Rritja e pagave në sektorin publik, në kurriz të atij privat – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Rritja e pagave në sektorin publik, në kurriz të atij privat

10:56 | 21 Shtator 2017

Përfaqësues të punëtorëve të sektorit privat dhe komunitetit të bizneseve në Kosovë, shprehin shqetësime në lidhje me premtimet e zyrtarëve të Qeverisë për rritjen e pagave për punonjësit e sektorit publik.

Premtimet e tilla, sipas tyre, demotivojnë dhe do të jenë sfidë për sektorin privat, nga i cili varet edhe buxheti i Kosovës.“Rritja e pagave për shërbyesit publik do të jetë pjesë e buxhetit të vitit 2018”, thuhet në një përgjigje përmes postës elektronike nga Zyra për Komunikim Publik të Ministrisë se Financave.

Rritja e pagave, thuhet në përgjigje, do të jetë “në përputhje me rritjen ekonomike, në përputhje me mundësitë reale buxhetore, si dhe brenda infrastrukturës legale”.Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha për Radion Evropa e Lirë se meritat më të mëdha për stabilitet dhe qëndrueshmëri ekonomike në vend i ka sektori privat. Prandaj, sipas tij, fokusi duhet të orientohet tek ky sektor, në të cilin edhe ashtu janë pagat e vogla.

“Deklarata për rritje pagash, vjen për një kohë të shkurtër pas formimit të kabinetit qeveritar dhe para rishikimit të buxhetit për këtë vit. Kjo deklaratë vjen në kohën kur nuk është paraqitur në Kuvendin e Kosovës as programi i Qeverisë aktuale”.

“Prandaj, besoj se nuk i bëhet nderë procesit ekonomik dhe forcimit të sektorit privat kjo deklaratë, sepse edhe ashtu, tashmë ka një dallueshmëri të pagave në mes sektorit publik dhe atij privat. Në sektorin publik pagat janë të larta me përformancë të pamerituar, kurse në sektorin privat është një qasje pak më ndryshe”, thotë Gërxhaliu.

Ndërkohë, përfaqësuesit e punëtorëve thonë se rritja e pagave për të gjithë punonjësit në Kosovë është e domosdoshme, por që nuk duhet të favorizohen sektorë të caktuar.Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Alush Sejdiu tha se paralajmërimi për rritjen e pagave vetëm për sektorin publik është i ngutshëm, pasi që kontribuues i pagave të punëtorëve të sektorit publik, është pikërisht sektori privat.Sektori privat, thotë ai, mbushë arkën e shtetit, kurse pagat i marrin punëtorët e sektorit publik.

“Në bazë të statistikave të BSPK-së, mbi 300 mijë qytetarë janë të punësuar në sektorin privat dhe kjo e vërteton atë se sektori privat e mbush ‘arkën’ e shtetit, kurse shpërblehen shumë më pak. Kurse në sektorin publik janë të punësuar mbi 82 mijë veta dhe shpërblehen më shumë”, thotë Sejdiu për Radion Evropa e Lirë.Sipas tij, Qeveria e re e Kosovës në radhë të parë duhet të përmirësojë kushtet e punëtorëve në sektorin privat, pastaj të shikojë mundësitë për rritjen e pagave.

Në anën tjetër Safet Gërxhaliu, thotë se paralajmërimi për rritjen e pagave, mund të kuptohet edhe si përgatitje politike për zgjedhje të shpejta në Kosovë. “Është koha që të kemi kujdes, të mos eksperimentojmë me këto procese, mos të rrënohen rezultat e të kaluarës… Ky premtim për rritje të pagave, mos është edhe një parapërgatitje politike për zgjedhje të shpejta në Kosovë”, thotë Gërxhaliu.

Ndryshe, rritje të pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve publik, prej 25 deri në 50 për qind ka pasur edhe në vitin 2014 edhe më herët më 2011, vite këto kur ka pasur zgjedhje në Kosovë.Sipas të dhënave, paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është mbi 420 euro në muaj, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!