Shkarkimit të Mourinhos ia sheh “sherrin” Juventusi

22:11 | 18 Dhjetor 2018

Shkarkimi i trajnerit Jose Mourinho nga Manchester United mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve te kjo skuadër, duke nisur nga emri i drejtuesit të ardhshëm deri te merkatoja që do të zhvillohet në janar e më pas.

Sipas të përditshmes britanike “The Sun”, largimi i Mourinho ka bërë që mesfushori francez Paul Pogba të ndryshojë mendje dhe tani synon të qëndrojë në “Old Trafford”, për t’u bërë ai lideri i ri i “djajve të kuq”.

Nëse Pogba, 25 vjeç, qëndron në Premier League, atëherë ëndrra e Juventusit për të sjellë kampionin e botës sërish në Serinë A merr fund edhe pse kohët e fundit është përfolur se ky transferim është pranë.

Por largimi i Mourinho ka ndërlikuar këtë lëvizje, pasi francezi mund të rigjejë harmoninë tek United me trajnerin e ri dhe të qëndrojë, këtë herë si protagonist.

Pogba dhe Mourinho kanë kohë që akuzojnë njëri-tjetrin me deklarata, madje edhe pas shkarkimit të trajnerit portugez, me lojtarin që duket se e fitoi këtë betejë personale me trajnerin.

Tashmë për Juventusin nuk mbetet gjë tjetër veçse të qëndrojë në pritje të vendimit që do të marrë Pogba, nëse do të qëndrojë sërish tek United apo do të rikthehet te bardhezinjtë.

Komento: