Rrugët e zeza të Kosovës, ja sa persona humbën jetën për 6 muaj – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Rrugët e zeza të Kosovës, ja sa persona humbën jetën për 6 muaj

10:39 | 10 Korrik 2018

Rruga magjistrale Duhël – Suharekë u kthye në mort për pesë anëtarët e familjes Sadikaj nga Sopia e Suharekës. Jo vetëm kjo rrugë, por edhe shumë të tjera janë kthyer në tragjedi për shumë familje kosovare si pasojë e mosrespektimit të rregullave të komunikacionit nga vozitësit.

Policia apelon për rritje të kujdesit, në anën tjetër njohës të çështjeve të sigurisë kërkojnë rritje të masave nga autoritetet përgjegjëse e sidomos gjatë muajve të verës, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti 60 persona kanë humbur jetën në aksidente komunikacioni, por edhe shumë të tjerë janë lënduar lehtë e rëndë.

Të dielën në magjistralen Duhël – Suharekë në një aksident të rëndë komunikacioni 5 persona të familjes Sadikaj nga Sopia e Suharekës kanë mbetur të vdekur në vend.

Po ashtu në të njëjtën ditë me familjen Sadikaj një person tjetër humbi jetën si pasojë e aksidentit në trafik në Shtime.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se rreth 60 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në gjashtë muajt e parë të këtij viti, shkruan më tutje “Zëri”.

Policia e Kosovës ka pohuar se me qëllim të ngritjes së sigurisë në trafikun rrugor, ngritjes së vëmendjes për një kujdes më të shtuar për të gjithë pjesëmarrësit në trafik në vazhdimësi ndërmerr veprime policore, të cilat kontribuojnë në ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik.

Sipas Policisë, gjatë këtij gjashtëmujori është evidentuar rënie e aksidenteve fatale për 19,61% dhe rënie në total të aksidenteve prej 13,25%, shqetësuese ende mbetet humbja e vetëm edhe një jete në trafik.

Policia e Kosovës bën thirrje te të gjithë pjesëmarrësit në trafik e në veçanti te drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, duke respektuar në tërësi të gjitha rregullat dhe dispozitat ligjore.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!