Rehabilitimi i këtyre dy linjave hekurudhore do të nis këtë vit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Rehabilitimi i këtyre dy linjave hekurudhore do të nis këtë vit

10:06 | 05 Shkurt 2019

Këtë vit pritet të fillojë rehabilitimi i dy linjave hekurudhore.

Infrastruktura hekurudhore në Kosovë vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë.
Por gjatë këtij viti pritet të fillojë rehabilitimi i dy linjave hekurudhore.

Kryeshefi i “Infrakos”-it, Agron Thaçi, tha për Radio Kosovën se gjatë muajit shkurt do të fillojë rehabilitimi i segmentit të parë nga Hani i Elezit deri në Fushë Kosovë, ndërsa më pas do të bëhet rehabilitimi i hekurudhave Fushë Kosovë – Leshak

Nga fundi i muajit shkurt pritet të nisin punimet në rehabilitimin e segmentit të parë hekurudhor, nga Hani i Elezit deri në Fushë Kosovë, në gjatësi prej 65 kilometrave.

Kurse në qershor pritet të fillojë rehabilitimi edhe i segmentit të dytë të këtij rrjeti, nga Fushë Kosova deri në Mitrovicën e Jugut, në gjatësi prej rreth 40 kilometrave.

Sipas përllogaritjeve, tërësia e këtyre investimeve pritet të kapë vlerën e mbi 200 milionë eurove.

Kryeshefi ekzekutiv i Infrakos-it, Agron Thaçi, ka thënë për Radio Kosovën se gjysma e mjeteve për këtë investim është e siguruar si donacion nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), kurse pjesa tjetër do të sigurohet në formë të kredisë së butë.

“Synojmë që në vitin 2019 të fillojmë rehabilitimin e 100 kilometrave, nëse shkojnë punët sipas planeve, deri në fund të 2020-ës t’i kemi 100 kilometra hekurudhë të rehabilituara sipas standardeve më të larta të BE-së”, tha Thaçi.

Thaçi tha se rehabilitimi i dy segmenteve të para të linjës 10 të hekurudhave, nënkupton pothuajse rindërtimin e tërësishëm të saj.

“Thënë shkurt, do të bëhet linjë e re, vetëm traseja do të mbetet. Nuk do të mbetet asgjë pa u bërë e re. Patjetër. Sepse ne po flasim për mos investime për një periudhë 40 vjeçare dhe përafërsisht kjo trase të mbetet, sepse ne automatikisht ikim nga shpronësimet të cilat kanë një kosto marramendëse, marrin edhe kohë për t’u realizuar por marrin edhe para shtesë”, tha ai.

Kryeshefi Agron Thaçi u shpreh se gjatë 2019-ës pritet hartimi edhe i planit për segmentin e tretë të kësaj linje, nga jugu i Mitrovicës deri në kufi me Serbinë, pas një marrëveshjeje të mundshme me këtë shtet.

Investimet në këtë linjë hekurudhore pritet të përfshijnë edhe sinjalizuesit, ndërsa me përfundimin e saj, shpejtësia e lejuar në këtë hekurudhë pritet të rritet nga 70 në 120 kilometra në orë.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!