Sa milionë euro shtesë ia kërkoi Bechtel–Enka Ministrisë për autostradën Prishtinë-Shkup? – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Sa milionë euro shtesë ia kërkoi Bechtel–Enka Ministrisë për autostradën Prishtinë-Shkup?

19:42 | 29 Nëntor 2017

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dy ditë më parë tha se Autostrada Prishtinë -Shkup do të përfundojë në fund të vitit 2018. Por, sipas tij, me një kosto shtesë prej 63 milionë eurosh. Për këtë shumë, Lekaj dhe paraardhësi i tij Lutfi Zahrku polemizuan publikisht. Ky i fundit tha se bëhet fjalë për 14.8 milionë. Por, kompania që po ndërton autostrada tash e sa vjet në Kosovë, Bechtel-Enka konfirmon se Ministrisë së Infrastrukturës ia ka kërkuar 63 milionë euro shtesë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, gjatë një intervistë ka deklaruar se autostrada për Shkup, do të kushtojë 63 milionë euro më shumë se sa që është paraparë. Kjo për shkak të vonesave që pagesave janë bërë ndaj kompanisë së kontraktuar për të kryer punimet, Bechtel-Enka’s.

Për këtë, ministri Lekaj e akuzoi udhëheqjen e kaluar të këtij dikasteri, që sipas tij, kanë neglizhuar kontratën. Por, ish-Ministri Zharku dje për Gazetën Express tha se në mandatin e tij është folur për 14.8 milionë më shumë, e jo 63 milionëshin të cilin e përmendi Lekaj.

“Ne kemi folur për 14.8 milionë, propozimi është në Qeveri për shkak të shtyrjes së afatit të punimeve”, ka thënë Zharku.

Anash akuzave e kundërakuzave mes ish-Ministrit Zharku dhe Ministrit Lekaj, institucioneve vërtetë po i kërkohet të paguajnë 63 milionë euro më shumë për t’u përfunduar punimet në autostradën drejt Shkupit. Kjo thuhet edhe në dokumentin që Bechtel-Enka i ka nisur MI’së.

Në këtë dokument thuhet se palës kontraktuese i janë shkaktuar dëme dhe ka pasur vonesa në përfundimin e punimeve – krejt këto si rezultat i pengesave nga punëdhënësi – në këtë rast Ministria e Infrastrukturës.

Këtë e konfirmon edhe Ela Ruçi, zëdhënëse e kompanisë Bechtel-Enka.

Ruçi tregon se javën e kaluar kjo kompani i është drejtuar Ministrisë ku e ka njoftuar se kërkojnë kompensim.

“Ne javën e kaluar kemi informuar Ministrinë e Infrastruktures që kostoja për vonesat dhe ndryshimet e planifikimeve të ekzekutimit të projektit në 2.5 vitet e kaluara është rreth 63 milionë”, ka thënë Ruci për Gazetën Express.

Por, ajo shton se janë duke punuar me Ministrinë për arritjen e një marrëveshjeje.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!