhe UÇK-së.

Drejtuesit e LPK-së, nga ana tjetër, pavarësisht nga kufizimet dhe paaftësitë e tyre në fushë të luftës dhe të ushtrisë, mezi kanë pritur ta marrin vetë në dorë, drejtimin e luftës dhe të gjithë situatës së krijuar rreth saj, në Mërgatën shqiptare dhe në Kosovë. Milionat e Mërgatës shqiptare, të mbledhura për UÇK-në, edhe milionat e “Bukoshit“, ata, përveç të tjerash, i kanë parë edhe si mjet të fortë për ta siguruar mbikëqyrjen, kontrollin dhe ndikimin e tyre, mbi UÇK-në.
*****
Nga të gjitha grupimet, politike dhe jopolitike, të Mërgatës shqiptare, përfshirë këtu edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) ishte e vetmja organizatë, që ka dashur ta merrte, me çdo kusht, gjithë situatën në dorë dhe ta drejtonte vetë luftën në Kosovë, por pengesa kryesore në realizimin e qëllimit të saj, ishte pjesa dërrmuese e mërgimtarëve shqiptarë, e orientuar kah Bukoshi, ose, më saktë, pengesë e tyre ishte Bukoshi vetë, i cili njihej dhe pranohej si kryeministër legjitim i Kosovës.

Orientimin e mërgimtarëve tanë dhe shpresat e tyre në Qeverinë Bukoshi, i përforconte edhe ky i fundit, i cili, kohë pas kohe, me disa paraqitje ekuivoke të tij dhe në disa deklarata publike, si: “TASH E KEMI CAKTUAR PIKËN“, por “JEMI NË PRITJE TË VENDIMEVE POLITIKE“, etj., linte të kuptohej dhe krijonte përshtypjen, se ai ishte i gatshëm ta merrte situatën në dorë dhe ta drejtonte vetë luftën në Kosovë. Drejtuesit e LPK-së, prandaj, një pjesë të mirë të kohës dhe të energjisë së tyre, e kanë shpenzuar në “luftë“ kundër Qeverisë Bukoshi.

LPK-së I NGUTEJ

Derisa Bukoshi nuk dukej askund, sepse ishte i “zënë“ me punë, ishte në “udhëtim zyrtar“, mbyllej diku në zyrat e tij, mbante takime të mbyllura me njerëzit e tij, ose merrej me ndonjë punë tjetër dhe nuk kishte “kohë“ as “mundësi“ të delte para bashkatdhetarëve tanë, që ishin në pritje të takimeve me të, që ai vetë i kishte premtuar dhe që nuk i realizoi kurrë, – LPK-ja vraponte, kontaktonte me mërgimtarë, organizonte takime të mbyllura dhe të hapura, grupore dhe masive, zhvillonte aktivitet të përditshëm, kërkonte fonde për UÇK-në, etj.

Njerëzit e LPK-së, nuk kanë ikur kurrë prej bashkatdhetarëve tanë, që kanë kërkuar takim me ‘ta. Përkundrazi. Ata edhe vetë kanë kërkuar vazhdimisht takime me mërgimtarët shqiptarë. U kanë shkuar atyre në çdo qytet e në çdo fshat, shtëpi për shtëpi dhe derë më derë. I kanë informuar për gjendjen e rëndë në Kosovë, për organizimin e luftës në Kosovë dhe kanë kërkuar ndihma financiare e ndihma të tjera për UÇK-në.

Për dallim nga Bukoshi, i cili insistonte vazhdimisht në “institucionalizimin“ dhe “profesionalizimin“ e UÇK-së dhe, në emër të tyre mundohej t’i ngadalësonte e t’i zvarriste proceset, drejtuesit e LPK-së, as që i permendnin vendimet politike, as “institucionalizimin“ dhe “profesionalizimin“ e UÇK-së. Ata nxitonin për grumbullimin e fondeve për UÇK-së. Forcimin dhe përparimin e UÇK-së, krerët e LPK-së e lidhnin, kryesisht, me grumbullimin e fondeve.

