Pogba në Juventus, Allegri me deklaratë bombastike

14:31 | 26 Janar 2019

Mediat në Itali vazhdojnë të raportojnë se Juventus mund ta rikthej Paul Pogbën në ekip.

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka reaguar ndaj lajmit se mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba mund të kthehet në Juventus. Sipas italianit, ky lajm vjen nga imagjinata e gazetarëve.

Për 25-vjeçarin është spekuluar që nga fillimi i afatit kalimtar të verës së kaluar se ai mund të kthehet në Juventus, pasi që ishte transferuar te klubi i tij paraprak, Manchester United, verën e vitit 2016.

Pogba i kishte kaluar katër sezone mjaft produktive në Itali, dhe ai pritej që të shkëlqente në të njëjtën mënyrë edhe në Premierligë, mirëpo përkundër çmimit të lartë që “Djajtë e kuq” paguan për të, 100 milionë euro, ai nuk arriti ta bëjë këtë gjë qysh në fillim, transmeton Gazeta Express.

Ai u kritikua shumë herë se nuk i intereson për klubin dhe se nuk bën paraqitje të mira në vazhdimësi. Këto kritika, si dhe zënkat me ish-trajnerin Jose Mourinho, kishin bërë që Pogba ta kërkojë largimin nga Manchester Unitedi.

“Ti ke një imagjinatë shumë të jashtëzakonshme! Mendoj se do të jetë shumë e vështirë që të ndodhë kthimi i Pogbës në Juventus”, u shpreh Allegri në një konferencë për shtyp.

Megjithatë, tani që Mourinho është shkarkuar nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit dhe në vend të tij është emëruar Ole Gunnar Solskjaer, Pogba është i gatshëm ta rinovojë kontratën e tij me klubin anglez.

Sipas të përditshmes angleze, The Sun, Pogba dëshiron të ulet me drejtuesit e Manchester Unitedit dhe të arrijë marrëveshje për një kontratë të re me pagë më të lartë, përkundër që në kontratën e tij aktuale i ka edhe 2 vjet e gjysmë të mbetura.

25-vjeçari ka qenë në një formë mbresëlënëse që kur Solskjaer u emërua në pozitën e trajnerit të “Djajve të kuq”, duke i shënuar pesë gola të cilat i ndihmuan Manchester Unitedit t’i fitojë tetë ndeshje radhazi.

Komento: