Shkaku i humbjeve komerciale, konsumatorët kanë paguar rreth 22 euro më tepër për rrymë për çdo 100 euro – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Shkaku i humbjeve komerciale, konsumatorët kanë paguar rreth 22 euro më tepër për rrymë për çdo 100 euro

14:52 | 08 Nëntor 2017

Trendi i humbjeve komerciale të cilat i janë faturuar qytetarëve që kanë paguar rregullisht energjinë elektrike është shqetësues. Në vitin 2006, këto humbje kanë qenë mbi 30 për qind, e të cilat i janë faturuar qytetarëve që kanë paguar rregullisht energjinë elektrike.

Sipas një përllogaritje për humbjet komerciale, i bie që në 11 vitet e fundit (2006 – 2016), mesatarisht konsumatorët, kanë paguar mbi 22 për qind më shumë energji nga ajo që kanë shpenzuar. Pra nëse një konsumator ka paguar 100 euro energji elektrike, ata janë ngarkuar me mbi 22 euro për t’i mbuluar humbjet komerciale të energjisë elektrike.

Telegrafi ka raportuar të hënën se konsumatorët e rregullt janë ngarkuar për dhjetë vite nga humbjet komerciale me 280 milionë euro, por nëse llogaritet periudha e këtyre humbjeve në periudhën 2006-2016, shuma me të cilën janë ngarkuar në faturat e rrymës pa e shpenzuar është edhe më e madhe.

Gjatë vitit 2015, të hyrat maksimale të lejuara kanë qenë 240 milionë euro dhe 16.48% e kësaj shume është mbuluar nga humbjet komerciale.

Pra i bie se për humbjet komerciale, konsumatorët gjatë vitit 2015, kanë paguar rreth 39.5 milionë euro energji elektrike më shumë sesa që kanë shpenzuar.

Një draft raport i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për vitin 2016, që e disponon Telegrafi tregon se parametrat e lejuara të humbjeve komerciale janë përcaktuar sipas humbjeve të vitit 2011.

Sipas këtij raporti, është përcaktuar edhe shkalla e zvogëlimit të humbjeve prej me 3% për tre vite dhe 2.5% për tri vite të tjera, por kjo nuk është arritur. “Kostoja e humbjeve të energjisë është mjaft e lartë dhe mbulohet nga tarifa e konsumatorëve që janë pagues të rregullt të energjisë elektrike”, thuhet në këtë raport, i cli barrën e pagesës ia ngarkon konsumatorëve pa e shpenzuar atë energji.

Sipas ZRRE-së, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), nuk ka arritur të përmbush caqet e përcaktuara më parë. “Nga viti 2006 kur humbjet komerciale kanë qenë 30.21%, ato janë zvogëluar në 16.65% në vitin 2016, që është një zvogëlim i konsiderueshëm, përderisa humbjet teknike kanë rënë nga 18.15% në vitin 2006 në 13.04% në vitin 2016”, thekson draft raporti për punën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2016, por që nuk është miratuar në Kuvend e Kosovës për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve Parlamentare më 11 qershor të këtij viti.

Humbjet komerciale 2006 – 2016

2006 – humbjet komerciale ishin, 30.21%
2007– humbjet komerciale ishin, 30.68%
2008– humbjet komerciale ishin, 25.76%
2009– humbjet komerciale ishin, 24.76%
2010– humbjet komerciale ishin, 24.02%
2011– humbjet komerciale ishin, 21.37%
2012– humbjet komerciale ishin, 20.37%
2013– humbjet komerciale ishin, 19.50%
2014– humbjet komerciale ishin, 17.94%
2015– humbjet komerciale ishin, 16.38%
2016 – humbjet komerciale ishin, 16.65% .

Zëdhënësja e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Adelina Murtezaj – Bajrami gjatë një prononcimi për Telegrafin nuk ka treguar saktësisht se pse lejohet faturimi i humbjeve komerciale.

Ajo fajin ia ka hedhur strukturës tarifore. “Struktura e mëparshme tarifore, e konsideruar mjaft e komplikuar, ka pamundësuar përfshirjen e më shumë komponentëve në faturën e energjisë. Në tarifat e energjisë, përveç humbjeve, janë edhe komponentët e tjera që përbëjnë tarifën, siç janë, kostot kapitale, operative, prodhimi i energjisë, transmetimi, importi, tantiema e thëngjillit, TVSh etj, të cilat ZRRE ka konsideruar se do ta komplikonin tarifën sikur të paraqiteshin të gjitha në faturat e konsumatorëve”, tha Murtezaj – Bajrami.

