Posta kërkon të shlyhet borxhi prej 5 milionë eurosh nga Qeveria, – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
11 °C

Posta kërkon të shlyhet borxhi prej 5 milionë eurosh nga Qeveria,

11:55 | 27 Gusht 2018

Menaxhmenti i Postës së Kosovës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se i është drejtuar me një shkresë Qeverisë së Kosovës, javën e kaluar, që në përputhje me ligjin ta shlyejë sa më shpejt borxhin në vlerë prej rreth 5 milionë euro.

“Ky borxh është krijuar për shkak se Qeveria nuk ka rimbursuar humbjet që ka pësuar Posta gjatë ofrimit të shërbimit universal postar nga viti 2013 e deri më sot. Këtë shërbim Posta është e obliguar të kryej në tërë territorin e Kosovës, pavarësisht humbjeve, ndërkaq Qeveria është e obliguar me ligj të mbulojë humbjet financiare.

Gjatë ofrimit të këtij shërbimi, Posta e Kosovës ka krijuar më shumë shpenzime se sa të hyra për shkak të tarifave të ulëta për të dërguar dërgesat. Letra e thjesht për 0.40 euro duhet të dërgohet në fshatrat më të thella të Kosovës.

Mbulimin e humbjeve prej 4,947,097.18 Euro ndërmarrja publike Posta e Kosovës është duke e kërkuar nga Qeveria për vite me radhë”, thuhet në komunikatë.

Më tej përmes kësaj komunikate menaxhmenti i Postës së Kosovës, njofton se humbjet financiare në shërbimin universal postar janë konfirmuar edhe nga organe kompetente siç janë Përmbaruesi Privat, Gjykata Themelore në Prishtinë, Auditori i Jashtëm si dhe ARKEP (Autoriteti Rregullativ i Komunikimit Elektronik dhe Postar).

“Mos mbulimi i këtij shërbimi, do të vejë Postën e Kosovës në situatë të papërballueshme financiare ku nuk do të mund të bëhet ekzekutimi i pagave për punonjësit si një obligim ligjor, si dhe do të shkaktoi probleme serioze edhe në operimin normal të ndërmarrjes.

Posta ka kërkuar nga Qeveria që brenda muajit gusht të shlyej borxhin ndaj Postës sepse nuk ekziston asnjë arsye për zvarritje të mëtejme”, thuhet në fund të komunikatës.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!