Qeveria ‘krye ne vete’ ia ndërron kahjen mihjes së re, injoron rekomandimet e KEK-ut – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
5 °C

Qeveria ‘krye ne vete’ ia ndërron kahjen mihjes së re, injoron rekomandimet e KEK-ut

11:28 | 10 Korrik 2018

Qeveria e Kosovës përfundimisht ka vendosur që t’ia ndërroj kahjen Minierës së Re që do të jetë në dispozicion të termocentralit “Kosova e Re”. Lokacioni do të jetë në fshatin Lismir të Fushë Kosovës. ORAinfo ka siguruar dëshmi se kjo u bë përkundër faktit se KEK-u kishte propozuar që varianti më i mirë është vazhdimi në minierën ekzistuese “Sibovci Jugperendim”

Shkruan: Agon Sinanaj

Përkundër rekomandimeve të KEK-ut që Miniera e Re të jetë vazhdimësi e asaj ekzistueses “Sibovci Jugperendim”, Qeveria e Kosovës ka vendosur që lokacioni të jetë në Fushë Kosovë.

Sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo, opsioni më i përshtatshëm i propozuar nga KEK-u për hapjen e Minierës së Re ka qenë vazhdimi në minierën ekzistuese “Sibovci Jugperendim”, ku përfshihet fshati Hade, banorët e së cilës ka vite që kërkojnë t’iu bëhet një zgjidhje.

Por Qeveria e Kosovës, përkatësisht Grupi Teknik, tashmë ka vendosur që Miniera e Re të hapet në fshatin Lismir të Fushë Kosovës, duke e shmangur krejtësisht minierën ekzistuese. ORAinfo kishte raortuar ditë më parë se ky vendim pritet të merret shumë shpejt.

“Nga takimi i fundit me kryeministrin, pothuajse është vendosur për këtë opsion. Nëse shkojmë me fshatin Lismir, kjo i bie që ne duhet të shpallim tender për ta përzgjedhur një kompani që ta heq dheun dhe ka paqartësi se kur mund të hapet miniera e re”, pati thënë një anëtar i Komisionit të Haradinajt duke shpalosur detaje nga takimi.

Në fshatin Lismir, në zonën ku po synohet të hapet miniera e re, KEK-u ndër vite ka hedhur dheun e mbledhur nga minierat ekzistuese. Në bazë të dokumenteve të siguruara, Qeverisë për këtë variant do t’i duhet të shpall tender milionësh për heqjen e dheut si dhe do të shkojnë deri në 10 vite para se miniera të jetë e gatshme për nxjerrjen e qymyrit.

KEK-u kishte propozuar minierën ekzistuese

Kundër këtij varianti kishte dal vetë Korporata Energjetike e Kosovës.
Në një analizë të Komitetit të krijuar nga kryeministri, një kopje të të cilës e ka siguruara ORAinfo, të datës 6 prill, variant i vazhdimit të minierës ekzistuese përmendet si më i përshtatshëm.

“Komiteti unanimisht propozon që fusha më e favorshme në aspektin tekniko-teknologjik është Varianti – Veri N.3.2, ku përfshihet fshati Hade, me kusht që Qeveria të garantojë zhvendosjen e fshatit Hade në vitet 2018/19”, thuhet në këtë analizë.

Komiteti në letrën e tij, për kryeministrin përmend një mori arsyesh pse duhet të vendoset për këtë variant.

“Fronti i hapur për tërë gjatësinë e shkallës në djerrinë dhe qymyr në jug dhe perëndim. Nga aspekti teknologjik sipas gjendjes ekzistuese shumë shpejt arrijmë deri të krijimi i rezervave të mjaftueshme të qymyrit për furnizim në kontinuitet. Kualiteti i qymyrit i përmbush parametrat e kërkuara. Rrugë me të shkurtra transportuese. Mirëmbajtje më pak e kushtueshme etj.”

Në fund të analizës, Komiteti edhe njëherë saktëson se duke u bazuar në të gjitha këto, “përcaktohemi për variantin e Fushës Veriore dhe propozojmë që variant më i favorshëm për Minierën e Re është përfshirja e fushës Hade”.