“Humbjet në rrjet definohen si diferenca në mes të energjisë që hyn në rrjet dhe energjisë së del nga rrjeti. Humbjet përfshijnë humbjet teknike dhe konsumin e paautorizuar të energjisë elektrike (humbjet komerciale), dhe caku për reduktimin e tyre përfshinë të dyja bashkë”, ka thënë ajo.

Adelina Murtezaj – Bajrami bën të ditur se rrjeti i transmetimit dhe të shpërndarjes janë të rregulluara, dhe është nën kompetencë të rregullatorit të vendos mekanizma për reduktimin e humbjeve.

E sipas Murtezaj – Bajramit, humbjet e energjisë shkaktohen për disa arsye. “Për shkak të mungesës së investimeve apo për shkak të pamundësisë së identifikimit të keqpërdorimit. Një vlerë e arsyeshme e këtyre humbjeve është pranuar edhe para vitit 2012”, tha ajo.

Ajo ka treguar se ZRRE ka marrë masa dhe ka vendosur caqet për uljen e humbjeve. “Ndërsa mos arritja e caqeve të vendosura nga ZRRE është kompensuar nga kapitali vetanak i KEDS-it, i cili vetëm për tri vitet e fundit është rreth 19 milionë euro. Prandaj duhet te theksohet se ZRRE gjatë çdo shqyrtimi tarifor tejkalimin e cakut të humbjeve e ka konsideruar si kosto të pa arsyeshme, rrjedhimisht këto nuk janë përfshirë në tarifat e konsumatorëve te rregulluar”, ka thënë Adelina Murtezaj – Bajrami.

Ish-Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë në Legjislaturën e kaluar Muhamet Mustafa ka thënë për Telegrafin se për ngarkesën e qytetarëve me humbje komerciale e kanë konstatuar edhe kur kanë hetuar faturimin e energjisë elektrike në vitin 2013.

Ai ka treguar se kanë kërkuar nga ZRRE-ja që të largohen këto anomali nga faturimi. “Energjia që nuk faturohet ose nuk paguhet apo keqpërdoret në çfarëdo mënyre, bie në të ashtuquajturat humbje komerciale. Humbje të tilla ka në gjithë Kosovën, por kjo në rajonin e Mitrovicës e kalon 50%, për shkak të situatës në veri. Kjo gjithsesi duhet të korrigjohet dhe secili duhet të kompensojë vetë për shërbimet që merr e që shfrytëzon dhe përgjegjësinë për këtë duhet ta marrin institucionet shtetërore që paguhen nga taksapaguesit për ta kryer punën tyre me korrektësi, transparencë dhe përgjegjësi”, thotë ish-deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa.

E Naim Hoxha, ekspert i energjetikës i cili ka qenë edhe i angazhuar për hetimin e tarifave nga Kuvendi i Kosovës më 2013, ka thënë se rritja e humbjeve komerciale në vitin 2016 është brengosëse. “Humbjet komerciale në vitin 2016 kanë qenë 16.69% që do të thotë se janë më të mëdha se në vitin 2015 për 0.27%. Kjo është për tu brengosur dhe paraqet devijim nga kushtet e parashtruara me kontratë”, tha ai.

“Kjo do të thotë se nga vlera e tërësishme e inkasuar në vitin 2016, 16.69% janë mbulese e humbjeve komerciale. Pra jo më pak, por më shume se 15 euro për çdo 100 euro të inkasuara”, ka thënë Naim Hoxha.

Forma e tillë ngarkesës sipas tij, është vjedhje e konsumatorëve të rregullt. Mos zvogëlimi i humbjeve sipas Hoxhës, nga ana e KEDS-it është për shkak se kompensimin për këto humbje ia siguron ZRRE-ja pa i ndjekur konsumatorët të cilët e keqpërdorin energjinë elektrike. “Shembull: për vitin 2015 të hyrat maksimale të lejuara ka qenë 240 milionë euro dhe shihet se 16.48% të kësaj vlere do t’i mbulojnë humbjet komerciale”, ka treguar ai.

Ndërkaq, Koordinatori i KOSID-it, Visar Azemi ka thënë për Telegrafin se forma e tarifave të energjisë elektrike është mjaftë e pa qartë e cila përcjellët me mungesa të informatave.

“Është e drejtë e konsumatorëve për me qenë të informuar në detaje për atë qe u faturohet dhe pse ju faturohet. Mënyra e kalkulimit të tarifës është akoma e paqartë dhe formula që përdorët aty është mjaft komplekse për tu kuptuar nga qytetarët”, ka thënë Azemi.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!