Promovohet libri shkencor “Kultura Politike e Kosovës” nga autori Dr. Behar Haziri – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Promovohet libri shkencor “Kultura Politike e Kosovës” nga autori Dr. Behar Haziri

12:12 | 13 Janar 2018

Të premten më 12 janar 2018 në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB, është promovuar libri “Kultura Politike e Kosovës” nga autori Dr. Behar Haziri.

“Kultura Politike e Kosovës” i autorit Dr. Behar Haziri, është një libër studimor nga fusha e shkencave politike, ku në qendër të studimit ka analizën e sjelljes, qëndrimit, besimit dhe vlerave të qytetarit kundrejt institucioneve dhe të pjesëmarrësve politik që janë të kyçur brenda institucioneve politike në Kosovë. Rëndësia e këtij studimi shkencor është qasja që problemi i analizës shtrohet nga analiza empirike, si një nevojë e domosdoshme për të shpjeguar çështjet serioze dhe shumë komplekse të sistemit politik siç është kultura politike, dhe të problemit të stabilitetit politik në shoqëritë e ndara thellësisht siç shpjegohet nga modeli i demokracisë konsociative dhe që ballafaqohet Republika e Kosovës.

Në promovim folën edhe recensentët e librit Martin Berishaj, Ali Pajaziti dhe Hajdin Abazi.
Në fjalën e tij Martin Berishaj Profesor i Universitetit të Ljubljanës theksoi se libri “Kultura Politike e Kosovës” nga autori Dr. Behar Haziri ka arritur që shpjegoj në tërësi problemin e kulturës politike dhe të demokracisë konsociative si libri i parë që shtjellon kulturën politike në hapësirën shqiptare. Më tej Prof. Martin Berishaj theksoi se nëse Gabriel Almond e ka shtruar shtratin për hulumtime në nivel botëror, atëherë autori Behar Haziri e ka shtruar shtratin për hulumtim në nivelin shqiptar.

Profesori Ali Pajaziti nga Universiteti i Evropës Juglindore theksoi se libri studimor i autorit Dr. Behar Haziri paraqet një vepër sui generis për kontekstin shqiptar, që merret me një subjekt te veçantë, atë të diadës kultura politike dhe demokracia konsociative, si dhe me një terminologji jashtëzakonisht relevante për shkencat politike Vepra përveç instrumentariumit të pasur teorik ngërthen edhe pjesën empirike që punimin e bën të kompletuar, me të dyja qasjet, të cilësorëve dhe atë të sasiorëve. Prof. Ali Pajaziti thekson se autori Dr. Behar Haziri thellësisht analizon sjelljen politike dhe faktorët që ndikojnë në të.

Edhe Profesori Hajdin Abazi theksoi libri “Kultura Politike e Kosovës” është i pari në hapësirën e Kosovës duke i përmbushur me sukses të gjitha rregullat e metodologjisë së hulumtimit shkencor.

Autori i librit “Kultura Politike e Kosovës” Dr. Behar Haziri në fjalën e tij falënderoi të pranishmit dhe theksoi rëndësinë që ka libri në shkenca politike, në të kuptuarit e kulturës politike dhe demokracisë konsociative. Dr.Behar Haziri është i nominuar për çmimin shkencëtar i vitit 2017 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në kategorinë – kërkuesi i ri më i suksesshëm.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!

Adea Pula