Sa shpenzoi delegacioni i Kosovës në OKB? – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
15 °C

Sa shpenzoi delegacioni i Kosovës në OKB?

16:11 | 11 Tetor 2018

Presidenca, Qeveria e Ministria e Punëve të Jashtme po i fshehin shpenzimet e delegacionit që përfaqësoi Kosovën në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në New York.

Madje, përveç Qeverisë, institucionet e tjera po i fshehin edhe emrat e atyre që kanë qenë pjesë e delegacionit që zyrtarisht thuhet se ka qenë 18 anëtarësh, vizitë kjo që u përcoll me shumë gafa. Në Zyrën e Kryeministrit thonë se bashkë me kryeministrin Haradinaj kanë marrë pjesë edhe pesë persona të tjerë, ndërsa nuk kanë treguar për shpenzimet. Njësoj kanë vepruar edhe në Presidencë dhe në MPJ, shkruan Gazeta Express.
Ende nuk po dihet se kush udhëtoi drejt New York-ut për të përfaqësuar Kosovën në punimet e Asamblesë së Përgjithshme në OKB. Së paku jo zyrtarisht.

Madje, Presidenca, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme duket se kanë vendosur që të mos japin asnjë informacion se sa para janë shpenzuar për vizitën e këtij delegacioni, vizitë kjo që u përcoll me shumë gafa të ministrit Behgjet Pacolli e nuk dha rezultate konkrete.

Institucionet nuk po deklarohen për këtë çështje, dhe nuk po tregojnë për vlerën e këtyre shpenzimeve.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Zyrën e Presidentit Thaçi, Zyrën e Kryeministrit Haradinaj dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të mësuar se kush e përfaqësoi vendin në OKB dhe se sa para u shpenzuan për këtë udhëtim, por institucionet po i fshehin këto të dhëna.

Të vetmit që kanë kthyer përgjigje janë Zyra e Kryeministrit, ndonëse as ata nuk kanë treguar për vlerën e shpenzimeve.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë se në kohën e mbajtjes së seancës së sivjetme të UNGA, nga Zyra e Kryeministrit në SHBA kanë qëndruar Ramush Haradinaj, Avni Arifi, Besnik Tahiri, Meliza Haradinaj-Stublla, Erolld Belegu dhe vetë ajo.

Por, siç është deklaruar nëpër media pjesë e delegacionit kanë qenë 18 persona.
Presidentin Thaçi mësohet ta kenë shoqëruar shefi i stafit, Bekim Çollaku, këshilltari Artan Behrami dhe fotografi Astrit Ibrahimi. Ndërsa, asistentja ekzekutive Arlinda Ramadani – Selimi, është kujdesur për agjendën e Zonjës së Parë, Lumnije Thaçi.
Ndërsa, ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, mësohet ta kenë shoqëruar këshilltarët Mentor Nazarko, Amir Ahmeti e Muhamet Brajshori, derisa pjesë e ekipit ka qenë edhe Prindon Sadriu, drejtor në Ministrinë e Jashtme.

Vizita disaditëshe e këtij delegacioni nuk është veçuar për ndonjë takim interesant, derisa vëmendja më e madhe në këtë delegacion, i është kushtuar ministrit Pacolli dhe gafave të tij.

Ngjarja më e rëndësishme gjatë kësaj vizite ishte pritja e Haradinajt nga sekretari i Mbrojtjes, Mattis, me ç’rast ai ia ka dhënë mbështetjen Qeverisë për shndërrimin e FSK-së në ushtri.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!