Përballjet brendashqiptare gjatë luftës në Kosovë (III) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Përballjet brendashqiptare gjatë luftës në Kosovë (III)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

22:15 | 31 Maj 2018

TAKIM I KRYEMINISTRIT BUKOSHI ME USHTARAKË SHQIPTARË

BUKOSHI: “Ne, si qeveri, ose, nëse doni, po them unë, si drejtues i qeverisë, nuk e krijoj politikën. Unë nuk marrë vendime politike. Ne jemi në pritje të vendimeve politike. Të shohim çka do të kemi pas zgjedhjeve. Pra, në pritje të vendimeve politike, ne të angazhohemi dhe të punojmë bashkërisht, në një vijë“. (Bukoshi në takim me ushtarakët shqiptarë, Tiranë, 18.03.1998)
*****
Dihej paraprakisht se iniciativa, e pranuar nga kryeministri Bukoshi, në kundërshtim me praktikën e tij të ikjes së takimeve me të interesuarit që kërkonin takim me të dhe, si duket, edhe e papeshuar mirë, – për një takim të tij, si kryeministër, me ushtarakë profesionistë shqiptarë, ishte e vonë dhe tepër e vonuar.

Në vend që iniciativa për takime të Bukoshit me ushtarakë profesionistë shqiptarë, të ndërmerrej shumë kohë para fillimit të luftës dhe, në vend që takimet të rezultonin të suksesshme e përgaditjet për t’iu dalë zot vendit dhe popullit, të fillonin me kohë, – ajo iniciativë po ndërmerrej pas fillimit të luftës në Kosovë dhe, ç’është edhe më e keqe, takimi përfundoi pa sukses. Ai takim, madje, në ato rrethana, s’kishte as si të ishte i suksesshëm.

Ideja e takimit të kryeministrit Bukoshi me ushtarakë profesionistë shqiptarë, ishte e qartë: Bukoshi do të takonte dhe do të bisedonte me dy eprorë ushtarakë, më të njohurit e më të besueshmit dhe, njëkohësisht, të pranueshëm prej të tjerëve, që do t’i përfaqësonin ushtarakët e tjerë, me përvojë të luftës. Me ‘ta do të bisedohej për gjendjen e krijuar në Kosovë dhe për kapërcimin e saj.

Ushtarakët profesionistë shqiptarë, me përvojën e luftërave në Slloveni, në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë, ishin të shpërndarë andej e këtej dhe, siç do të thoshte Adem Admaçi, silleshin “poshtë e përpjetë“, nëpër Tiranë, – krejtësisht të paorganizuar.

Për më tepër, ushtarakët shqiptarë ishin të “shoqëruar“ prej joushtarakëve, disa prej të cilëve njiheshin si drejtues të LPK-së, disa të tjerë prezantoheshin si përfaqësues të UÇK-së dhe të tjerët, si përfaqësues të organizatave të tjera, për të cilat nuk kisha dëgjar kurrë.

Joushtarakët insistonin që të merrnin pjesë edhe ata në takim. Ushtarakët nuk pranonin të takoheshin me Bukoshin, pa praninë e të parëve dhe nuk ndaheshin prej “shoqëruesve“ të tyre joushtarakë. Mbase kishin frikë, vareshin financërisht prej tyre, ose kishin ndonjë arsye tjetër, të “fortë.

Rezultuan të kota dy takimt që i pata me ‘ta dhe insistimi im që dy përfaqësues të eprorëve ushtarakë, pa praninë e të tjerëve, të takoheshin me Bukoshin. Iu thashë se Bukoshi ishte i gatshëm t’i pranonte veç e veç, në takime të ndara, përfaqësuesit e të gjitha grupimeve, por ata e refuzuan këtë propozim dhe të gjithë bashkë, ushtarakë dhe joushtarakë, ngulën këmbë për një takim të përbashkët me Bukoshin. Ashtu edhe u bë.

Naim Maloku, epror ushtarak, si më i njohuri dhe më i pranuarai nga të gjithë të pranishmit, ushtarakë dhe joushtarakë, e bëri prezantimin shkurt, të të gjithë pjesëmarrësve në takimin me kryeministrin Bukoshi.

Pas fjalës prezantuese të Malokut, Bukoshi e filloi fjalën e tij, hyrëse, pothuaj i papërmbajtur: “ Unë kam një qortim. Në këtë takim, unë kam pritur një, ose dy veta prej jush, që do t’iu përfaqësonin juve, të tjerëve. Këtu paska shumë veta, si në dasmë. Nejse, po vazhdojmë“, iu tha ai pjesëmarrësve të takimit me të. Ai, pastaj, vazhdoi me një ton të vendosur:

“Qeveria, si institucion i Republikës së Kosovës, që e kryesoj unë, është angazhuar totalisht për përballimin e gjendjes më të re, të krijuar në Drenicë. Shumë njerëz tanët i janë drejtuar ditëve të fundit qeverisë dhe kanë bërë e po bëjnë trysni mbi neve. Si rezultat i këtyre trysnive, ne kemi ndërmarrë diçka. E kemi caktuar një pikë, e kemi caktuar njeriun që është profesionistë. Ai do të merret me këtë punë“.

“Ne, si qeveri, ose, nëse doni, po them unë, si drejtues i qeverisë, nuk e krijoj politikën. Unë nuk marrë vendime politike. Ne jemi në pritje të vendimeve politike. Të shohim çka do të kemi pas zgjedhjeve. Pra, në pritje të vendimeve politike, ne të angazhohemi dhe të punojmë bashkërisht, në një vijë“, tha kryeministri Bukoshi, dhe ua kaloi fjalën pjesëmarrësve të takimit me të. (VAZHDON)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!