Bukoshi, pra, kishte fonde dhe ato i vinin edhe pa angazhimin e tij për grumbullimin e tyre, dhe atij nuk i bëhej vonë për asgjë. Atij, thjesht, nuk i ngutej për asgjë dhe aq më pak për veprime. Drejtuesit e LPK-së, ndërkaq, nguteshin për gjithçka: për takime me mërgimtarët, për sigurimin e fondeve, për mobilizimin e vullnetarëve, që donin t’i bashkoheshin UÇK-së, e për veprime të tjera.

Në vargun e gjatë të dallimeve Qeveri e Bukoshit-drejtues të LPK-së, kishte edhe një dallim të madh, ndoshta më i madhi, ndërmjet tyre: Bukoshi, mund të ketë qenë i vetëdijshëm që ai vetë, me gjithë qeverinë gjysmake të tij, nuk ishte i aftë dhe, për më tepër, kishte edhe frikë, për ta drejtuar luftën në Kosovë. Ai, mbase, për këtë arsye, e ka lëshuar me qëllim situatën nga dora dhe mezi ka pritur implikimin e drejtuesve të LPK-së, në luftë dhe në gjithë situatën e krijuar rreth saj. Madje, kjo mund të jetë edhe përgjigje në pyetjen, “Pse Bukoshi ua ka dhënë drejtuesve të LPK-së, milionat e Mërgatës shqiptare, të dedikuar për UÇK-në“? Pra, Bukoshi i ka dhënë edhe milionat “e tij“, për të qëndruar sa më larg luftës dhe UÇK-së.

Drejtuesit e LPK-së, nga ana tjetër, pavarësisht nga kufizimet dhe paaftësitë e tyre në fushë të luftës dhe të ushtrisë, mezi kanë pritur ta marrin vetë në dorë, drejtimin e luftës dhe të gjithë situatës së krijuar rreth saj, në Mërgatën shqiptare dhe në Kosovë. Milionat e Mërgatës shqiptare, të mbledhura për UÇK-në, edhe milionat e “Bukoshit“, ata, përveç të tjerash, i kanë parë edhe si mjete për ta siguruar mbikëqyrjen, kontrollin dhe ndikimin e tyre, mbi UÇK-në.

Megjithë këto dallime dhe dallime të tjera, ndërmjet Qeverisë Bukoshi dhe krerëve të LPK-së, kishte edhe diçka të përbashkët ndërmjet tyre. Edhe LPK-ja, sikurse edhe Qeveria Bukoshi, ishte e mbyllur, pothuaj hermetikisht, ndaj kuadrove, që nuk ishin pak as të panjohur, në Mërgatën shqiptare.

Drejtuesit e LPK-së, si dhe Bukoshi me qeverinë e mangët të tij, që nga fillimet e tyre, silleshin e vepronin sikur të ishin të vetëmjaftueshëm, dhe të tillë mbetën deri në fund, pra, deri në përfundimin e luftës në Kosovë.

Në grupin e tyre drejtues, kishte të vetëlarguar, si të pakënaqur me krerët e LPK-së, ose të përjashtuar prej saj, por nuk ka pasur emra të rinj, të ardhur aty, si përforcim. Ata, sikurse edhe Bukoshi, mund të pranonin vetëm shërbëtorë, të bindur e të dëgjueshëm, por jo edhe bashkëpunëtorë, që mund t’ua ndryshonin planet.

PSE KA PASUR SUKSES LPK-ja?

Gjithë suksesi i LPK-së, për grumbullimin e fondeve për UÇK-në, lidhet me pasivitetin, me paaftësinë e dr. Bukoshit, si kryeministër. Pastaj, me pakënaqësinë e mërgimtarëve tanë, me mossuksesin e Qeverinë Bukoshi. Dhe, në fund, siç u tha tashmë, suksesi i LPK-së lidhet pazgjidhshmërisht me aktivitetet dhe veprimet e anëtarëve të saj, të cilët ditë e natë dhe në vazhdimësi, kanë punuar pa u kursyer, pa u lodhur dhe me përkushtim tepër të madh, për grumbullimin e fondeve, në ndihmë të UÇK-së dhe të luftës në Kosovë.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!