Referendum për Demarkacionin, Kushtetuta e lejon nga viti 2008! – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Referendum për Demarkacionin, Kushtetuta e lejon nga viti 2008!

Shkruar nga: Dardan Gashi

13:33 | 10 Janar 2018

Thuhet se kur Toma Akuini (1225-1274) një murg, teolog e reformator mesjatar i Kishës Katolike kishte filluar karrierën e tij prej murgu i kishte rastisur të marrë pjesë në një darkë mes murgjëve më të vjetër, të gjithë teolog të rryer. Bisedën që ai po e dëgjonte ishtë një diskurs i nxehtë rreth pyetjes se sa dhëmbë i ka një kalë. Murgjit e vjetër po citonin e konsultonin libra fetarë, libra të shenjtë, e po shtyheshin e argumentonin me pasion. Toma i ri, ende i lidhur me botën reale e i pa thelluar në botën e teologjisë i kishte ndërprerë dikur duke u sygjeruar se jashtë ishin të lidhur disa kuaj dhe ndoshta do të ishte më lehtë t´i numronin dhëmbët e tyre sesa të debatonin e hidhëroheshin pafundësisht. Natyrisht që Toma i ri u ndëshkua fillimisht për këtë ndërhyrje heretike…

Politika shpesh herë ka afinitet të debatojë në emër të popullit , për popullin por pa popullin! Pikërishit populli i zgjedhë përfaqësuesit e vet dhe në rastin ideal këta i reprezentojnë kërkesat dhe dëshirat e tij. Por çka kur përfaqësuesit vazhdimisht dështojnë të japin përgjigjje në pyetje e brenga kyçe të qytetarëve të vet?

Demarkacioni përshembull, është shëndrruar në kauzë kyçe për të cilën politika nuk po gjenë udhë! Kundërshtarë dhe mbështetës të versionit aktual insistojnë se mbrojnë intresin e vendit dhe të sovranit duke u sillur kështu në rreth qe tre vjet. Mosaftësia për t´i dhënë udhë kufirit me Malin e Zi, solli skena trishtuese në Kuvend e në rrugët e kryeqytetit, arrestime e dënime deputetësh, rrëzimin e një qeverie bashkë me përfaqësuesit e popullit dhe zgjedhjen e një Kuvendi e Qeverie të re. Por prap se prap demarkacioni po qëndron palëkundshëm si mollë sherri mes nesh këtu në Kosovë dhe mes nesh e miqve në BE dhe SHBA. Kush duhet t´i jap përgjigjje kësaj pyetje kur përfaqësuesit e popullit janë të pazot ose të pavullnet t´i japin? Populli vet – Sovrani – me referendum!

Çuditërisht tek ne ekziston një bindje se Kosova nuk ka të drejtë të organizoj instrumentin bazë të demokracisë, REFERENDUMIN! Por fatmirsisht nuk është e vërtetë. Republika e Kosovës KA të drejtë ta pyes Sovranin.

Është e vërtetë që kjo e drejtë është e cunguar paksa por parimisht Kuvendi i Republikës së Kosovës në bazë të Kushtetutës së Republikës ka të drejtë të thërras referendum. Neni 65 i Kushtetutës i cili flet për kompetencat e Kuvendit në pikën 3 thotë se: (Kuvendi) “shpall referendum, në pajtim me ligjin”. Poashtu Kushtetuta duke folur për kompetencat e Komisionit Qëndror Zgjedhor ndër të tjera i jep autoritet për organizimin e referendumit (neni 139; pika 1 “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyrë, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre.”

Çështjet për të cilat Kuvendi nuk mund të thërras referendum janë të specifikuara qartë në nenin 81 të Kushtetutës por asnjëri nga këto përkufizime nuk ndërlidhet me temën e demarkacionit por me të drejtat e pakicave!

