Secili më shah se tjetri – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Secili më shah se tjetri

Shkruar nga: Shemsi Reçica

17:13 | 05 Gusht 2017

Kur, pas çertifikimit të rezultateve të Zgjedhjeve 2017, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, i thirri në takim konsultativ, grupimet politike-pjesëmarrëse në ato zgjedhje, për ta caktuar datën e mbledhjes konstituive të kuvendit të ri, LVV-LDK-AKR-ja, (për të treguar se janë Shah më vete) e bojkotuan takimin me Thaçin, me arsyetimin se thirrja e tij kishte për qëllim “zvarritjen e caktimit të datës për mbledhjen konstituive të kuvendit”.

LVV-LDK-AKR-ja, madje, ia përkujtuan Thaçit se ai “s’është kompetent” për thirrjen e takimeve të tilla, dhe se ai duhet ta caktojë vetëm datën për mbajtjen sa më të shpejtë të mbledhjes konstituive të kuvendit të ri.

Bojkotimi i LVV-LDK-AKR-së, i takimit me kryetarin e Kosovës, megjithëkëtë, pati efekt të kundërt te Thaçi. Pas konsultimeve me koalicionin PDK-AAK-NK (dhe si për ironi), Thaçi e caktoi dt. 3 gusht, për mbajtjen e mbledhjes së kuvendit të ri. Pra, gati në zgrip të skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e kuvendit.

Më 3 gusht, në orën 10.00, kur çdogjë ishte bërë gati, deputetët dhe mysafirët, të pranishëm në sallën e kuvendit, përfaqësuesit e medieve dhe qytetarët (para ekraneve televizive), u detyruan të presin gjatë, ardhjen në sallë të deputetëve të PDK-AAK-NK-së, për fillimin e mbledhjes së kuvendit të ri.

Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo vonesë, (për të treguar se këta janë Shah më vete) përfaqësuesi i të vonuarëve (deri tash pa “leje”), PDK-AAK, kërkoi që të shtyhej (tash me “leje”) edhe për dy orë mbledhja e kuvendit(!), për dy arsye: e para, nevoja për “konsultime të domosdoshme” dhe, e dyta, gjithnjë sipas tij, “ishte edhe koha për të ngrënë drekë(!)”. Kaq tha ai në foltore dhe, pas mosaprovimit të kërkesës së tij, deputetët e PDK-AAK-NK-së e braktisen sallën e kuvendit.

Deputetët e LVV-LDK-AKR-së, pas refuzimit të kërkesës së kolegëve të tyre të PDK-AAK-NK-së, për shtyerjen edhe për dy orë të mbjedhjes së kuvendit, me arsyetimin se pala e kundërt “ka për qëllim vetëm zvarritjen” e mbledhjes së kuvendit, dhe (për t’u dëshmuar se këta janë Shahu), pa u konsultuar me deputetët e PDK-AAK-NK-së, e shtynë vazhdimin e mbledhjes së kuvendit, tash jo vetëm për dy orë, siç kishin kërkuar deputetët e PDK-AAK-NK-së, por për 24 orë të tjera, pra 22 orë më shumë(!), për të nesërmen, më dt. 4 gusht.

Të nesërmen, më dt. 4 gusht, deputetët e PDK-AAK-NK-së, nuk dënjuan as të shkonin në sallën e kuvendit. Përmes mediave, ata iu çuan fjalë kolegëve të tyre LVV-LDK, se “i kishin bërë hesapet pa hanxhinë”, dhe se pa konsultime paraprake me PDK-AAK-NK-në (pra pa konsultime me Shahun), nuk mund të caktohet as data e vazhdimit të mbledhjes së kuvendit.

Takimi konsultativ (4 gusht) i kryesuesit të mbledhjes konstituive të kuvendit të ri, me përfaqsuesit e PDK-AAK-NK-së dhe ata të LVV-LDK-së, rezultoi pa marrëveshje të palëve, për caktimin e datës dhe të mënyrës për vazhdimin e mbledhjes konstituive të kuvendit të ri. Bile ai ishte një hap prapa.

Sipas kryesuesit të takimit konsultativ, palët kishin arritur marrëveshjen për një takim tjetër, për datën 9 gusht, por pas përfundimit të takimit, LVV-ja (pra Shahu tjetër) deklaroi se do ta bojkotojë takimin, me arsyetimin se takimi do të shkonte “në interes” të PDK-AAK-NK-së.

PDK-AAK-NK-ja (Shahu tjetër), ndërkaq, ka kërkuar nga kryesuesi të mos caktojë datë tjetër të vazhdimit të mbledhjes së kuvendit, pa një marrëveshje paraprake të të gjitha subjekteve politike, por edhe kjo kërkesë e PDK-AAK-NK-së (pra kërkesa e Shahut), është injoruar prapë nga LVV-LDK-ja (pra nga Shahu tjetër) dhe, siç është bërë e ditur në KTV, vazhdimi i mbledhjes konstituive të kuvendit të ri të Kosovës, është caktuar për dt. 10 gusht(!).
Parashikimi i saktë i zhvillimeve gjatë ditëve në vijim është i vështirë, por jo krejtësisht i pamundur. Ka shumë gjasë që, me ndryshime të vogla, të përsëritet viti zgjedhor 2014, deri në një “ndërhyrje të butë” të miqëve tanë të përhershëm.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!