Protestojnë rreth 100 punëtorë të ‘Autotransporti’-t, rrezikojnë të mbesin pa punë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
13 °C

Protestojnë rreth 100 punëtorë të ‘Autotransporti’-t, rrezikojnë të mbesin pa punë

20:11 | 01 Tetor 2018

Rreth 100 punëtorë të kompanisë “Autotransporti” rrezikojnë të mbesin pa punë.
Kjo për shkak se transportin e punëtorëve të KEK-ut, të cilin deri më tani e ka bërë kompania “Autotransporti”, sot kanë filluar ta bëjnë dy kompani të tjera.

Për këtë arsye, punëtorët e “Autotransporti”-t kanë protestuar sot para objektit të kompanisë në Obiliq.

Drejtori i kompanisë “Autotransporti”, Ejup Reka, thotë për KALLXO.com se kompania e tyre ka transportuar punëtorët e KEK-ut që nga themelimi i tij.

“Asnjëherë, me gjithë vështirësitë që kemi pasur, nuk kemi dështuar dhe çka është më e mira pa e pasur asnjëherë asnjë aksident apo fatkeqësi për jetët e njerëzve dhe kjo mendoj se duhet të çmohet. Ky është konstatim i vetë atyre që na kanë mbikëqyrë”, thotë Reka.

Reka tregon se tenderi për transportin e punëtorëve u hap në nëntor të vitit të kaluar, por u anulua 2-3 herë.

“Pas përfundimit të kontratës paraprake në muajin 11 të vitit të kaluar u shpall një dosje e tenderit e cila ishte dosje shumë reale. Këtë punë duhet ta kryejë një subjekt i cili ka një përvojë të gjatë të punës, të cilët ishim ne dhe pastaj filluan lojërat manipulative dhe kjo dosje dy-tri herë u anulua”, shprehet Reka.

Reka shtoi se autobusët që sot bënë transportin e punëtorëve janë mbledhur nga shumë kompani.

“Autobusët që sot qarkullojnë janë të mbledhur nga shumë kompani nëpër tërë Kosovën. Unë besoj se edhe ngecje të punëtorëve ka pasur”, shprehet Reka.

Drejtori Reka thotë se ende nuk dihet nëse kanë përfunduar procedurat e tenderimit.

“Thuhet se nuk është nënshkruar kontrata. Në momentin që këta janë shpallur fitues është dhënë një publikim pastaj është afati ligjor për ankesa, ne i jemi drejtuar nivelit të parë, e kanë refuzuar kërkesën tonë, e drejta jonë ligjore është të pritet 10 ditë ankesa, këta nuk kanë pritur as ditën e tretë, a kanë kontratë a jo nuk e di po punën e kanë filluar”, thotë Reka.

Ndërsa Mehmet Mehani, punëtor i kompanisë “Autotransport” thotë se kanë përkrahjen e punëtorëve të KEK-ut dhe të Sindikatës.

“Ne jemi mbledhur sot me protestu në emër të 100 punëtorëve, në emër të “Autotransportit”, kemi përkrahjen prej punëtoreve të KEK-ut, prej Sindikatës. Këtë veprimtari e zhvillojmë që 60 vite. Kemi punuar nëpër borë e nëpër shi, nuk kemi humbur asnjë vijë, mirëpo të gjitha kanë rënë në vesh të shurdhër”, shprehet Mehani.

Ai thotë se do të vazhdojnë të protestojnë.

“Normalisht, kemi me kërku të drejtën tonë në çdo instancë”, thotë Mehani.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e KEK-ut, Skender Bucolli, për t’u njoftuar nëse është nënshkruar kontrata nga kompanitë të cilat kanë filluar punën sot por ende nuk ka marrë përgjigje.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!