Parimisht pra Kushtetuta e Republikës së Kosovës qysh prej vitit 2008 parasheh referendumin si instrumet për zgjidhjen e problemeve të vendit. Nga frika se mos po hapet ndonjë “kuti e Pandorës”, lëre që ky instrument nuk është përdorur kurrë por si duket është varrosur thellë diku në skutat e trurit të politikës.

Natyrisht që për shkak të kësaj “harrese” mungon edhe ligji përkatës por korniza ligjore përcjellëse mund të hartohet brenda më pak se një jave po të ketë vullnet e konsens politik: praktika referendumesh ekzistojnë në gjithë botën demokratike e posaqërisht në shtetet e BE-së. Procedurat e votimit për referendum janë identike me ato të zgjedhjeve qëndrore e lokale, listat zgjedhore janë të njëjta, vendëvotimet janë të njëjta, personeli profesional i KQZ-së është i njejti. Me pak vullnet mund të hartohet ose adaptohet edhe ajo pak që mungon për t´i dhënë sovranit zërin e tij, që të vendosë aty ku të përzgjedhurit e tyre dështojnë të vendosin.

Sovrani pra, me anë të referendumit do të mund të vendoste mes së paku dy opsioneve:

Të autorizoj Kuvendin e Kosoves të ratifikoj marrëveshjen aktuale të demarkacionit me Malin e Zi duke obliguar njëkohësisht qeverinë e vendit që ti filloj menjëherë procedurat për rishikimin e vijës kufitare duke e korrigjuar atë, aty ku gjenden fakte se vija kufitare është vendusur në dëm të Republikës së Kosovës, sipas pikës 2 të aneksit të marrëveshjes;
Të refuzoj versionin aktual dhe gjithçka të kthehet në pikën zero!
Në qoftëse sovrani do ta autorizonte Kuvendin për ratifikim, Kosovës do t´i hapej rruga për liberalizimin e vizave dhe përshpejtimin e integrimeve në BE! Klasës politike të Kosovës do t´i hiqej një barrë e madhe për të cilën siç po shihet qartë nuk ka dhe nuk do të ketë konses në një të ardhme të afërt. Edhe nese sovrani refuzon verzionin aktual atëherë është në vet vullnetin e qytetarëve që ta pranojnë sfidën për ta bindur botën, se Kosovës po i bëhet një e padrejtë dhe se populli i saj është i gatshëm ta sakrifikoj liberalizimin për hir të qartësimit të vijës kufitarë më shtëtin fqinj.

Rruga e referendumit mund të duket e gjatë por sigurisht se nuk eshtë më e gjatë se kjo që e kaluam e po e kalojmë. Duke pasur parasysh që korniza bazë për organizimin e referendumit ekziston, brenda kësaj pranvere do të mund të qartësohej gjithçka rreth kësaj teme që padrejtësisht është bërë lak në qafën e qytetarëve të këtij vendi. Të paktën referendumi do ta qartësoj njeherë e përgjithmonë disponimin e qytetarëve dhe do të futej si praktikë që në të ardhmen tema të tilla të mos mbesin privilegj i disa të përzgjedhurve dhe arenë për larje hesapesh politike. Edhe eksponentët politik, perkrahësit dhe kundërshtarët e verzionit aktual, do ta kenë mundësinë që të bindin qytetarët për pikpamjet e tyre dhe të bëjnë fushatat e tyre pro et contra. Partitë politike në fund do ta shohin se a eshtë ajo që kanë parfaqësuar deri në atë moment me të vertetë vullneti i popullit apo teologji e llojit të vet.

….kur politika kurthurohet në thellsitë e diskurseve të pafund, inateve, revansheve e taktizimeve për tema kyçe, është mirë që sovrani t´i tregoj politikës se sa dhëmb i ka kali!

Dardan Gashi – Zv/Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës

(Ky shkrim shpreh vetëm pikpamjet personale të autorit dhe në asnjë mënyrë të Qeverisë së Kosovës)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!