Qeveria devijon kahun për minierën e “Kosovës së Re” për tenderin milionësh – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
15 °C

Qeveria devijon kahun për minierën e “Kosovës së Re” për tenderin milionësh

10:46 | 01 Qershor 2018

Qeveria e Kosovës po planifikon të shpall edhe një tender milionësh për hapjen e Minierës së Re për termocentralin “Kosova e Re”. Përkundër rekomandimeve të KEK-ut që miniera të jetë vazhdimësi e minierës ekzistuese (Sibovci Jugperendim), në fshatin Hade, Qeveria po synon ta zhvendos atë në fshatin Lismir. Sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo, në këtë variant duhet të shpallet tender milionësh për heqjen e dheut si dhe mund të shkojnë vite deri në hapjen e saj

Shkruan: Agon Sinanaj

Qeveria e Kosovës po synon t’i shmang variantet më të përshtatshme, të propozuara nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për hapjen e Minierës së Re që do të jetë në dispozicion të termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo, opsioni më i përshtatshëm i propozuar nga KEK-u për hapjen e Minierës së Re ka qenë vazhdimi në minierën ekzistuese “Sibovci Jugperendim”, ku përfshihet fshati Hade, banorët e së cilës ka vite që kërkojnë t’iu bëhet një zgjidhje.

Por Qeveria e Kosovës, përkatësisht Komisioni i themeluar nga kryeministri Haradinaj për këtë çështje, është para fazës finale për një variant tjetër, që është me kosto shumë më të lartë.

Miniera e re po synohet të hapet në fshatin Lismir të Fushë Kosovës, duke e shmangur krejtësisht minierën ekzistuese.

“Nga takimi i fundit me kryeministrin, pothuajse është vendosur për këtë opsion. Nëse shkojmë me fshatin Lismir, kjo i bie që ne duhet të shpallim tender për ta përzgjedhur një kompani që ta heq dheun dhe ka paqartësi se kur mund të hapet miniera e re”, ka thënë një anëtar i Komisionit të Haradinajt duke shpalosur detaje nga takimi. Në fshatin Lismir, në zonën ku po synohet të hapet miniera e re, KEK-u ndër vite ka hedhur dheun e mbledhur nga minierat ekzistuese.

Rekomandimi i KEK-ut për fshatin Hade

Ndërkaq, nëse Qeveria përfundismisht vendos për këtë variant, atëhërë kjo do të ishte kundër rekomandimeve të KEK-ut rreth vendit më të përshtatshëm për hapjen e Minierës së Re.

Në një analizë të Komitetit të krijuar nga kryeministri, një kopje të të cilës e ka siguruara ORAinfo, të datës 6 prill, variant i vazhdimit të minierës ekzistuese përmendet si më i përshtatshëm.

“Komiteti unanimisht propozon që varianti (fusha) më e favorshme në aspektin tekniko-teknologjik është Varianti – Veri N.3.2, ku përfshihet fshati Hade, me kusht që Qeveria të garantojë zhvendosjen e fshatit Hade në vitet 2018/19”, thuhet në këtë analizë.

Komiteti në letrën e tij për kryeministrin përmend një mori arsyesh pse duhet të vendoset për këtë variant.

“Fronti i hapur për tërë gjatësinë e shkallës në djerrinë dhe qymyr në jug dhe perëndim. Nga aspekti teknologjik sipas gjendjes ekzistuese shumë shpejt arrijmë deri të krijimi i rezervave të mjaftueshme të qymyrit për furnizim në kontinuitet. Kualiteti i qymyrit i përmbush parametrat e kërkuara. Rrugë me të shkurtra transportuese. Mirëmbajtje më pak e kushtueshme etj.”

Në fund të analizës, Komiteti edhe njëherë saktëson se duke u bazuar në të gjitha këto, “përcaktohemi për variantin e Fushës Veriore dhe propozojmë që variant më i favorshëm për Minierën e Re është përfshirja e fushës Hade”.

Varianti në Lismir, nxjerrja e qymyrit nis në vitin 2032

Ndërkohë varianti në fshatin Lismir, i cili pritet të marrë driten jeshile nga Qeveria javën tjetër, përveç shumë paqartësive, ka si mangësi të madhe edhe kohën kur do të filloj aty nxjerrja e qymyrit.

Sipas analizës së KEK-ut, të siguruar nga ORAinfo, rezervat e para do të nxirreshin tek në vitin 2032. Po ashtu duhet të përzgjedhet një kompani e specializuar për heqjen e dheut të grumbulluar aty ndër vite.

“Në këtë zonë duhet të bëhet largimi i 110 milionë m3 masa të palosura të djerrinës që nënkupton mekanizëm diskontinuel. Blerja e 3 sistemeve të reja (Eskavator, Palosesa dhe shirita transportues).

Puna paralele në dy frontet dhe problematika e palimit të këtyre masave në palosje aktuale. Hulumtime gjeologjike të pamjaftueshme për sasinë dhe kualitetin e qymyrit”, janë vetëm disa nga mangesitë që analiza e KEK-ut përmend për këtë variant.

Paqartësia në vendimarrje

ORAinfo merr vesh së ky devijim në hapjen e minierës së re, ka krijuar paqartësi tek institucionet vendimmarrëse rreth asaj se kush duhet të vendos për Minierën e Re. Kjo çështje është dashur të kryhet qysh në muajin mars.

“KEK nuk ka mundur të vendos për këtë çështje. Ka kërkuar ndihmën tonë si Qeveri. Kryeministri ka krijuar një komitet i cili i ka dhënë rekomandimet e tij”, kanë thënë burime të afërta me zhvillimet, duke shtuar se të gjithë presin që vendimin final ta marrë kryeministri Haradinaj.

Ky i fundit mbledhi këtë javë në takim anëtarët e Bordit të KEK-ut, menaxhmentin dhe anëtarët tjerë të Komisionit Teknik të Qeverisë, për të diskutuar rreth minierës së re, në kuadër të përgatitjeve për termocentralin Kosova e Re.

Por ai vendimarrjen për hapjen e minierës së re e hodhi tek Bordi i KEK-ut.

“Jemi në ato etapat kur duhet të veprojmë saktë dhe në kohë në ato obligimet tona që lidhen me investimet për Kosovën e Re, edhe që është njëra prej atyre punëve kryesore, është miniera e re. Kisha propozuar që ju që jeni kompetentë të ngarkuar me përgjegjësi ta ndihmoni Qeverinë me veprimet e juaja në bazë të kompetencat që keni që punët në miniera të ndodhin në kohë”, tha Haradinaj. /ORAinfo/

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!