Ndërkohë varianti në fshatin Lismir, i cili tashmë është aprovuar, përveç shumë paqartësive, ka si mangësi të madhe edhe kohën kur do të filloj aty nxjerrja e qymyrit.

Sipas analizës së KEK-ut, të siguruar nga ORAinfo, rezervat e para do të nxirreshin tek në vitin 2032. Po ashtu duhet të përzgjidhet një kompani e specializuar për heqjen e dheut të grumbulluar aty ndër vite.

“Në këtë zonë duhet të bëhet largimi i 110 milionë m3 masa të palosura të djerrinës që nënkupton mekanizëm diskontinuel. Blerja e 3 sistemeve të reja (Eskavator, Palosesa dhe shirita transportues).
Puna paralele në dy frontet dhe problematika e palimit të këtyre masave në palosje aktuale. Hulumtime gjeologjike të pamjaftueshme për sasinë dhe kualitetin e qymyrit”, janë vetëm disa nga mangesitë që analiza e KEK-ut përmend për këtë variant.

Lluka: Lokacioni i ri është orientim strategjik

Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë për media se grupi teknik ka gjetur se drejtimi nga jugu për minierën e re është orientim strategjik për vendin.

Ai ka thënë se ky rekomandim i grupit teknik është me kushtëzim, pasi duhet të bëhen hulumtime të reja në atë zonë për të parë nëse sasia dhe cilësia e qymyrit është e mjaftueshme për të bërë një investim të tillë.

“Rekomandimi i grupit teknik thotë që si orientim strategjik për vendin duhet përdorur drejtimi nga ana e jugut, mirëpo deri në 2027 apo vitin 2030 duhet të vazhdojë në këtë drejtim, pra kah veriu, sepse ka rezerva të dëshmuara edhe mandej duhet me i konfirmu të gjitha informatat për me bo shpuarje nga ana e jugut, për me i konfirmu se ka qymyr dhe kualitet. Ndërsa, nëse ndodhë e kundërta, pra nuk ka qymyr me kualitetin e duhur, atëherë na duhet me vazhdu nga ana e veriut për 40 vitet e ardhshme”, tha Lluka.

Nëse shkohet kah jugu, Lluka thotë se do të ishte një orientim i mirë për vendin, pasi që mbi 90% e tokave janë shtetërore dhe nuk do të kishte fare kosto të shpronësimeve, e që do të sigurohej mjaftueshëm qymyr për 40-50 vitet e ardhshme.

“Nëse shkojmë ka jugu nuk do të ketë nevojë për shpronësime”, tha Lluka.
“Nëse del jugu ashtu siç po thonë ekspertët të bazuara edhe në disa matje të paraluftës e të pasluftës, gjitha rezultatet tregojnë se ka potencial ma të madh se sa kah veriu. Madje thuhet se edhe thëngjilli është më i mirë në Jug, ka ma shumë kalori dhe ka rezerva për 40 vitet e ardhshme”, ka thënë tutje ministri Lluka.

Nëse orientimi i mihjes bëhet kah Jugu (në drejtim të Fushë Kosovës), i bie që fshati aktual i Hadës nuk do të ketë nevojë që të shpronësohet në 50 vitet e ardhshme.

Ai thotë se nëse del që nga jugu nuk mund të vazhdohet të mihet, atëherë duhet shkuar nga veriu, ku përsëri pas Hades do të ketë nevojë për shpronësime të reja, sepse tokat në veri janë në shumicë private.

“Kjo është çështje e ndjeshme sepse pas Hades, ka edhe shumë e shumë toka private që ish dashtë me i shpronësuar, por për me i evituar ato toka në të ardhmen, ne po marrim orientimin strategjik nga jugu, mirëpo për 10 vitet e ardhshme kemi me vazhduar ka veriu, që do të thotë kah Hadja dhe besoj se ato toka do të shpronësohen dhe nuk do të ketë ndërtime”, ka thënë ai.

Lluka ka bërë të ditur gjithashtu se rekomandimi i grupit teknik për këtë çështje do të shkojë në Qeveri gjatë javës së ardhshme. /ORAinfo/

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!