Prokuroria kërkon dënim maksimal për falsifikuesin e rezultateve zgjedhore – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
12 °C

Prokuroria kërkon dënim maksimal për falsifikuesin e rezultateve zgjedhore

17:17 | 10 Gusht 2018

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka kërkuar që të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare në zgjedhjet nacionale të vitit 2017, Mahmut Mustafës t’i shqiptohet një dënim më i rëndë.

Kjo prokurori, gjithashtu ka kërkuar që dënimi prej nëntë muajsh burgim me kusht, t’i zëvendësohet në dënim me burgim efektiv. Ankesa e prokurorisë, është shqyrtuar të premten në seancën e kolegjit të Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 prill të vitit 2018, të akuzuarin Mustafa, pas pranimit të fajësisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve, e kishte dënuar me nëntë muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë, me kusht që këto dënime nuk do të ekzekutohen nëse i akuzuari brenda dy vjetësh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Po ashtu, gjykata i kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues – heqja e të drejtës për t’u zgjedhur, ashtu që i ishte ndaluar e drejta për t’u zgjedhur në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe nacionale në Republikën e Kosovës. Si dhe të njëjtit i ishin konfiskuar edhe fletëvotimet e falsifikuara si sende përmes të cilave është kryer vepra penale.

Ndërkaq, me 8 maj të këtij viti, ankesë kundër këtij aktgjykimi kishte paraqitur vetëm Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj prokurorie, gjykata e shkallës së parë me rastin e marrjes së vendimit, gabimisht i kishte aplikuar rregullat e përgjithshme për matjen e dënimit, duke mos e marrë për bazë shkallën e përgjegjësisë penale, intensitetin e rrezikimit apo dëmtimit të vlerave të mbrojtura, si dhe rrethanat në të cilat Mustafa e kishte kryer veprën penale.

Për këto arsye, kjo prokurori me anë të ankesës kërkon nga Gjykata e Apelit, që ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar sa i përket sanksionit penal, dhe të akuzuarit Mustafa t’i shqiptohet dënim më i lartë se sa i ishte caktuar dhe në vend të dënimit me kusht t’i shqiptohet dënim me burgim efektiv.

Ndërkaq, i akuzuari Mustafa nuk kishte parashtruar ankesë për aktgjykimin në fjalë.

“Unë ankesë nuk kam bërë, jam i kënaqur me vendimin, kërkoj që të refuzohet ankesa e prokurorisë”, tha ai.

Mustafa ishte akuzuar se në cilësinë e vëzhguesit në zgjedhjet nacionale, me 11 qershor 2017, në qendrën e votimit në shkollën fillore “Sveti Sava”, në fshatin Plemetin në Obiliq, si vëzhgues i Partisë së Bashkuar Rome e Kosovës, kishte keqpërdorur pozitën zyrtare duke ndikuar për të votuar në favor të subjektit të caktuar.

Sipas aktakuzës, në sakon e tij ishin gjetur 31 fletëvotime të plotësuara për subjektin partiak, 7 copa fletëvotime për kandidatët, 15 copa kartela reklama për kandidatët të gjitha këto të Listës Serbe dhe një listë me emra dhe mbiemra të 154 personave, me ç’rast të gjitha dëshmitë ishin konfiskuar dhe pas ekspertizës kishin rezultuar si të falsifikuar.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!